Po çfarë përmban ky projektligj? “Duke qenë se ligji nr.65/2014, “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”, parashikon që: “Punonjësi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM), përveç përfitimeve që rrjedhin nga legjislacioni për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, gëzon të drejtën e përfitimeve të tjera shtesë, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në legjislacionin përkatës për sigurimet shoqërore suplementare …” propozohet ky projektligj, me anë të të cilit punonjësit civilë të AISM-së përfshihen në skemën e trajtimit sipas sigurimeve shoqërore suplementare. Punonjësit ushtarakë të AISM-së janë përfitues, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, duke qenë se kanë statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura.
Duke qenë se punonjësit ushtarakë dhe punonjësit civilë të AISM-së kryejnë të njëjtat funksione dhe detyra, atëherë edhe trajtimi i tyre duhet të jetë i njëjtë”, - thuhet në relacionin e projektligjit të miratuar.
Përfitimet
Punonjësit e AISM-së do të futen ne skemën e sigurimeve shoqërore suplementare, për pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi në vitin 2030 (14 vjet për gra – 12 vite shërbim dhe pagesë kalimtare) dhe në vitin 2033 (17 vjet për burrat – 15 vite shërbim dhe pagesa kalimtare). - Suplementi për pension pleqërie është llogaritur nisur nga gjendja aktuale e personelit dhe për periudhën 5-vjeçare parashikohen të dalin 2 (dy) punonjës në vitin 2017, 1 (një) punonjës në vitin 2018, 3 (tre) punonjës në vitin 2019, 5 (pesë) punonjës në vitin 2020 dhe 1(një) punonjës në vitin 2021. Suplementi është llogaritur në masën 1% të pagës mesatare për çdo vit kontribut. Kontributet që derdhen në masën 5% të pagës referuese përbëjnë 3.400 mijë lekë. Në vitin 2017, AISM-ja do të derdhë në sigurimet shoqërore mbi 3 400 mijë lekë dhe pritet të marrë 636 mijë lekë, me një diferencë 33 370 mijë, pozitiv për buxhetin.
Punonjësit
Punonjësi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, përveç përfitimeve që rrjedhin nga legjislacioni për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, gëzon të drejtën e përfitimeve të tjera shtesë. Për efekt të përfitimit të sigurimeve shoqërore suplementare, si vjetërsi shërbimi njihet periudha nga momenti i emërimit deri në momentin e lirimit ose shkarkimit nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Vjetërsi në punë e punonjësit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, për efekt pensioni të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, njihet: a) koha nga data e pranimit deri në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes; b) koha e punës në struktura të tjera që përfitojnë sigurime shoqërore suplementare; c) koha e ndërprerjes së karrierës në shërbim, për shkak të një vendimi të padrejtë, të cilësuar si të tillë nga gjykata.”
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)