Ministria e Mjedisit ka hedhur për konsultim publik projektvendimin “Për landfillet e mbetjeve”, i cili parashikon rregulla të reja për administrimin, monitorimin dhe mbylljen e vend-depozitimeve të paligjshme në vend.

Sipas draftit, landfillet do të ndahen në tre kategori: ‘për mbetje të rrezikshme, për mbetje jo të rrezikshme dhe për mbetje inerte’. Projektvendimi përcakton detyrimet e operatorëve për të operuar në përputhje me licencën dhe për të njoftuar Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, në rast të evidentimit të rreziqeve të mundshme për mjedisin.

Në kreun e pestë të draftit përcaktohen edhe procedurat për vend-depozitimet ekzistuese të mbetjeve. Operatorët duhet të paraqesin një plan përmirësimi pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, e cila më pas vendos për pajisjen me leje të re mjedisore ose për mbylljen e landfillit.

Projektvendimi vendos gjithashtu detyrimin për dy garanci financiare nga operatorët e landfilleve. Njëra lidhet me operimin e landfillit dhe mbulon raste si falimentimi, shkeljet e rënda të kushteve mjedisore apo ndotjet që kërkojnë ndërhyrje emergjente. Garancia e dytë lidhet me mbylljen dhe kujdesin pas mbylljes së landfillit, përfshirë monitorimin dhe rehabilitimin mjedisor për një periudhë jo më të shkurtër se 30 vite.

Ndër objektivat afatgjata të projektvendimit parashikohet reduktimi në 10% i sasisë së mbetjeve që depozitohen në landfill deri në vitin 2045, si edhe mbyllja e vend-depozitimeve të paligjshme të krijuara ndër vite.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë