TIRANE - “Projektligji i ri i arsimit të lartë garanton autonomi jo vetëm në zgjedhjen e stafeve drejtuese por edhe në mënyrën e përcaktimit të kuotave, financimit, tarifat e studimit por edhe për pagat e stafit akademik”. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga zv/ministri i Arsimit, Arbjan Mazniku pas deklaratave të drejtuesve të Universitetit të Tiranës se drafti i ri i cënon autonominë e universiteteve.

Sipas Maznikut ky draft është përgatitur mes konsultimeve të të gjithë aktorëve dhe grupeve të interesit. Sipas tij, nisma rrit autonominë universitare, duke e kaluar nga ministria tek vetë institucionet e arsimit të lartë. “Draft/ligji që kemi dërguar është produkt i një procesi unik gjatë gjithë historisë së arsimit të lartë, ardhur pas një konsultimi të gjatë me të gjitha grupet e interesit. Drafti është produkt i punës së një grupi ekspertësh të pavarur politikë dhe profesionalë. 

Ne jemi të vetëdijshëm që një reformë që sjell ndryshime rrënjësore s’mund të jetë qind për qind konsensuale, por ndryshe nga reformat e së shkuarës kjo nuk është reformë e partisë në pushtet për partinë në universitet” ka pohuar Mazniku. Ky i fundit i ka mëshuar më tej çështjes së autonomisë duke theksuar se ajo shtrihet në shumë fusha.

“Për ne autonomi nuk është vetëm e drejta për zgjedhur trupat akademikë. Autonomia në këtë ligj shtrihet në fushën e financimit, dhe organizimit të brendshëm dhe ajo vjen natyrshëm së bashku me përgjegjshmërinë për transparencë, llogaridhënie ndaj publikut dhe sigurim të standardeve të cilësisë.

Autonomia nuk është qëllim në vetvete por një instrument për të siguruar cilësinë, konkurrencën, meritën dhe transparencën” ka theksuar Mazniku. Nga ana tjetër ai ka deklaruar se tashmë ministria e Arsimit ka nisur të diskutojë dhe të punojë mbi të gjithë vërejtjet e ardhura nga drejtuesit e universiteteve në vend. “Çdo vërejtje do të shihet me të njëjtin përkushtim dhe seriozitet që kemi dëgjuar çdo vërejtje gjatë gjithë këtij procesi. Madje në këto momente komisioni është mbledhur tashmë dhe po kqyr një nga një të gjitha vërejtjet e dërguara dhe po punojmë bashkërisht për detajet e fundit që janë objekt diskutimi, për t’a përmbyllur dhe jetësuar reformën” ka theksuar Mazniku.

Me ndryshimet që do ti bëhen ligjit të ri të Arsimit të Lartë pritet që gjatë vitit të ardhshëm të ketë edhe ndryshime të mëdha në mënyrën e pranimit të studentëve në universitet, ku rolin kryesor do ta ketë vetë universiteti në bashkëpunim me qendër të re e cila do të ngrihet për menaxhimin e kuotave dhe kërkesave të kandidatëve.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)