Komisioneri Publik ka ankimuar këtë të mërkurë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit përkundrejt subjektit të rivlerësimit, prokurorit në Prokurorinë e Gjykatës së Krimeve të Rënda Besnik Muçi.

Komisioneri Publik çmon se vendimi i Komisionit nuk është i drejtë pasi subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me prokurorin Muçi nuk arrijnë të justifikojnë bindshëm burimin e ligjshëm të të ardhurave dhe pasurive.

“Subjekti i rivlerësimit nuk justifikon burimet financiare të shpenzimeve dhe kursimeve për vitet 2003, 2004 dhe 2005, si dhe gjendet në kushtet e mosdeklarimit të pasurisë dhe deklarimit të pamjaftueshëm të saj, referuar nenit D, pika 1 dhe 5, të aneksit të Kushtetutës dhe nenit 61/3, të ligjit nr. 84/2016” , thuhet në njoftimin për shtyp të Komisionerit Publik.

Më 1 gusht të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda, pasi zhvilloi hetimet në të trija shtyllat e hetimit: pastërtinë e figurës, aftësinë profesionale dhe pasurinë. Sipas raportit të ILDKP-së, prokurori Muçi kishte bërë deklarim të saktë pasurie dhe pa fshehje.