TIRANE - 17 vite luftë e përbashkët ndaj mafias dhe trafiqeve të paligjshme midis Shqipërisë dhe Italisë janë diskutuar sot në një takim në Prokurorinë e Përgjithshme midis kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe prokurorit kombëtar të Antimafias italiane Franco Roberti. Ky takim dypalësh vjen në një kohë kur krimi i organizuar përmirëson mjetet dhe metodat për të arritur qëllimet e tij kriminale, strukturat hetimore nga ana e tyre duhet t’u përgjigjen në koherencë, çka ka sjellë dhe firmosjen e një memorandumi të ri dypalësh, bën me dije zyra e shtypit pranë akuzës.

“Shqipëria tashmë ka hyrë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Kjo rrugë kërkon vendosmëri përballë krimit të organizuar. Është një sfidë që po punojnë çdo ditë për ta përballuar me sukses. Natyrisht, bashkëpunimi dhe ndihma e autoriteteve italiane është një ndihmesë të madhe në përballimin e kësaj sfide për Shqipërinë. Aktualisht, prokuroria është e fokusuar në hetimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtarinë kriminale. Është rritur së tepërmi nga viti në vit numri i konfiskimeve të pasurive të paluajtshme dhe llogarive bankare të personave dhe grupeve të përfshirë në krimin e organizuar”, deklaroi kryeprokurori gjatë një konference për shtyp.
 
“Bashkëndamë sot bindjen se për të luftuar fenomenet kriminale është e rëndësishme që ti luftojmë ato nga ana ekonomike. Duke konfiskuar pasuritë e paligjshme e pasuritë e patundshme. Gjithashtu jemi të bindur se përpjekja e organizatave kriminale për të pastruar paratë, ndikon negativisht në zhvillimin e Bashkimit Europian. Sfida për të luftuar krimin e organizuar është një sfidë që kërkon përpjekjet tona maksimale, por jemi të bindur që do ja dalim mbanë. Ndërkohë dhe kriminaliteti i organizuar është zhvilluar duke gjetur fusha dhe hapësira veprimi, dhe ndaj ne bashkërendojmë veprimtaritë e përbashkëta ndaj kësaj veprimtarie, përfshi trafikun e narkotikëve, prostitucionit, kontrabandës, trafikun e armëve, pasi këto organizata kriminale veprojnë në hapësirën ndërkombëtare”, deklaroi Prokurori i Antimafias Franco Roberti.

E ndërsa midis dy vendeve ka një sërë hetimesh të hapura për organizata të ndryshme kriminale, burime të rezervuara për “A1 Report” nga Prokuroria e Përgjithshme bënë me dije se shumë shpejt pritet të nisin disa operacione të përbashkëta për sekuestrimin e pasurive të krijuara nga aktivitetet kriminale të italianëve në Shqipëri dhe shqiptarëve në Itali.
 
Në vizitën e tij prokurori i Antimafias italiane është pritur dhe nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ku siç bënë me dije Presidenca, palët kanë ndarë qëndrimin se efikasiteti në luftën ndaj krimit varet nga bashkëpunimi efikas midis institucioneve.

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)