Prokurori i Antimafias në Tiranë: Kriminelët shqiptarë i pastrojnë paratë e drogës këtu, ja si ti godisni

TIRANE- Ministria shqiptare e Drejtësisë organizoi ditën e sotme një konferencë për luftën kundër krimit dhe masat brenda sistemit te burgjeve bazuar në eksperiencën italiane, pasi nesër do të futet në fuqi  regjimi i posaçëm ’41-bis’. I pranishëm ishte edhe prokurori i Antimafias italiane Federico Cafiero De Raho. Ai deklaroi se dy janë formulat për goditjen e krimit dhe korrupsionit; ndjekja e parasë dhe ndalimi i kontakteve të të burgosurve me jashtë, që Shqipëria e ka huazuar pikërisht nga Italia. De Raho theksoi se krimi shqiptar është i specializuar në trafikun e drogës, ndërsa kërkoi veprim të institucioneve shqiptare për të parandaluar këto organizata kriminale që fitimet t’ i riinvestojnë sërish në trafik. Sipas tij fitimet e organizatave kriminale nuk janë investuar në Itali, por në Shqipëri në forma dhe mënyra të ndryshme. Depërtimi në politikën lokale apo qendrore i këtyre organizatave kriminale ishte një tjetër paralajmërim i zyrtarit të lartë italian për drejtësinë shqiptare. ''Në rast se të ardhurat e organizatave kriminale do të ishin ri-investuar te gjitha në Shqipëri, mafia do të kishte mundësinë të bëhej investitori kryesor në këtë vend dhe kjo – tekstualisht – “do të ishte e frikshme në mënyrë të dëshpëruar''. deklaroi Cafiero.

“Kjo konferencë shënon objektivin për të mos u ndaluar për të shkuar më tej reforma në drejtësi që të bëhet Shqipëria sikur urohet nga institucionet evropiane, e lirë nga kushtëzimet që vendos krimi dhe korrupsioni. Për ndërtimin e një sistemi efikas kundër krimit dhe korrupsionit. Këtë na e thotë përvoja italiane, kam pasur mundësi ta eksperimentoj në luftën kundër terrorizmit dhe korrupsionit. Jam dakord me Sorecën kur tha se ‘formula më efikase për goditjen e krimit është ndjekja e parasë, por edhe ndalimi i kontakteve mes të burgosurve dhe atyre që janë jashtë burgjeve. Krimi shqiptar është i specializuar në trafikun e lëndëve narkotike, hetime të shumta janë duke u zhvilluar në Itali dhe vende të tjera. Të gjitha drejtoritë e rretheve në Itali janë duke hetuar për këtë gjë dhe që përfshijnë edhe shqiptarë.

Janë krijuar skuadra të shumta të përbashkëta hetimore që bashkëpunojnë në dy brigjet e Adriatikut. Trafiku i lëndëve narkotike është po aq i njohur, janë fitime të mëdha dhe një pjesë e të cilave riinvestohen për blerjen e sasive të tjera të drogës, apo riciklimin e parave që vijnë nga produktet e veprave kriminale. Vetëm në raste shumë të rralla fitimet janë fshehur apo riinvestuar në Itali, pasi ka një mundësi të lartë, që pastrimi i parave të ndodhi përmes organizatave kriminale. ky fenomen ndodh në Shqipëri. Riinvestimi i paligjshëm dhe korrupsioni është rrezik shumë serioz. Mendojmë sa korrupsion mund të ketë nga subjektet kriminale që kanë pasuri të mëdha. Në cdo vend të botës ka jo vetëm një lidhje mes korrupsionit dhe rëndësisë ekonomike që ka marrë trafiku i drogës, por edhe një marrëdhënie e drejtpërdrejt e konsolidimit të organizatave të mëdha dhe depërtimi në politikën vendore apo qendrore.

Është rritur edhe trafiku i armëve. Cdo veprim në luftën kundër krimit, do të falimentojë nëse nuk merret parasysh mekanizimi financiar që u bën të mundur trafikantëve që të jetë më fitimprurës në botë. Të sulmohet sistemi, subjektet që i bëjnë të mundur kësaj sasie që të futen në ekonominë e ligjshme. Ligji shqiptar parashikon edhe instrumentet e hetimeve apo konfiskimeve të pasurisë së paligjshme. Reflektimet që do të bëhen sot do të sjellin edhe pikënisje për të thelluar edhe më shumë një veprimtarisë të ligjshme për të kthyer besimin në shtet.  Në Shqipëri kohët e fundit është miratuar ligji specifik për ndalimin e kontakteve për të burgosurit, që është identik me neni ’41-bis’ në Itali. Është shumë i rëndësishëm, pasi sjell kufizimin e mundësive për të komunikuar me mjedisin e jashtëm nga pjesëtarët e organizatave kriminale, për të mos drejtuar aktivitetin edhe nga burgu. Ky ligj ndalon kapot e mafios që të vepronin që nga burgu. Do të shikojmë nëse regjimi i burgjeve do të jetë në gjendje që ta pengojë” tha ai.

Në përfundim të konferencës, Federico Cafiero De Raho i pyetur nga gazetarët nëse në Shqipëria ka ndryshuar dicka krahasur me herën e fundit kur ishte në vendin tonë, ai vlerësoi punën që po bëhet, ndërsa shtoi se grupet shqiptare në Itali veprojnë jo vetëm në trafikun e marijuanës, por edhe kokainës duke bërë aleanca me bandat italiane. “Ka ndryshuar shumë nga hera e parë. Ka pasur bashkëpunim për hetimit nga pala italiane dhe shqiptare për të luftuar krimin që vepron në të dyja vendet. Shqiptarët në Itali veprojnë jo vetëm në trafikun e marijuanës, por edhe kokainës, ndërsa kanë aleancë me organizata kriminale në Itali, si ‘Ndrangheta’. Fitimet e grupeve kriminale investohen në Shqipëri” deklaroi ai.

I pranishëm në konferencë ishte edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili vlerësoi operacionet e fundit për goditjen e krimit dhe sekuestrimin e pasurive të paligjshme, ndërsa kërkoi që të vijohet me këtë ritëm, pasi këtu do të bazohet edhe vendimi për hapjen e negociatave ne qershor. “Është fillimi dhe ne presim vendime përfundimtare të konfiskimit të pasurive të paligjshme, është sinjal që vendi po bën në luftën kundër krimit. Vendimi në qershor do të merret edhe në bazë të rezultateve në luftën kundër krimit. Në muaj e fundit ka pasur rezultate. Ka pasur operacione të rëndësishme të policisë, tani duhet të vijohet edhe këto veprime të konsolidohen me vendime të rëndësishme. Pra, një drejtim i qartë i veprimit të qeverisë. BE e mbështet këtë aksion”  deklaroi ai.

Nga fjalimi i Federico Cafiero De Raho

''Kriminaliteti i organizuar shqiptar është specializuar në trafikun e substancave narkotike. Mjafton të mendosh se gati të gjitha Drejtoritë Rajonale Antimafia në Itali kanë në hetim e sipër çështje lidhur me organizata kriminale që merren me trafikun e drogës, të cilat përfshijnë edhe qytetarë shqiptarë dhe se deri tani janë krijuar mes Drejtorivë Rajonale Antimafia në Itali dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda shumë grupe hetimore të përbashkëta me objektiv organizatat kriminale që veprojnë ndërmjet dy brigjeve të Adriatikut.  

Trafiku i drogës, siç dihet mirë, u lejon organizatave kriminale dhe përfaqësuesve të tyre fitime shumë të mëdha, një pjesë e të cilave investohet në blerjen e sasive të tjera të drogës dhe pjesa më e madhe e të cilave ri-investohet. Prokuroritë italiane i kushtojnë një vëmendje të veçantë aspekteve që lidhen me riciklimin e të ardhurave nga aktiviteti kriminal, kështu çdo procedurë që lidhet me trafikun e drogës sjell edhe hetime në fushën e pasurive: përvoja që kemi patur nga rezultatet e këtyre hetimeve ka lejuar të pohojmë se vetëm në raste shumë të rralla të ardhurat nga trafiqet janë mbajtur, janë fshehur apo janë ri-investuar në Itali.

Pasojë e drejtpërdrejtë e një konstatimi të tillë është se ekziston një probabilitet shumë i lartë që riciklimi bëhet në vendin e origjinës të bashkëpunëtorëve të organizatës kriminale: në rastin e qytetarëve shqiptarë, pikërisht në Shqipëri. Në rast se të ardhurat e organizatave kriminale do të ishin ri-investuar në Shqipëri, mafia do të kishte mundësinë të bëhej investitori kryesor në këtë vend dhe kjo – tekstualisht – “do të ishte e frikshme në mënyrë të dëshpëruar”.

Rreziku është konkret dhe alarmi, i ngritur edhe nga ambasadori i Bashkimit Evropian Soreca, është krejtësisht i pranueshëm, edhe për lidhjen e ngushtë që ekziston mes ri-investimeve të paligjshme dhe korrupsionit. Prania e shumave të mëdha të parave që vijnë nga aktivitete të paligjshme, në fakt, lehtëson marrëveshjet korruptive, sidomos kur janë të domosdoshme për të lehtësuar ri-investimet e shumave të tilla në ekonominë e ligjshme.

Legjislacioni shqiptar në mënyrë shumë largpamëse parashikon që instrumenti i hetimeve pasurore dhe i konfiskimit e sekuestrimit të pronave dhe kapitaleve të grumbulluar në mënyrë të paligjshme është i zbatueshëm edhe mbi krimet e korrupsionit: urojmë që instrumentat në dispozicion të magjistraturës shqiptare të zbatohen dhe të përdoren vazhdimisht nëpërmjet hetimeve që patjetër do të kryhen me profesionalizëm dhe motivim nga kolegët shqiptarë.

Po aq e rëndësishme dhe domethënëse është edhe tema e masave të burgimit të përshtatshme që t’i ndalojnë kriminalitetit të organizuar të vazhdojë trafiqet e veta edhe nga brenda burgut. Kolegu Franacesko Mandoi më ka informuar se në Shqipëri së fundmi është miratuar një ligj i posaçëm lidhur me këtë: ligji 108/2018, i cili ka amenduar ligjin nr. 8328, datë 16.04.1998, duke futur Nenin 13/1, që i korrespondon në thelb Nenit 41 bis të rregullores së burgjeve italiane. Edhe ky instrument ligjor është themelor në luftën kundër kriminalitetit të organizuar, duke qenë se u kufizon shumë mundësitë e komunikimit me jashtë pjesëtarëve të organizatave kriminale (që nuk mund të vijojnë të drejtojnë nga burgu aktivitetet e organizatave kriminale, të japin urdhëra dhe të administrojnë punët e tyre të paligjshme).

Jam i sigurtë se bashkëpunimi mes magjistraturës italiane dhe asaj shqiptare është ndër më domethënësit në panoramën ndërkombëtare, për këtë mund të garantoj se Drejtoria Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm do të jetë gjithnjë e disponueshme t’i ofrojë çdo mbështetje magjistraturës shqiptare, duke qenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e këtij momenti historik që po përjeton Shqipëria.

Një e ardhme në Evropë është një e ardhme që ndërtohet edhe nëpërmjet një lufte pa kompromis kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit: kjo tregohet nga ligjet e miratuara nga Parlamenti shqiptar dhe nga impenjimi i përditshëm i kolegëve shqiptarë, me të cilët Zyrat Gjyqësore italiane bashkëpunojnë çdo ditë. Drejtoria Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm është  e gatshme të mbështetë një impenjim të tillë me çdo mjet dhe në bashkëpunim të plotë. 

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur