Prokuroria ankimon vendimin e
Gjykatës së Apelit për “21 Janarin”

Prokuroria ankimon vendimin e<br />Gjykatës së Apelit për “21 Janarin”
TIRANE- Prokuroria ka bërë rekursin në Gjykatën e Lartë për çështjen e 21 janarit, ku ka dërguar argumente të reja për fajësinë e të pandehurve Ndrea Prendi dhe Agim Llupo. Organi i akuzës, i bindur se ata kanë kryer vrasje me dashje, ka rikërkuar 23 vjet burg për ish-komandantin e Gardës dhe 25 vjet burg për Llupon.
 
Prokuroria nuk është e bindur me vendimin e Gjykatës së Apelit për dy të akuzuarit për 21 Janarin, kështu që ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke paraqitur edhe pretendimet përkatëse mbi këtë çështje, Sipas rekursit të bërë nga prokuroria, FBI ka përcaktuar se predha e gjetur në trupin e Faik Myrtajt, i vrarë gjatë demonstratës së 21 janarit, i përket armës pistoletë të Ndrea Prendit. Prokuroria pretendon se me këtë akt-ekspertimi përjashtohet mundësia që predha e gjetur në trupin e viktimës të jetë e dëmtuar, kështu rikërkon që kryegardisti të dënohet me 23 vite burg dhe ish-vartësi i tij të dënohet me 25 vite burg.

Gjithashtu, organi i akuzës vazhdon të këmbëngulë se ata kanë vrarë me dashje dhe kanë kryer veprime për të fshehur dhe manipuluar provat përgjatë një viti. Më tej, prokuroria ka pretenduar se të gjitha veprimet e kryera nga të pandehurit tregojnë qartë se vrasjet nuk kanë qenë nga pakujdesia. “Veprimet e Prendit nuk provojnë gjë tjetër veçse anën subjektive të tij, dashjen e tij në kryerjen e veprës penale dhe më tej edhe përpjekjet e tij për të zhdukur çdo provë që do të hidhte dritë në këto vrasje. Në qoftë se do të ishim para qitjes në ajër, siç arsyeton Gjykata e Apelit, atëherë i pandehuri nuk kishte se përse të kujdesej në çdo detaj, me qëllim zhdukjen e gjurmëve, të cilat do të provonin se ai kishte qëlluar me pistoletën që ai mbante për shkak të detyrës.

Por përpjekjet e tij për të zhdukur çdo provë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse provojnë edhe anën subjektive të tij në kryerjen e veprës penale, siç është dashja direkte”, shkruhet në rekursin e dorëzuar në Gjykatën e Lartë. Edhe për gardistin tjetër, Agim Llupo, prokuroria pretendon se Gjykata e Apelit ka gabuar me arsyetimin se vrasjen e Ziver Veizit e ka kryer nga pakujdesia. “Për t’u theksuar është fakti se i pandehuri Agim Llupo, në momentin e vrasjes së shtetasit Ziver Veizi, kishte fushëpamje me këtë të fundit dhe kjo provohet me pamjet filmike të administruara në këtë shqyrtim gjyqësor. Gjithashtu edhe këndi i qitjes së të pandehurit Agim Llupo është i provuar se nuk ka qenë në ajër, por në drejtim të viktimës Veizi. Kjo provohet me thëniet e dëshmitarëve, pamjet filmike, aktin e ekspertimit topografik”, pretendon prokuroria.
 
 

Rekursi i plotë për çështjen e "21 janarit"

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Mario Balotelli mezi qëndron në këmbë, sulmuesi filmohet i dehur dhe i shtrirë në rrugë

VIDEO/ Mario Balotelli mezi qëndron në këmbë, sulmuesi filmohet i dehur dhe i shtrirë në rrugë