TIRANE - Teksa janë kryer dhjetëra veprime hetimore e janë administruar në dosje një sërë materialesh, grupi i hetimit ka zhvilluar një analizë hetimore në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Synimi i kësaj analize ka qënë konkretizimi i hetimeve në disa drejtime, ku pista e parë ku po hulumtohet më tepër është ajo se atentati me tritol ka lidhje me detyrën e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Sipas burimeve për këtë pistë janë objekt verifikimesh personat që kanë qënë protagonistë në ngjarjen e fundit kriminale të ndodhura në Tiranë.

Një sërë detyrash hetimore janë lënë për agjentët e policisë, për të mbajtur në vëzhgim këta persona apo rrethin e ngushtë shoqëror, me qëllim mësimin e veprimtarisë së tyre kriminale, dhe zbulimin e provave për vendosjen e tritolit në farmacinë e prindërve të Tahirit dhe stacionin e autobuzit. Sipas burimeve personi që është kapur nga pamjet filmike mund të jetë e moshës 35 vjeç deri në 40 vjeç, ndërkohë që ende nuk dihet asnjë gjë rreth identitetit të tij.

Detyra e ministrit
Për shkak të pozicionit të tij si ministër i Brendshëm Saimir Tahiri është njeriu që ka urdhëruar Policinë e Shtetit të kryejë hetime dhe të godasë disa grupe kriminale, përfshirë këtu dhe grupe që kanë si aktivitet kriminal montimin, tregtimin dhe vendosjes e minave me celular.

Mirëpo, vendosmëria e ministrit Tahiri i cili këtë vendosmëri e ka shfaqur dhe publikisht, për të goditur pa tolerancë krimin e organizuar, i është kthyer tashmë në goditje direkt ndaj familjes së tij. Vetëm dy ditë më parë biznesi i familjes Tahiri është shkatëruar plotësisht nga një shpërthim i fuqishëm, ndërkohë që shumë pranë vendit ku Bashkim Tahiri, babai i Saimir Tahirit, parkonte automjetin e tij është vendosur një sasi tjetër tritoli që fatmirësisht nuk ka shpërthyer.

Islamikët ekstremistë
Fakti që gjatë kohës së drejtimit të ministrisë së Brendshme nga Tahiri janë arrestuar mbi 10 islamikë ekstremistë për rekrutimin e Shqiptarëve dhe dërgimin e tyre në luftimet siriane, për prokurorinë dhe SHISH ekziston një mundësi se ngjarja ka lidhje me këtë pistë. Burimet shtojnë se shumë nga anëtarët e celulës xhihadiste në Tiranë, kanë mjaft njohuri për montimin dhe aktivizimin e eksplozivëve.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)