Ka zgjatur plot 11 vite hetimi për disa pasuri në Vlorë, që rezultojnë në pronësi të babait të Artur Shehut dhe dy familjarëve të tjerë. Procedimi është regjistruar në vitin 2015. Ndërsa këtë të premte, Prokuroria bëri të ditur se, me vendim gjykate, janë konfiskuar 9 pasuri të paluajtshme, në zonën e Ujit të Ftohtë, me vlerë totale prej 16 milionë eurosh.
Pas skemës së tjetërsimit gjendet një emër i njohur i drejtësisë, Pëllumb Petritaj, i dënuar më herët për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash. Ai është përfaqësuesi ligjor i shumë transaksioneve të kryera nga biznesmeni Artur Shehu, i cili prej vitesh jeton në SHBA. Emri i këtij të fundit rezulton si pronari i sipërfaqeve më të mëdha të tokës edhe në Zvërnec, në zonën ku planifikohet realizimi i projektit të resortit turistik të shumëpërfolur. Ndaj Shehut ka edhe një urdhër arresti të lëshuar nga SPAK-u, në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash.
Pasuritë e paluajtshme që u konfiskuan te Uji i Ftohtë kanë një histori të gjatë që daton në vitin 2009, kur Petritaj regjistroi 32 mijë metra katrorë tokë në hipotekë, pasi kishte falsifikuar një vendim gjykate. Më pas, e kaloi pronën në emër të Ramiz Shehut, babait të Arturit, dhe dy familjarëve, Kutbi dhe Merjeme Shehu. Sipas Prokurorisë, pas regjistrimit fillestar, prona ishte ndarë dhe tjetërsuar përmes një serie veprimesh juridike, derisa kaloi në emër të tre anëtarëve të familjes Shehu, me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të pasurive.
Pëllumb Petritaj është përballur disa herë me drejtësinë. Në prill të vitit 2018, Gjykata e Vlorës e dënoi me 3 vite burgim për falsifikimin e dokumenteve me qëllim tjetërsimin e një sipërfaqeje toke në zonën e Zvërnecit, por më pas Apeli e rrëzoi dënimin.
Ndërsa për çështjen e tokës te “Uji i Ftohtë”, Petritaj në vitin 2020 u dënua me 5 vite e 4 muaj burgim për falsifikimin e dokumenteve dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento