Nga veprimet proceduriale, rezulton se kjo shtetase u ka marrë rreth 24.500 euro familjarëve të një personi në paraburgim, për të ndërhyrë te gjyqtari i çështjes, me qëllim zbutjen e dënimit të të akuzuarit.
Fillimisht, Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të informacionit të ardhur nga Policia e Tiranës, nisi verifikimet për elementët e mundshëm të veprës penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarit...”. Por, në vijim, rezultoi se shtetasja A.Leka, nëpërmjet mashtrimit, u ka marrë shumën e sipërpërmendur familjarëve dhe nuk ka zhvilluar asnjë kontakt me funksionarët e drejtësisë.
Pasi kanë konstatuar që janë mashtruar, familjarët e personit të paraburgosur kanë kontaktuar me shtetasen A.Leka dhe i kanë kërkuar kthimin e shumës së parave që i kishin dhënë. Pas diskutimit ndërmjet këtyre dy palëve, shtetasja A. Leka ka bërë kallëzim në Polici pasi, sipas saj, është kanosur nga familjarët e të paraburgosurit.
Por, nga veprimet hetimore, rezultoi se nuk ka pasur kanosje ndaj shtetases A. Leka dhe, për më tepër, është zbuluar edhe fakti që ajo ka marrë shumën 24.500 euro për të ndërhyrë të gjyqtari i çështjes së familjarit të tyre, gjë që të cilën as e ka realizuar dhe as nuk kishte mundësi reale ta realizonte.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda, në vijim të hetimit, urdhëroi ndalimin e shtetases A. Leka, për veprat penale të “Kallëzimit të rremë” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm...”.
Në vijim të veprimeve proceduriale, do të vlerësohet mbi çështjen e kompetencës lëndore për të caktuar se cila prokurori do të ndjekë hetimin e mëtejshëm të çështjes.
Fillimisht, procedimi penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetases A. Leka me arsim juridik. Nga hetimet e kryera rezulton se vetë kallëzuesja ka konsumuar veprën penale “Kallëzimi i rremë, parashikuar nga neni 305 i K.Penal dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike ”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Më konkretisht në kallëzimin e bërë shtetasja A. Leka ka deklaruar se shtetasi Z.GJ, i cili është vëllai i një personi të arrestuar për vepra penale në fushën e narkotikëve të quajtur, ka ushtuar dhunë ndaj saj dhe prindërve të saj, me qëllim që t’i paguanin një shumë prej 24.500 eurosh. Shtetasja A. Leka ka kallëzuar se ka njohur shtetasin Z.GJ dhe motrën e tij, pasi ia kishte prezantuar një person femër e quajtur S..., e cila ushtron aktivitet si estetiste në Tiranë. Kallëzuesja njeh shtetasen S... prej 5 vitesh, për shkak se ishte kliente e qendrës estetike të saj.
Sipas kallëzimit shtetasja S.... ishte person i afërm me shtetasin Z.GJ. Takimi me këto të fundit është organizuar me qëllim që kallëzuesja të shikonte mundësinë për t’i ndihmuar në lidhje me vëllanë e tyre të arrestuar. A. Leka ka kallëzuar se shtetasja S... i ka thënë që do të bisedonte me një gjyqtare që ishte kliente e qendrës së saj estetike. Por sipas kallëzueses shtetasja S... nuk ka dashur të paraqitej tek i afërmi i saj Z.GJ si personi që do të bisedonte me gjyqtaren. Për këtë arsye S..., sipas kallëzueses, i ka kërkuar kësaj të fundit që të paraqitej tek Z.GJ, sikur ishte ajo personi që do të ndikonte tek gjyqtarja me qëllim për të ndihmuar personin e arrestuar.
A. Leka ka kallëzuar gjithashtu se S... ka biseduar me gjyqtaren dhe në vijim i ka thënë kallëzueses që për të mundësuar ndihmën e kërkuar, duhet të paguhej shuma 24.500 euro ne favor te gjyqtares. Shtetasja A. Leka i ka thënë familjarëve GJ... se duhet të paguanin shumën e mësipërme. Sipas kallëzueses pasi shtetasi Z.GJ. ka pranuar e në datë 10 ose 11 gusht, i kanë dorëzuar shtetases A. Leka shumën 24.500 euro. Sipas kallëzimit pasi ka marrë shumën e parave, shtetasja A. Leka e ka dorëzuar këtë shumë tek shtetasja S.... Në vijim, sipas kallëzueses, shtetasja S... ia ka dhënë këtë shumë gjyqtares së njohur prej saj.
Në këto kushte është autorizuar kryerja e veprimeve të posaçme hetimore. Nga ky veprim provohet se shtetasja Amarilda ka gënjyer lidhur me rrethanat e kallëzuara prej saj. Rezulton se personi që ka marrë paratë ka qenë vetë kallëzuesja A. Leka. Rezulton se kjo e fundit nuk i ka dorëzuar paratë tek shtetasja S..., e cila provohet se nuk ka marrë asnjë pjesë nga sasia e parave. Gjithashtu rezulton se shtetasja S... nuk ka marrë përsipër të ndërhyjë tek ndonjë person me funksion gjyqtar.
Nga tërësia e veprimeve hetimore krijohet dyshimi se shuma e parave prej 24.500 është marrë nga vetë kallëzuesja A. Leka, nëpërmjet premtimit tek shtetasi Z.GJ, se do të ndikonte pranë gjykatës, për të ndihmuar familjarin e tyre të arrestuar. Në këto kushte krijohet dyshimi se kjo shtetase ka konsumuar veprën penale “Kallëzimi i rremë, parashikuar nga neni 305 i K.Penal dhe veprën penale “ Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike ”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Redaksia Online
(e.q/f.s/shqiptarja.com)