Prokuroria kërkon rikthimin e çështjes ndaj ish-Presidentit Trump për dokumentet e klasifikuara

Prokuroria kërkon rikthimin e çështjes ndaj ish-Presidentit Trump për dokumentet e klasifikuara

UASHINGTON - Prokurori i posaçëm Jack Smith i kërkoi të hënën një gjykate federale të apelit të rikthejë çështjen penale që akuzon ish-Presidentin Donald Trump për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, pasi një gjykatë më e ulët e rrëzoi këtë padi në korrik.

Në kërkesën e paraqitur në gjykatë, prokurori Smith dhe ekipi i tij i kërkojnë Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara me seli në Atlanta, që ka juridiksionin për Qarkun e 11-të, të anulojë vendimin e 15 korrikut të dhënë nga gjyqtarja Aileen Cannon, ku ajo arriti në përfundimin se prokurori Smith ishte emëruar në mënyrë të paligjshme dhe se nuk kishte autoritetin ligjor për ngritjen e padisë.

“Kongresi i ka dhënë Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu si drejtuesve të shumë departamenteve të ekzekutivit, autoritet të gjerë për të strukturuar agjencinë që ai drejton për të ushtruar përgjegjësitë e vendosura mbi të me ligj”, shkruhet në kërkesën e prokurorisë.

"Pikëpamja e kundërt e gjykatës së rrethit bie ndesh me një kurs ndryshe të pandërprerë vendimesh, përfshirë nga Gjykata e Lartë, se Prokurori i Përgjithshëm e ka një autoritet të tillë dhe është në kundërshtim me praktikat e gjera dhe të hershme të emërimeve në Departamentin e Drejtësisë dhe në të gjithë qeverinë".

Departamenti i Drejtësisë ishte shprehur më parë se kishte në plan ta apelonte vendimin e gjykatëses.

Në kërkesën e së hënës, zyra e prokurorit Smith i kërkoi gjithashtu gjykatës së apelit të caktojë një datë për paraqitjen e argumenteve verbale.

Gjykatësja Cannon, e emëruar në këtë detyrë nga ish-Presidenti Trump, ishte shprehur se vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland për të emëruar prokurorin e posaçëm Smith në vitin 2022 shkelte Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Ajo gjithashtu vendosi se buxheti i zyrës së tij, që financohet nga një fond i pacaktuar, ishte i paligjshëm.

Avokatët e ish-Presidentit Trump patën kundërshtuar më parë autoritetin ligjor për emërimin e prokurorit Smith, duke argumentuar se zyra e prokurorit Smith nuk ishte krijuar nga Kongresi dhe ai nuk ishte konfirmuar nga Senati si prokuror i posaçëm.

Ekipi elektoral i ish-Presidentit Trump tha të hënën se gjykata duhet ta refuzojë kërkesën e prokurorit Smith dhe se duhet të pushohen çështjet e tjera me të cilat përballet ish-presidenti.

Vendimi i gjykatëses Cannon është përballur me kritika të ashpra, ndërsa shumë juristë thonë se bie ndesh me vendimet e mëparshme gjyqësore, që mbështesin ligjshmërinë e rregullave tek të cilat Departamenti i Drejtësisë është mbështetur prej vitesh për emërimin e prokurorëve të posaçëm.

"Prokurori i Përgjithshëm emëroi në mënyrë të vlefshme Prokurorin e Posaçëm, i cili gjithashtu financohet siç duhet", shkruajti zyra e prokurorit Smith, duke shtuar se gjykatësja Cannon "kishte devijuar nga precedenti detyrues i Gjykatës së Lartë" dhe se gjithashtu kishte "keqinterpretuar statutet që autorizonin emërimin e Prokurorit të Posaçëm".

Vendimi i gjykatëses Cannon për ta pushuar çështjen shënoi një fitore ligjore për ish-Presidentin Trump dhe erdhi jo shumë kohë pasi Gjykata e Lartë vendosi se ai kishte imunitet të gjerë nga ndjekja penale për veprimet zyrtare të ndërmarra gjatë kohës që ishte në detyrë.

Ky vendim i Gjykatës së Lartë ka çuar në vonesa të mëdha në çështjen e dytë penale të prokurorit Smith ndaj ish-Presidentit Trump, në të cilën ish-presidenti po përballet me akuza për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Prokurori Smith përballet me një afat deri të premten për t'i paraqitur gjykatës se si dëshiron të vazhdojë, në dritën e vendimit të Gjykatës së Lartë.

Ish-Presidenti Trump, i cili kandidon në zgjedhjet presidenciale përballë Nënpresidentes Kamala Harris, u gjend fajtor në maj për akuzat e ngritura nga shteti i Nju Jorkut, që përfshinin pagesat për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, për të shmangur një skandal seksual përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Dhënia e dënimit është shtyrë pas vendimit të Gjykatës së Lartë për imunitetin presidencial.

Në çështjen e dokumenteve të klasifikuara, ish-Presidenti Trump u padit me akuzat se mbante me dashje dokumente të sigurisë kombëtare në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida, pas largimit nga detyra në vitin 2021 dhe se pengoi përpjekjet e qeverisë për t’i marrë këto materiale./ VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Eni: 27/08/2024 12:35

    Lobet e armeve ne amerike po bejne cte jete e mundur qe Trump mos ti fitoje zgjedhjet presidenciale sepse industrine e armeve e le pa pune dhe ata barbar nuk mund te jetojne ndryshe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë