TIRANE - Pafajësia e kreut të bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika përfundon në Gjykatën e Lartë, ku Prokuroria e Apelit kërkon dënimin e Gjikës.

Sipas kërkesës së Prokurorisë depozituar në Gjykatën e Lartë gjatë 2 shkallëve të gjykimit, gjykata ka refuzuar padrejtësisht provat e akuzës duke i dhënë pafajësi Gjikës.

Në rekursin e depozituar në Gjykatën e Lartë prokuroria shprehet se pafajësia e dhënë ndaj Gjikës është tërësisht e pabazuar, me shkelje, si dhe me zbatim të gabuar të ligjit material penal.

Shpëtim Gjika u vu nën akuzë një vit më parë për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim me Eleni Dardhën vartësen e tij, pasi sipas hetimeve Gjika kishte dhënë leje ndërtimi fiktive për një objekt në lagjen "Tre Racat" dhe për një pallat të ndërtuar tek porti në Vlorë.

Një muaj më parë ishte Gjykata e Apelit e cila rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për rikthim të dosjes Gjika për rigjykim me një tjetër trupë gjyqësorë, pasi në Gjykatën Penale gjyqtari Arben Micko e shpalli të pafajshëm Gjikën.

Në fund të rekursit Prokuroria e Apelit shprehet se i qëndron pretendimit se shtetasit Gjika dhe Dardhaj kanë konsumuar elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve zyrtarë” dhe për këtë duhen shpallur fajtorë.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)