Prokuroria: Shkeljet nisën
që me OK e Berishës

Prokuroria: Shkeljet nisën<br />që me OK e Berishës
TIRANE- Për ndërtimin e pallatit në Vlorë në pronësi të vjehrrit të kreut të opozitës shqiptare Lulzim Basha, duket se janë shkelur me të dyja këmbët të gjitha nenet e ligjit të urbanistikës si dhe rregulloret e tjera që përcaktojnë qartë normat se ku duhet të ndërtohet në zonat turistike. Sipas burimeve të prokurorisë së Vlorës, e cila për këtë rast ka marrë të pandehur dhe ka dërguar në gjykatë dosjen për shefin e urbanistikës në bashkinë e Vlorës, shtetasin Odhise Zoto, zinxhiri i shkeljeve të procedurave ligjore ka filluar nga Tirana dhe më pas, firma e fundit është hedhur në bashkinë e Vlorës.

Duke ju referur gjithmonë burimeve pranë organit të akuzës, dokumentacioni për këtë objekt është miratuar në një mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit në Republikës e Shqipërisë, mbledhje që është drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Pikërisht në këtë mbledhje, mësohet se është bërë një plan urbanistik, kjo për shkak se zona ku është ndërtuar pallati që në Vlorë njihet si pallati i Lulzim Bashës, është zonë turistike dhe eksluzivitetin e studimit të planit dhe procedurave të tjera e ka vetëm Këshillit të Rregullimit të Territorit në Republikës e Shqipërisë. Sipas akuzës së Vlorës një gjë e tillë qartësohet më së miri në nenin 70 të ligjit për “Urbanistikës”, ku dhe sqarohet mënyra e miratimit të sheshit të ndërtimit dhe lejës së ndërtimit në zonat turistike, siç konsiderohet dhe bregdeti i Vlorës.

Pozicioni i komitetit
Pas mbledhjes së Këshillit të Rregullimit të Territorit në Republikës e Shqipërisë, zinxhiri i shkeljeve për ndërtimin e pallatit disa katësh ka vijuar në Komitetin e Zhvillimit të Turizmit. Ashtu si dhe në mbledhjen e KRRTRSH-së, sërisht sipas akuzës këta drejtues kanë mbyllur sytë duke firmosur dokumentat,duke i hapur kështu dritën jeshile procesit, për të hyrë në një hallkë tjetër të tij. Duke ju referuar prokurorisë, çështja në fjalë për ndërtimin e pallatit nuk duhej të ndërtohej, pasi mbinte ndesh me planin e zhvillimit turistik. Por jo vetëm kaq, pasi në këto raste ekziston kufiri gjeografik i shtrirjes së objektit, kufi ky që është miratuar nga organet përkatëse. Kriteret, që ndiqen për ndërtimet brenda këtyre kufijve, përcaktohen me ligj dhe janë të qarta.

Angjesia e mjedisit
Në vallen e shkeljeve ligjore ka hyrë dhe një hallkë e rëndësishme e shtetit, që në rastet e ndërtimit në zonat turistike, e ka për detyrë të hedhë firmën për miratimin ose jo të projektit. Një burim i prokurorisë i tha gazetës Shqiptarja.com se në nenin 70 të ligjit për “Urbanistikën” lejet për ndërtimet në zonat turistike bregdetare, liqenore dhe kontinentale miratohen nga KRRTRSH. Procedura e plotësimit dhe dorëzimit të dokumentacionit bëhet në seksionin e urbanistikës së rrethit përkatës, që në këtë rast ka qënë bashkia e Vlorës.

Dorëzimi i dokumentacionit në drejtorinë e urbanistikës, kryhet vetëm pasi të jetë marrë më parë vendimi i Komitetit të Turizmit dhe i Agjencisë Kombëtare së Mjedisit, dokumentacion i cili ka shumë gjasa të jetë firmosur, duke bërë që çështja të arrijë deri në dyert e bashkisë së Vlorës, ku me vendimin nr.5 të datës 17 gusht 2010 është miratuar sheshi i ndërtimit për objekt banimi dhe shërbimi 1-3-4-kate + Papafingo në Lagjen “Uji i Ftohtë” në perëndim të rrugës “Aleksandër Mojsiu” me pronarë trualli Xhuvi Serxhi e Xhafer Isufi, ky i fundit vjehrri i kryetarit aktual të bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, njëherësh dhe kryetari i opozitës shqiptare.

Shkrimi u publikua sot (1.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Shifra rekord/ Gushti i nxehtë ‘dogji’ 27.7 mln euro për të blerë energji, KESH importoi 210 mijë megavat

Shifra rekord/ Gushti i nxehtë ‘dogji’ 27.7 mln euro për të blerë energji, KESH importoi 210 mijë megavat