Promovimi/ Sadri Fetiu: Pengu i 
Stipqeviçit që nuk erdhi në Tiranë

Promovimi/ Sadri Fetiu: Pengu i <br />Stipqeviçit që nuk erdhi në Tiranë
TIRANE- Vepra e fundit ishte dhe “pengu” që nuk e promovoi dot në Tiranë. “Kultura tradicionale e Arbëreshëve të Zarës” e studiuesit dhe arkeologut arbëresh Aleksandër Stipqeviçi ishte vepra e fundit. Ai ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare më 1 shtator 2015. Kultura e Arbëreshëve të Zarës” ishte libri që kishte ëndërruar gjithë jetën, që e kishte grumbulluar për vite me radhë në dosjet e tij, të cilin ia doli ta botonte para se të mbyllte sytë, por nuk ia doli dot ta promovonte edhe në Tiranë.  

Aleksandër Stipqeviçi u lind në Arbënesh të Zarës. Lindi dhe u rrit me vetëdijen se ishte shqiptar i Kroacisë dhe vetë mbeti një përfaqësues autentik i traditës. Monografia e tij “Kultura e Arbëreshve të Zarës” është një nga veprat e tij më të fundit e shkruar në gjuhën kroate dhe e përkthyer edhe në gjuhën shqipe nga Sadri Fetiu. “Kultura tradicionale e Arbëreshëve të Zarës” e Aleksandër Stipqeviçi e përkthyer nga kroatishtja në shqip u promovua dje në akademinë e shkenvace në Tiranë në bashkëpunim me institutet e antropologjisë Shqipëri-Kosovë.

Përkthyesi i këtij libri Sadri Fetiu i pranishëm në promovim, rrëfen rëndësinë e dyfishtë të këtij botimi për kulturën kroate dhe iliro-arbëreshe. Vetë studiuesi i njohur kroat Radosllav Katiqiç në parathënien e këtij libri është shprehur se “zë një vend të veçantë në bibliografinë e popujve sllavë”. Ai shkruan se “Lexuesi duhet te jetë i vetëdijshëm se ka marrë në dorë një libër krejtësisht të rrallë. Aleksandër Stipqeviqi dhe “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës” e tij zënë në bibliografinë tonë një vend krejtësisht të veçantë.

Autori, arkeolog sipas studimeve dhe arsimimit, është dëshmuar shumëfish në bibliografinë ilire, vepër e mrekullueshme fundamentale dhe me veprat si për iliret e lashtë si edhe për disa tema të rëndësishme lidhur me ta” Ndërkohë Sadri Fetiu rrëfen vlerat e librit dhe origjinë e arbëreshëve të Zarës.
 
Profesor Fetiu, cila është rëndësia
e librit “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës” e Stipqeviqit, që ju morët mundin ta përktheni?
 
-Është një libër i veçantë i studimeve antropologjike. Ai nuk lë asnjë segment të kulturës tradicionale pa trajtuar, sepse ishte një shkencëtar me përvojë që punoi në akademinë kroate. Ka qenë edhe bibliograf dhe ka një kulturë shumë të gjerë të njohurive të përgjithshme, sidomos të shkencave shoqërore të historisë dhe arkeologjisë profesionale. Ka mbledhur materiale nga brezat arbëreshe, nga plakat e pleqtë, që i kanë ruajtur ato, sado kanë qenë mbi treqind vjet të shkëputur nga trevat shqiptare.

Rëndësia e kësaj monografie është e shumëfishtë. Ka rëndësi për kulturës arbëreshe, si rrjedhojë edhe atë ilire dhe për kulturën kroate. Vetë studiuesi i njohur Radosllav Katiqiç është shprehur se libri i tij është vepër shkencore për fenomenin e rrallë e të mrekullueshme arbëneshëve të Zares, kësaj bashkësie etnike të ngulitur në Kroaci që plot tre shekuj ruajti veçantinë e në mënyrë shumë të spikatur. Libri ka vlera se ka shumë thënie dhe tekste në gjuhën e arbëreshëve që për autorin ka qenë gjuhë amtare, një nëndialekt geg (verior) i gjuhës shqipe.

Me një vërtetësi të madhe shkencore Stipqeviçi ka ngulitur tashmë në kujtesën e trashëgimisë kulturën tradicionale të arbëneshëve të Zarës. Kurdoherë të ngrohtë dhe të gjallë. Monografia merr rëndësi sepse arbëreshët e Zarës kanë jetuar në një simbiozë kulturore, ata kanë ruajtur  vazhdimësinë e traditës etnike shqiptare, në simbiozë me kulturën kroate. “Pa këtë libër bibliografia kroate do të ishte fort e varfër”, shkruan akademiku kroat Radosllav Katiqiç.   
 
A ka një lidhje varësie origjina e Aleksandar Stipqeviçi me zbulimet shkencore në këtë monografi dhe veprat e tjera të tij?
 
-Aleksandar Stipqeviçi është arbnesh i Zarës. Të gjithë arbëneshët e Zarës janë shqiptarë katolikë të ngulitur atje në fillimet e shekullit tetëmbëdhjetë nga fshatrat që shtrihen ndërmjet Liqenit të të Shkodrës dhe detit. Ata janë larguar së andejmi për t'iu shmangur pushtuesit turk. U vendosën atje me mbështetjen e Austrisë dhe me ndihmën e kryepeshkopit Vinko Zmaievig themeluan vendbanimin e emigrantëve mu pranë Zarës, dhe e kanë siç quheshin edhe ata vetë Arbënesh.

Arbëneshët e Zarës janë etnikisht shqiptarë, por krahas kulturës së tyre tradicionale ata janë përfshirë edhe në kulturën kroate dhe i kanë dhënë asaj ndihmesa të rëndësishme. Interesant është se ata dinë tre gjuhë, arbënisht, kroatisht dhe shumica përdorin dhe italishten. Është një pjesë e madhe popullsisë trilinguale.

Ashtu siç e vlerëson edhe Radosllav Katiqiç me këto fjalë: “Ky libër është përmendore e një trashëgimie tradicionale shumë specifike të arbëneshëve të Zarës. Me këtë libër kompensohet një mungesë e madhe e shkencës sonë të deritashme. Pa të kemi ditur fare pak për vetveten”. Pra këtu shihet rëndësia shkencore, edhe pse i dedikohet origjinës. 
Libri ka rëndësi akoma më të madhe se arbëreshët po asimilohen me vendasit dhe ky libër është vërtetë një monument për këtë kulturë.
 
A ka pasur Stipqeviçi përplasje me historiografinë serbe për shkak të studimit të kulturës arbëreshe, dukuri që ka ndodhur kjo me autorë të tjerë?
 
-Jo ai ka qenë i matur me metodologji shkencore. Është ilirologu më i mirë që ka pasur Jugosllavia. Ka punuar në Zagreb dhe i përket kulturës sllave. Edhe në akademinë e Zagrebit vlerësohet shumë lart. Megjithatë ai e kishte ëndërr këtë libër dedikuar arbëreshëve. Qe fat që ia arriti sa ishte gjallë. Kur ishte gjallë e ishte sëmurë në spital, ne e vizituam dhe po prisnin që ai të vinte në Tiranë për promovimin e librit. E kishim shtyrë promovimin në pritje të shërimit të tij, dhe ai mezi priste të vinte, por nuk arriti....
Aleksandër Stipqeviçi

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Scholz: Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të merren si të mirëqena

Scholz: Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të merren si të mirëqena