Pronarët, dy javë afat për
kompensim, hyn në fuqi Vendimi

Pronarët, dy javë afat për<br />kompensim, hyn në fuqi Vendimi
Dy javët e ardhshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës mund të regjistrojë kërkesa të ish-pronarëve, prona e të cilëve është njohur me vendim të formës së prerë, për kompensimin në të holla nga buxheti i shtetit 
 
Si do të shpërndahet fondi buxhetor, i caktuar për kompensimin e ish-pronarëve për këtë vit? Qeveria në ikje është kujtuar, një muaj para se të lejë stafetën, të përcaktojë rregullat, të cilat janë të ngjashme me ato, të vitit të kaluar.

Me një Vendim të datës 17 korrik, i cili ka hyrë në fuqi ditën e premte, më datë 2 gusht, kur është botuar në Fletoren Zyrtare të radhës, qeveria ka vendosur që subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur për kompensim, do të kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit vetëm nëse përmbushen disa kritere.

Në këto kritere përfshihen ai që vendimi, që ka përcaktuar kompensimin e pronës, është përfundimtar; vendimi, që ka përcaktuar kompensimin e pronës, është i ekzekutueshëm; vendimi, për të cilin aplikohet, nuk është trajtuar asnjëherë me kompensim. Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi, do të merren numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone.
 
SASIA E KOMPENSIMIT

Kompensimi, sipas këtij vendimi, do të bëhet për pronën truall, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës, të miratuar sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Masa e kompensimit do të jetë sipas skemës së mëposhtme: Për pronat e njohura për kompensim deri në 1.500 m², do të jetë për një vlerë që mbulon deri në 200 m²; për pronat 1.500-3.000 m², masa e kompensimit do të jetë për 300 m²; për pronat 3.000-5.000 m², do të jetë për 400 m²; për pronat 5.000-10.000 m², do të jetë 500 m² dhe për pronat e njohura për kompensim mbi 10.000 m², masa e kompensimit do të jetë 600 m².

Subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006, 2007, 2008, 2009, 2011 dhe 2012 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2013.

DOKUMENTACIONI

Subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë pranë AKKP-së kërkesën për kompensim në të holla, deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera që lidhen me to, titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që, sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës, në rastet kur vendimet e sipërpërmendura janë ndryshuar në rrugë gjyqësore; planvendosjen përkatëse bashkëlidhur vendimit, si dhe planin e rilevimit aktual të pronës së njohur për kompensim; dëshminë e trashëgimisë.

Po kështu, nëse disponon, duhet të paraqesë prokurë të posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm apo disa prej tyre, ku të jetë e përcaktuar tagri për të tërhequr shumën e parave për pjesët takuese, në rast se shpallen fitues. Dokuemnta të tjera janë vendimet e KKP-së/ZRAKKP-së ku janë përcaktuar pjesët takuese të secilit bashkëpronar, në rastet kur aplikimi kryhet nga një pjesë e trashëgimtarëve përfitues; çdo akt tjetër gjyqësor apo administrativ, me anë të të cilit provohet pjesa takuese e secilit bashkëpronar; dokumenti i identifikimit (letërnjoftim apo pasaportë) të përfaqësuesit të pajisur me prokurë dhe mandatpagesa.

Subjektet, që kanë aplikuar për kompensimin në të holla, në vitet 2008, 2009, 2011 dhe 2012 duhet të paraqesin kërkesën për kompensim financiar, deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera që lidhen me to, dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil dhe prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitet 2008, 2009, 2011 apo 2012 ka kufizimin në kohë për tagrin e tërheqjes së shumës në të holla.
 
AFATET

Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon për 15 ditë. Pra, dita e fundit e pranimit duhet të jetë data 18 gusht 2013.

Kushtet për të përfituar kompensim në vitin 2013
 
  • Subjektet e shpronësuara do të kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit
  • Vendimi, që ka përcaktuar kompensimin e pronës, duhet të jetë  përfundimtar, i ekzekutueshëm dhe nuk është trajtuar asnjëherë me kompensim
  • Subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006-2012 nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 20
  • Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon për 15 ditë
  • Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit në të holla dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale
  • Masa e kompensimit
  • Për pronat e njohura për kompensim deri në 1.500 m², do të jetë për një vlerë që mbulon deri në 200 m²
  • Për pronat 1.500-3.000 m², masa e kompensimit do të jetë për 300 m²
  • Për pronat 3.000-5.000 m², do të jetë për 400 m²
  • Për pronat 5.000-10.000 m², do të jetë 500 m²
  • Për pronat e njohura për kompensim mbi 10.000 m², masa e kompensimit do të jetë 600 m²
  • Dokumentat që kërkohen
  • Kërkesën për kompensim në të holla
  • Deklaratë për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera që lidhen me to
  • Titulli për njohjen dhe kompensimin e pronës (vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës, në rastet kur vendimet e sipërpërmendura janë ndryshuar në rrugë gjyqësore)
  • Planvendosja përkatëse bashkëlidhur vendimit
  • Plani i rilevimit aktual të pronës së njohur për kompensim
  • Dëshmia e trashëgimisë
  • Prokurë e posaçme, e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm apo disa prej tyre, ku të jetë e përcaktuar tagri për të tërhequr shumën e parave për pjesët takuese, në rast se shpallen fitues
  • Vendime të KKP-së/ZRAKKP-së ku janë përcaktuar pjesët takuese të secilit bashkëpronar, në rastet kur aplikimi kryhet nga një pjesë e trashëgimtarëve përfitues
  • Çdo akt tjetër gjyqësor apo administrativ, me anë të të cilit provohet pjesa takuese e secilit bashkëpronar
  • Dokumenti i identifikimit (letërnjoftim apo pasaportë) i përfaqësuesit të pajisur me prokurë
  • Mandatpagesa

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.04.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN