Pronat, kompensimi rinis ditën e
premte, ja dokumentet që duhen

Pronat, kompensimi rinis ditën e<br />premte, ja dokumentet që duhen
Agjencia e kthimit dhe Kompensimit të Pronës ka njoftuar se, në mbështetje të VKM nr. 768, datë 07.11.2012 "Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, pronarëve, në të holla, për vitin 2012" Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (në vijim AKKP) filloi procesi i pranimit dhe të regjistrimit të kërkesave për kompensimin në të holla, nga fondi në të holla për vitin 2012, për subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është njohur për kompensim.

Me këtë rast, AKKP fton të gjithë subjektet e shpronësuar apo trashëgimtarët e tyre të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim dhe dokumentacionit shoqërues.

Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë, ditën e premte më datë 30.11.2012 dhe do të zgjasë 30 ditë kalendarike. Të gjithë subjektet e interesuara mund të paraqiten pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nga e hëna në të premte, nga ora 09.00 – 16.30, në adresën Rruga "Muhamet Gjollesha", pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Nr. 54, Tiranë.

Vlera e kompensimit për metër katror do të jetë e bazuar në VKM-të përkatëse që do të miratohen për hartën e re të vlerës për Republikën e Shqipërisë.

Bazuar në rregullat dhe kriteret, për shpërndarjen e fondit të kompensimit për vitin 2012, të miratuara me VKM nr. 768, datë 07.11.2012, përfitojnë kompensim, subjektet e shpronësuara që disponojnë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm për kompensimin e pronës, referuar radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit me të cilin aplikohet.

Nga fondi i vitit 2012 nuk përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, të cilët janë trajtuar më parë me kompensim për vendimin me të cilin aplikojnë.

Kompensimi bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet.

Masa e kompensimit
Masa e kompensimit është sipas skemës së mëposhtme:
a) Për pronat e njohura për kompensim deri në 1 500 (njëmijë e pesëqind) m2, masa e kompensimit është 200 (dyqind) m2.
b) Për pronat e njohura për kompensim mbi 1 500 (njëmijë e pesëqind) m2 deri në 3 000 (tre mijë) m2, masa e kompensimit është 300 (treqind) m2.
c) Për pronat e njohura për kompensim mbi 3 000 (tre mijë) m2 deri 5 000 (pesë mijë) m2, masa e kompensimit është 400 (katërqind) m2.
d) Për pronat e njohura për kompensim mbi 5 000 (pesë mijë) m2 deri në 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit është 500 (pesëqind) m2.
e) Për pronat e njohura për kompensim mbi 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit është 600 (gjashtëqind) m2.
Aplikuesit apo përfaqësuesit me prokurë kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 000 (dymijë) lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë në të cilën në rast përfitimi do të depozitohet shuma që përfitohet.

Dokumentacioni
Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë dokumentacionin e mëposhtëm:
a) kërkesën për kompensim në të holla;
b) deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera që lidhen me to.
c) titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që, sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës, në rastet kur vendimet e sipërpërmendura janë ndryshuar në rrugë gjyqësore;
ç) planvendosjen përkatëse të vendimit, si edhe planin e rilevimit të pronës së njohur për kompensim në fragmentin e hartës treguese të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
d) dëshminë e trashëgimisë;
dh) nëse disponon, prokurë të posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, në ato raste kur pjesët takuese nuk janë të përcaktuara në vendimin e KKP-së/ZRAKKP-së;
e) vendimet e KKP-së/ZRAKKP-së ku janë përcaktuar pjesët takuese të secilit bashkëpronar.
ë) çdo akt tjetër gjyqësor apo administrativ me anë të të cilëve provohet pjesa takuese e secilit bashkëpronar.
f) dokumentin e identifikimit (letërnjoftim apo pasaportë) të përfaqësuesit të pajisur me prokurë;
g) mandatpagesën.

Subjektet
Subjektet që kanë aplikuar për kompensimin në të holla, në vitet 2008, 2009 dhe 2011, të cilat nuk janë pranuar nga AKKP-ja për pamjaftueshmëri fondi, kërkuesit duhet të pohojnë vullnetin e tyre, nëpërmjet një kërkese të re, për kompensimin, të shoqëruar me dokumentet e parashikuara më poshtë:
a) kërkesën për kompensim financiar, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera që lidhen me to, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c) dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil.
ç) Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitin 2008, 2009 apo 2011 ka kufizimin në kohë për tagrin e tërheqjes së shumës në të holla apo kur rrethi i trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar ka ndryshuar.


Në rast se aplikimi kryhet për vendime të tjera, të ndryshme nga ai me të cilin është aplikuar në vitet 2008, 2009 dhe 2011, subjektet duhet të plotësojnë dhe paraqesin pranë AKKP-së dokumentacionin e plotë (që përcaktohet më sipër) në përputhje me pikën 4 të VKM nr. 768, datë 7.11.2012.

Të gjithë aplikantët që paraqesin të dhëna të rreme apo fshehin të dhëna të nevojshme për procesin e kompensimit përjashtohen nga procesi i përzgjedhjes.

Subjektet e shpronësuar, të cilët kanë depozituar kërkesën e tyre për kompensim në vitet 2006, 2007, 2008, 2009 dhe 2011, dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2012.

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?