Ashtu si çdo javë eksperti Gjergj Begaj ka sqaruar problematikat që lidhen me pronat. Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të moderuar nga gazetarja Valbona Mhilli, eksperti Begaj ka sqaruar vendimin e fundit të qeverisë për bllokimin e përkohshëm të regjistrimit të pronave në gjithë bregdetin e vendit. Gjithashtu eksperti u është përgjigjur edhe pyetjeve të shumta të qytatarëve për problematikat e ndrsyhme me pronat.
Do të flasim për VKM-në e fundit që ka dalë për bllokimin e zonave të bregdetit. Kemi diçka të re për ta theksuar, se si do të procedohet?
Qeveria ndërmori një nismë dhe tani e ka konkretizuar në një VKM për bllokimin e tapive të tokave në zonën vijë-bregdetare, duke filluar që nga Shëngjini e deri në Sarandë. Bëhet fjalë për tokat bujqësore dhe fermat. E rëndësishme është të theksojmë që kjo VKM nuk do të bllokojë vazhdimin e pronave për pronarët e vjetër, të cilët kanë dosje në Komisionin e Kthimit të Pronave. Ish-pronarët duhet të jenë të qartë, ata të cilët kanë depozituar dosjet dhe kanë prona në bregdet, që dosjet e tyre do të vazhdojnë dhe kthimi i pronave do të vazhdojë procedurën e rregullt. Njerëzit janë keqkuptuar duke menduar se është bllokuar i gjithë bregdeti. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Edhe ministrja e Drejtësisë foli për mediat dhe e sqaroi këtë VKM. Pra, për pronarët e vjetër do të vazhdojë regjistrimi i pronave pranë bregdetit. VKM-ja do të bllokojë vetëm tokat bujqësore që janë shpërndarë me Ligjin nr. 7501.
Telefonoj nga Elbasani. Me Ligjin nr. 7512, në vitin 1992, kam blerë një dyqan. Kam punuar deri në vitin 1997 si person fizik, duke i paguar të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Pastaj nuk jam lejuar të futem në objekt, për arsyen se vjen një person tjetër dhe pretendon se e ka blerë ai. Kështu që unë u jam drejtuar gjykatave, 5 vjet rresht. Del vendimi i formës së prerë që unë jam pronarja. Kërkoj dëmshpërblim. Gjyqtari ma heq të drejtën e veprimeve juridike. Nuk di t’i jap drejtim kësaj çështjeje. Shkoj në Prokurori, ajo e mbyll çështjen. Shkoj në Policinë e Krimit Ekonomik, ajo ia kalon përsëri Prokurorisë. Nuk kam lënë institucion pa vajtur. Të gjitha dokumentet e blerjes, mandatin e privatizimit, i kam në rregull. Ndërsa trualli në vitin 1992, nuk shitej dhe unë lidha një kontratë me qira. E kam paguar kontratën e qirasë për 10 vjet dhe më thanë që pas 10 vjetësh prona është e jotja.
Zonja, si të gjithë punonjësit e ndërmarrjeve shtetërore që kanë punuar në ish-dyqanet shtetërore, i kanë marrë vetë këto dyqane, si aksionarë të përbashkët dhe pastaj kanë bërë përpjesëtimin e pasurisë. Zonja thotë që i ka blerë asetet e dyqanit, pra ka blerë çfarë ka pasur pajisje brenda dyqani, por jo ndërtesën. Dhe këto veprime i ka bërë më vonë. Ka mundësi që gjatë kësaj kohe, ka qenë dhe dikush tjetër i interesuar. Gjatë kësaj kohe ka vepruar edhe Komisioni i Kthimit të Pronave ku janë interesuar edhe pronarët e vjetër që t’u riktheheshin pronat. Dhe ka pasur një konfuzion ndërmjet institucioneve shtetërore, ndërmjet hipotekës dhe ndërmarrjeve që kanë bërë privatizimin sepse nuk ka pasur sistem në vitet 1991-1992. Dokumentet bëheshin me vërtetim pronësie dhe mbaheshin në dosje dhe jo në sistem në kompjuter. Pra, mosfunksionimi i sistemit ka bërë që, për të njëjtën pronë dalin dy pronarë. Ka vepruar Komisioni i Kthimit të Pronave dhe ndërmarrja që ka bërë privatizimin. Ndoshta tani zonja është në konflikt me një nga pronarët e vjetër. Ajo duhet të vazhdojë rrugën ligjore, por gjithmonë duhet të mbështetet nga një studio ligjore që ka tagrin për ta sqaruar këtë problem sepse ajo vetë ishte konfuze dhe duhet të gjejë se ku ka ngecur procedura.
Telefonoj nga Tirana. Kam një pronë, tokë bujqësore në Mullet, që e kam marrë me Ligjin nr. 7501 dhe mbivendoset me një pasuri tjetër. E kam me kartelë pasurie dhe tani nuk figuron në hartë. Fizikisht e përdor tokën. Ka dalë një pronar tjetër që ka certifikatë, por harta e tij nuk përputhet me terrenin. Hipoteka më ka sjellë përgjigje që duhet bërë azhurnimi, por njësitë administrative nuk kanë instrumente për ta bërë. Si ka mundësi që të ndodhin këto mbivendosjet? Si zgjidhet?
Këtu kemi të bëjmë me një çështje hartografike. Ju duhet të shkoni pranë qendrës administrative dhe duhet ta sqaroni atje me zyrën e menaxhimit të tokave, me topografët. Meqenëse njësitë administrative nuk kanë instrumente për të bërë matjen, atëherë ju duhet të drejtoheni në studio private, ku ka ekspertë topografë, të cilët bëjnë matje në terren duke saktësuar sipërfaqen e tokës dhe kështu shpejtohen të gjitha procedurat. Njësitë administrative do ta pranojnë këtë zgjidhje, përderisa e deklarojnë vetë që nuk kanë instrumente dhe kapacitete njerëzore për të bërë matjet e nevojshme. Kjo është zgjidhja juaj. Edhe mund të prisni sepse komunat po punojnë me azhurnimin e hartave.
Flas nga Voskopoja. Kam marrë një tokë me Ligjin nr. 7501. Kam bërë të gjitha letrat dhe topografi ka bërë një plan-rilevimi të ri dhe më thotë që duhet të gjej kufitarët, që të firmosin për të marrë unë tapinë. Ata nuk janë në Shqipëri. Ku t’i gjej unë?
Shumë mirë këtë çështje mund ta zgjidhë qendra administrative ku ju banoni, me kryeplakun që keni aty. Ju thatë që kufitarët tuaj ndodhen jashtë Shqipërisë dhe mund të kthehen pas një kohe shumë të gjatë ose nuk kthehen fare. Por kjo nuk do të thotë që ju duhet të lini pronën tuaj pa regjistruar. Kështu që pushteti vendor aty duhet të gjejë një zgjidhje. Kryeplaku në qendrën administrative ku banoni ju, duhet të bëjë një procesverbal që ju të merrni parcelën tuaj. Normalisht duhet edhe topografi që të bëjë planin e saktë në terren. Duhet të bëni edhe një deklaratë noteriale që ju po merrni pronën tuaj brenda kufijve tuaj. Kjo për të sqaruar që nuk po hyni në kufijtë e fqinjëve.
Telefonoj nga Durrësi. Ne jemi përjashtuar si familje nga pronat në Thumanë të Krujës. Shkojmë të kërkojmë pronat dhe na thonë që janë djegur dokumentet. Të gjithë i kanë marrë, vetëm mamaja dhe vëllai im nuk i kanë marrë. Mamaja ime ka qenë që në vitin 1959 në këtë fermë dhe ka punuar rregullisht deri në vitet 1991-1992. Tani është pensioniste dhe banon në Durrës. Si mund ta zgjidhim këtë problem?
Ky problem ka zgjidhje. Zonja ka qenë e regjistruar në gjendjen civile dhe atje nuk janë djegur dokumentet. Janë djegur dokumentet e komunës së Thumanës. Zonja duhet të marrë dokumentet para viteve 1991-1992, edhe ato që vërtetojnë se ka punuar në fermë. Me këto dokumente do të hapë një proces gjyqësor në drejtim të qendrës administrative Thumanë, që kjo qendër ta regjistrojë edhe një herë për aktin e marrjes së tokës në pronësi, të vazhdojë procedurën, për ta furnizuar me tokë sipas ligjit, si të gjithë banorët e tjerë. Duhet të vazhdojë rrugën ligjore, por duhet të mblidhni të gjitha dokumentet. Unë të ftoj zonjë që të vish në studion time dhe të flasim më nga afër për këtë çështje.
Flas nga Saranda. Jemi një familje e trajtuar me tokë sipas ligjit 7501. Prona ime ndodhet në vijën bregdetare. Dua të di a na prek neve ligji i ri i qeverisë që ka dalë këto ditë?
Ne akoma nuk e kemi në dorë këtë VKM, që të japin sqarime më të hollësishme. Shpresojmë që qeveria ta ketë studiuar mirë këtë situatë duke menduar që t’u japë një shpërblim këtyre pronarëve, pronat e të cilëve preken nga studimet strategjike. Duhet bërë një farë shpronësimi edhe pse këta nuk kanë marrë certifikata pronësie. Jemi në pritje të daljes së VKM-së në “Fletoren Zyrtare”, me të gjitha amendamentet dhe sqarimet që përmban.
Telefonoj nga Kavaja. Në vitin 1968 kemi blerë një tokë dhe e kemi pa tapi. Shkuam tek Arkivi i Shtetit dhe gjetëm dokumentet, por nuk na e regjistrojnë tokën. Një herë na thanë që duhet mandati. Ku kishte mandate në vitin 1968? Thonë që duhet të dalë edhe harta e qytetit të Kavajës, pastaj të regjistrohet toka. Toka është brenda qytetit të Kavajës dhe aty kemi ndërtuar shtëpi. Toka është blerë në Komitetin Ekzekutiv të atëhershëm, pra ia kemi blerë shtetit.
Atëherë ka pasur fatura për shitblerje tokash nga shteti. Ndoshta juve shteti jua ka dhënë tokën dhe nuk e keni blerë. Nëse është kështu, ju duhet ta blini këtë tokë. Ju duhet ta regjistroni godinën dhe normalisht, pranë Komisionit të Kthimit të Pronave mund të interesoheni për blerjen e truallit. Ose duhet të interesoheni te hipoteka e Kavajës që mund t’i nënshtrohet edhe ligjit 24/b për regjistrimin e trojeve që nuk kanë pasur as sipërfaqe, as kufi pronash. Në këto dy institucione duhet të interesoheni.
Flas nga Durrësi. Kam blerë një sipërfaqe toke me certifikatë pronësie, në vitin 2001. Kam bërë legalizimin. ALUIZN-i i Durrësit i ka dhënë edhe komshiut tim legalizimin me të njëjtën sipërfaqe toke. I jam drejtuar baskisë dhe policisë ndërtimore, por askush nuk më ka dhënë përgjigje. Si mund të zgjidhet ky problem?
Atëherë, zotëri, ju keni një mbivendosje prone të mirëmenduar. Këtë çështje e zgjidhin vetëm organet e drejtësisë, përderisa siç thoni ju, është një mbivendosje me dashje ose tjetërsim i pronës. Për sqarime më të detajuara, unë të ftoj të vish me të gjitha dokumentet që zotëron, pranë studios sime ligjore, përballë Hipotekës së Tiranës.
Kam qenë pronare e një shtëpie të katragjyshërve të mi. Banoj te rruga “Fortuzi”. Në vitin 1982 ndërtohet një pallat. Në plan, katet e para nuk kishin ballkone. U ndërtuan ballkonet pas viteve ’90. Ne shkuam në emigrim. Toka më është kthyer mua nga Agjencia e Kompensimit të Pronave. Fqinji im i katit të parë e zgjat ballkonin, më krijon një tarracë. Në vitin 2007, kryetari i njësisë bashkiake nr. 9, i dërgon letër policisë ndërtimore duke kërkuar prishjen. Por ndërtimi pa leje nuk prishet. Fqinji im punonte shofer në sektorin e antikontrabandës. Tani marr vesh që në vitin 2014 ky e ka dërguar ndërtimin për legalizim. Fillova korrespondencën me z. Artan Lame që në dhjetor të vitit 2015. Në Facebook-un e tij, Artan Lame thotë më 25 dhjetor 2016: “Ky ndërtim i shëmtuar duhet prishur, nuk është çështje legalizimi”. Pasi nuk po zgjidhja gjë me ALUIZNI-n, iu drejtova Avokatit të Popullit. Ai më ktheu përgjigje me një shkresë, ku shkruante se “unë nuk ka se çfarë të bëj”. Fqinji im ka ndërtuar duke shkelur dy kriteret bazë të legalizimit: bllokimi i hapësirave publike, sepse ka mbyllur rrugën në të cilën kalonin banorët, si dhe bllokimi i kolektorit të cilin nuk e pastrojmë dot prej 20 e ca vitesh. Si ka mundësi që të mos veprohet ligjërisht për këtë rast?
Me të gjitha këto probleme, zonja duhet t’i drejtohet një studioje ligjore sepse me sa kuptova, ajo ka humbur edhe besimin tek institucionet shtetërore. Krahas rrugës ligjore, duhet parë edhe rruga e ndërmjetësimit. Këtë mbështetje zonjës mund t’ia japë vetëm një studio ligjore që ka tagrin për ta bërë këtë. Ajo është e mirëpritur edhe në studion “Bylis”, ku së bashku me avokatin e studios duhet parë problemi me detaje. Jo të gjitha problemet apo detajet mund të sqarohen me telefonata në emision.
E theksoj edhe një herë për qytetarët që të bëjnë kujdes me pronat e tyre, të respektojnë kufijtë e këtyre pronave për të shmangur konfliktet ligjore dhe fizike ndërmjet fqinjëve. Të jenë korrekt dhe të mirëkuptojnë njëri-tjetrin.