Ishte një takim interesant me ambasadorët e Bashkimit Evropian në Tiranë. Kemi diskutuar për zhvillimet më të fundit politike, por edhe për ato të ardhshmet, për çështje që kanë të bëjnë me integrimin evropian, natyrisht edhe për të gjitha sfidat për të pasur një proces zgjedhor maksimalisht transparent dhe të pranueshëm nga të gjithë. Natyrisht që ka qenë një bisedë mjaft interaktive, edhe me pyetje-përgjigje për çështje të ndryshme politike, ekonomike. Angazhimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është shprehur në mënyrë të qartë. Prioritet kryesor mbetet avancimi i integrimit evropian, përpara zgjedhjeve por edhe pas tyre dhe njëkohësisht një proces maksimalisht transparent dhe i ndershëm zgjedhor, si një kontribut tjetër për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian por edhe hapjen e ardhshme të negociatave.
Ju thoni që integrimi ishte shtylla kryesore e këtij diskutimi. Gjithsesi tri ligjet janë ato që e mbajnë peng marrjen e statusit. Është firmosur nga mazhoranca dhe disa deputetë të tjerë referendumi për këtë çështje dhe mungonte firma juaj. Cili është komenti juaj?
Natyrisht që firma e z. Tavo është shumë e rëndësishme, por këtu nuk jemi për të folur për numrin e firmave dhe për çështjen e firmave. Sigurisht që referendumi është një instrument demokratik, kur nuk ekziston mundësia dhe hapësira për mënyrë të tjera, por është i rëndësishëm për të gjithë procesin e integrimit evropian jo vetëm miratimi i këtyre dy ligjeve dhe i rregullores, që është konsideruar si një minimum i domosdoshëm, por kërkohet edhe një klimë më bashkëpunuese, për të cilën jo vetëm qeveria por edhe opozita duhet të marrë dhe të demonstrojë përgjegjësitë e saj.
Z. Meta, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është shprehur dje se është i gatshëm të bashkëpunojë me LSI-në nëse ju shkëputeni nga mazhoranca. Reagimi juaj?
Ne e respektojmë mendimin e cilitdo. Qëndrimet tona kanë qenë publike dhe do të mbeten të tilla. Ne jemi të angazhuar për të plotësuar të gjitha detyrimet dhe angazhimet tona në këtë mazhorancë dhe në këtë qeverisje dhe jemi shumë të hapur për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike, duke përfshirë këtu natyrisht edhe Partinë Socialiste, për të çuar përpara proceset e integrimit evropian, për të miratuar 2 ligjet dhe rregulloren, aq më tepër që ligji për Gjykatën e Lartë është shumë i rëndësishëm edhe për krijimin e Gjykatës Administrative, që kërkohet edhe nga komuniteti ynë i biznesit, nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga investitorët e huaj. Natyrisht që koalicionet e ardhshme do të kenë në themel të tyre votën e qytetarëve shqiptarë.
Për sa i përket zgjedhjeve, çfarë është premtuar nga Bashkimi Evropian dhe a mund të konfirmohet fakti që do të kemi një mision ekskluziv nga BE për monitorimin e këtyre zgjedhjeve?
Natyrisht që Bashkimi Evropian është i interesuar për të parë zgjedhje transparente, të ndershme, të lira, të pakontestuara. Është i angazhuar në këtë drejtim dhe kjo është mëse normale sepse zgjedhjet tona janë dhe zgjedhjet e Bashkimit Europian, përderisa ne jemi të interesuar për tu bërë pjesë e këtij unioni. Zgjedhjet janë vlerësuar si një test i rëndësishëm, dhe janë test i tillë. Unë kam shprehur angazhimin për të pasur një monitorim sa më të gjerë të këtij procesi. Këtu ne nuk kemi asgjë për të fshehur përkundrazi. Ne jemi pjesë e BE dhe do të bëhemi dhe më shumë pjesë e tij përmes një procesi të ndershëm zgjedhor.
Do të kemi një mision nga BE, sepse ju keni takuar dhe para disa ditësh edhe z. Fule?
Unë nuk mund të flas në emër të Bashkimit Europian. Ata kanë interes të lartë për procesin e ardhshëm zgjedhor, ashtu sikurse ka interes që çështja e integrimit evropian të mos anashkalohet nga rëndësia që marrin çdo ditë e më shumë zgjedhjet e ardhshme. Edhe ata edhe ne i shohim zgjedhjet si një mundësi dhe si një test që do të përshpejtojë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe njëkohësisht dhe hapjen e negociatave me BE.
A do jetë LSI pjesë e qeverisë në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht se cila partia do i fitojë?
Pas 23 qershorit do të kemi një qeveri të re.
Redaksaia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)