Siç po e shikoni dhe vet, po zhvillohet tanimë një aksion i gjërë nga punonjësit e Kompanisë së Shpërndarjes dhe forcat policore. Këtu jemi në një rast konkret, në një biznes, i cila ka bërë ndërhyrje të paligjshme në sistemin e energjisë elektrike. Po këqyret vendi i ngjarjes, po konstatohen provat dhe do të merren të gjitha masat siç duhet nga ana e organeve të policisë, në bashkëpunim me strukturat e shpërndarjes.

Njëkohësisht, jemi duke vepruar në pika të ndryshme të Tiranës. Ky operacion do të shtrihet në shkallë të gjerë në të gjithë Shqipërinë dhe ditë për ditë ju do të shikoni që do të kemi raste konkrete të ndëshkimeve të personave abuzues. Besoj, në fund të ditës do të keni dhe numrin e personave të ndaluar për ndërhyrje të paligjshme në rrjetin e energjisë elektrike.

Edhe me ndryshimet që kemi bërë në Kodin Penal, synimi ynë primar ka qenë ai grup që e vjedh energjinë elektrike për qëllime fitimi. Patjetër, abuzimi është i shtrirë në shumë drejtime, ka edhe abonentë familjarë të cilët abuzojnë, por e kemi filluar nga bizneset, do të vazhdojmë edhe me qytetarët e tjerë. Ka patur një lloj opozite politike që për mendimin tim ka qenë tërësisht e padrejtë dhe e pajustifikuar. Kjo është një betejë për ata që paguajnë, kjo është një betejë për stabilitetin e çmimeve të energjisë elektrike. Pa këtë betejë për jetë a vdekje për sektorin energjitik, vendi do të kalonte në një kolaps financiar. Sektori nuk mund të akumulojë dhe përballojë më humbjet e abuzimit me energjinë.

Kjo është betejë shumë e nevojshme, kërkojmë përkrahjen e qytetarëve të ndershëm, kërkojmë bashkëpunimin e tyre për të denoncuar çdo rast të vjedhësve të energjisë elektrike, qoftë në pallatet e tyre, qoftë në fshatrat e tyre, qoftë në biznese. Biznesmeni i ndershëm kërkon ta paguajë energjinë elektrike siç është, qytetari i ndershëm kërkon ta paguajë. Asnjëri nuk do të dojë që komshiu i tij apo dikush aty pranë të përfitojë në kurriz të tij. Realisht, mesazhi është shumë i qartë, beteja është në favor të të ndershmit, në kurriz të të pandershmit dhe keqbërësit të energjisë elektrike. Ky është mesazhi që ka vendosur të japë qeveria dhe ky aksion do të vazhdojë përditë dhe do të shikoni që do të ketë rezultate shumë konkrete.