Fillimisht shtypi serb, më pas ai në Kosovë e gjatë orëve të fundit edhe shtypi shqiptar, është mbushur me artikuj që përshkruajnë “dyluftimin” mes kryeministrit serb dhe atij kosovar, gjatë një darke të mbajtur mbrëmjen e djeshme në Sarajevë.

Zanafilla ka qenë në shtypin serb, dirigjuar nga Kryeministri Vuçiç i cili duke qenë se ndodhet në mes të fushatës së tij zgjedhore, është përpjekur të injektojë disa doza nacionalizmi te votuesit e tij.

E sigurisht, nuk kanë mbetur duarkryq zyrtarët e Kosovës, të cilët menjëherë kanë reaguar duke informuar shtypin e Prishtinës mbi përgjigjen që ka dhënë Kryeministri Mustafa. Një luftë me mullinjtë e erës.

Mëngjesin e sotëm, përfaqësuesit e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë shihnin njëri-tjetrin të habitur, pasi në shtyp lexonin për luftën, por në fakt luftë nuk kishte patur. Përkundrazi. Paqe. Ushqim me bazë peshku. Dhe shumë verë.

E sigurtë që media serbe e perdori darkën për të fabrikuar një lajm të rremë që Vuçiçit i sjell më shumë vota. Por përse media kosovare dhe shqiptare tregohet gjithmonë kaq e zellshme të kopjojë çdo copëz propagande serbe antishqiptare, kjo po që është për t'u habitur.

Sot në media u fabrikuan akuza dhe kundërakuza. Histori të trilluara nga fillimi deri në fund. Mjerë lexuesit që u besojnë lajmeve që lexojnë! /lexo.al

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com