Propozimet e PS për Reformën Zgjedhore, ish-kreu i KQZ: Dy kriteret bazë për përzgjedhjen e komisionerëve

Pavarësisht se Reforma Zgjedhore duket larg një produkti konkret apo konsensual mes palëve,  socialistët e kanë gati draftin e tyre që e prezantuan para ekspertëve të ODIHR, të cilët prej dy ditësh ndodhen në Tiranë.

Për detyrimin kushtetues për votën e emigrantëve, mazhoranca kërkon që të bëhet me postë ndërsa vota e tyre, sipas draftit të përgatitur nga ekspertët, do të llogaritet në rezultatet e qarkut ku ky votues ka pasur vendbanimin e fundit në Shqipëri dhe figuron i regjistruar në gjendje civile. Për ish-kreun e KQZ-së Kristaq Kume, kjo është një nga metodat më lehtë të realizueshme, por ngërçi qëndron tek efekti që do të prodhojë realizimi i saj.

“Për mua është zgjidhja më e përshtatshme për të bërë realizimin e votës nga jashtë që nuk kërkon as shumë energji politike. Por ajo që është thembra e Akilit, është detyrimi që shtetasi që jeton jashtë të ketë regjistruar adresën e tij jashtë vendit. Deri më sot e kemi tek 16 mijë qytetarë. Të kesh një adresë të shtetasve të tu është normale. Por duke iu referuar kësaj situate që nuk e kanë realizuar këtë kërkesë të ligjit, bën që gjithë kjo zhurmë e madhe për votën e emigrantëve të mos prodhojë asgjë. Sepse 16 mijë, 20 apo 30 mijë vota nuk sjellin asgjë. Është për mua jo reflektim real i situatës”, shprehet Kume.

Depolitizimi i administratës zgjedhore, është një tjetër kërkesë e socialistëve. Në draftin e tyre ata propozojnë që trupa e komisionerëve zgjedhore të përzgjidhet mes radhëve të administratës shtetërore që kanë statusin e nëpunësit civil, punonjësit e arsimit, dhoma e avokatëve dhe grupe të tjera.

Por për ekspertin zgjedhor, ky propozim do të ishte jo efektiv në rast se nuk vendosen dy kushte në përzgjedhjen e komisionerëve.

"Kur është diskutuar në këshillin politik, nuk është pranuar, pasi thanë që kjo është njësoj si t’ia japësh administratën zgjedhore mazhorancës dhe kishin të drejtë. Të drejtën për të qenë nesër në detyrën e komisioneri duhet ta ketë çdo qytetar shqiptar që pranon dhe certifikohet nga KQZ, por me dy kushte. 1. Mos të ketë qenë anëtar partie 5 vitet e fundit dhe 2. Të mos ketë qenë asnjëherë komisioner i një partie politike. Në këtë mënyrë hapet rruga për të ngushtuar efektin e partive politike”, tha Kume.

Një tjetër detyrim që gjykata kushtetuese i ka lënë kuvendit, është rregullimi i masës së herësit, ose thënë ndryshe sa vota parapëlqyese duhet të marrë një kandidat për të marrë mandatin e një deputeti edhe pse i renditur poshtë listës fituese. Për këtë pikë, partia demokratike kërkon hapjen e plotë të listave duke bërë që deputetët fitues të renditen sipas votës së qytetarëve.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni