Ish-presidenti Ilir Meta ka përkrahur propozimin e PD për hartën e re territoriale me 6 rajone e 100 njësi duke thënë se është përgjigje efikase ndaj reformës së vitit 2014.
Sipas kreut të Partisë së Lirisë, alternativa socialiste forcon centralizimin, largon shërbimet nga qytetarët dhe përshkallëzon shpopullimin.
“Përshëndes dhe mbështes plotësisht alternativën e opozitës për 100 njësi vendore, si përgjigjia më efikase ndaj dështimit të reformës territoriale të vitit 2014, e cila prodhoi të kundërtën e premtimeve të saj duke larguar shërbimet nga qytetarët dhe rritur ndjeshëm shpopullimin e shumë trevave historike dhe me plot pasuri e potencial për zhvillim, si dhe duke mbushur bashkitë me patronazhistë, njëherazi duke u rrëmbyer njësive vendore shumë kompetenca që u përqëndruan në dorën e Qeverisë.
Akti i ditur prej kohësh i minimit të konsensusit nga Edi Rama mund të çudiste vetëm naivët.
Alternativa e tij, pra e “Rilindjes”, është forcimi i centralizimit, përmes pakësimit të ndjeshëm të numrit të bashkive, largimit të mëtejshëm të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe përshkallëzimit të shpopullimit të Shqipërisë.
Koha për të mbështetur kudo alternativën e opozitës, që është interes i të gjithë qytetarëve dhe i të gjithë banorëve të këtyre komuniteteve që do të përfitojnë nga decentralizimi dhe afrimi i shërbimeve.
Alternativa e opozitës është një kontribut i rëndësishëm për të ndaluar shpopullimin dhe për nxitur politikat e popullimit të vendit.
Kjo alternativë duhet t'ju bëhet e njohur të gjithë shqiptarëve, në çdo qytet dhe bashki, në mënyrë që çdo qytetar të njohë këtë projekt që i jep fund centralizimit korruptiv dhe mafioz të pushtetit vendor në duart e Edi Ramës”, shkruan Meta në rrjetet sociale.
Lajmi kryesor:
'Territorialja', PD prezanton hartë me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone! Qarku Fier në vend të parë, demokratët nuk prekin Gjirokastrën











