Propozimi i fundit i marrëveshjes i dërguar nga Teherani në Uashington përfshin disa elemente kryesore: heqjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Teheranit, lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit, përfundimin e “bllokadës” ekonomike të vendosur ndaj vendit, tërheqjen e forcave amerikane nga zonat pranë Iranit dhe mbulimin e shpenzimeve për dëmet e shkaktuara nga lufta.

Plani parashikon gjithashtu përfundimin e konfliktit në të gjitha frontet rajonale, përfshirë Libanin, sipas zv/ministrit të jashtëm iranian.

SHBA ka kërkuar që Irani të heqë dorë nga ambiciet bërthamore. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se Irani nuk mund të ketë uranium të pasuruar dhe kjo përbën një “vijë të kuqe” në negociata, së bashku me ndalimin e plotë të programit bërthamor iranian.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka thënë se këto kërkesa janë “të tepruara.”

New York Times raporton se Irani po përgatitet për mundësinë e rifillimit të sulmeve amerikane dhe ka lënë të kuptohet se nuk do të hezitojë t’u imponojë një çmim të lartë vendeve fqinje dhe ekonomisë botërore në rast agresioni.

Ndër opsionet që Teherani po shqyrton do të ishte vendosja e kontrollit mbi Ngushticën e Bab al-Mandeb, ngushtica detare që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe përmes së cilës kalon një e dhjeta e tregtisë botërore. Ngushtica ndodhet pranë territoreve të kontrolluara nga Houthit, një milici jemene e mbështetur nga vetë Irani.

Sa i përket vetë luftimeve, raportohet se udhëheqësit iranianë i parashikojnë ato si “të shkurtra, por me intensitet të lartë”, përfshirë sulme të rënda të koordinuara ndaj infrastrukturës energjetike iraniane.

Përgjigjja iraniane do të ishte lëshimi i dhjetëra ose qindra raketave në ditë për të “përballuar në mënyrë efektive armikun dhe për të ndryshuar situatën edhe në anën tjetër”. Kjo do t’i detyronte vendet arabe të Gjirit të përgatiten për një intensifikim të sulmeve ndaj infrastrukturës së tyre energjetike.

Ky raportim vjen pas deklaratës së gjeneralit iranian Reza Talaei-Nik se Trump “nuk ndalon së bëri deklarata të rreme” për forcën ushtarake të Iranit, pas komenteve të këtij të fundit për shkatërrimin e kapaciteteve./La Repubblica

Lajm në përditësim…

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:04
Trump: Mund të na duhet t'i japim një tjetër goditje të madhe Iranit! Ata do të luten për një marrëveshje

1779203080_xfhyyy.JPG

Presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar sërish se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore.

Mediat e huaja shkruajnë se komentet Trump i bëri në Uashington, teksa po fliste për sallën e tij të vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë.

"Ata po luten të bëjnë një marrëveshje, por mund të na duhet t'u japim një goditje tjetër të madhe", tha mes të tjerash Trump.

"Nuk jam i sigurt ende - do ta dimë shumë shpejt", vijoi më tej Trump.

Trump fajëson gjithashtu demokratët, kundërshtarët e tij politikë, për prishjen e negociatave të tij me Iranin.

I pyetur se sa afër ishte për të goditur Iranin dje, ai thotë: "Isha një orë larg - do të kishte ndodhur pikërisht tani."

Duke iu përgjigjur pyetjeve të tjera më vonë, Trump thekson se po punon me vendet e Gjirit gjatë negociatave me Iranin dhe ai flet për kërcënimin bërthamor iranian, përpara se SHBA-të të vepronin.

Në një moment, ai pretendon se mund të ketë pasur një rrezik bërthamor për Los Anxhelosin dhe thotë se nuk do ta linte botën të zhytej në konflikt bërthamor gjatë mandatit të tij.

Ora 16:43
Raporti i S&P: Me zgjatjen e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, BE po i afrohet recesionit

1777807935_ngushticaehormuzit.jpg

Teksa Ngushtica e Hormuzit vijon të jetë e bllokuar, Bashkimi Europian duket se po i afrohet recesionit.

“Me zgjatjen e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, ne presim një ngadalësim të ekonomisë evropiane dhe një rritje të inflacionit, me një ndikim negativ në kërkesën e konsumatorëve", thuhet në një raport të S&P, mbi pasojat ekonomike të konfliktit SHBA-Izrael-Iran.

"Në skenarin tonë pesimist, dështimi për të hapjen e Ngushticës së Hormuzit ose një prishje e armëpushimit, me pasoja në zinxhirët globalë të furnizimit, mund ta çojë normën e mospagesës deri në 5%. Një recesion bëhet më i mundshëm sa më gjatë që Ngushtica të mbetet efektivisht e mbyllur", thuhej më tej në raport.

Ora 16:05
G7: Është e domosdoshme të rihapet Ngushtica e Hormuzit dhe të gjendet një zgjidhje për luftën në Iran

1777889661_ngushticaehormuzit.jpg

Vendet e G7 kanë theksuar se është e domosdoshme që të rihapet Ngushtica e Hormuzit dhe të gjendet një zgjidhje për luftën në Iran.

Deklarata erdhi përmes një komunikate përfundimtare të takimit të Ministrave të Financave të G7 që u zhvillua pak më herët në Paris.

"Pasiguria ekonomike globale ka rritur rreziqet për rritjen dhe inflacionin, në mes të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, veçanërisht përmes presioneve mbi zinxhirët e furnizimit me energji, ushqim dhe plehra, të cilat prekin veçanërisht vendet më të cenueshme. Për të zbutur këto ndikime negative, ne e pranojmë se një kthim i shpejtë në lëvizjen e lirë dhe të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit dhe një zgjidhje e qëndrueshme e konfliktit janë të domosdoshme", thuhej në komunikatë.