Janë 3 rrjete prostitucioni të shkatërruara muajt e fundit në Tiranë dhe në Durrës. Tashmë grupe të drejtuara nga tutorë dhe tutore përdorin metoda të reja për tu kamufluar.
 
Pak ditë më parë në Durrës është shkatërruar një rrjet prostitucioni që drejtohej nga Fillor Muçellari dhe Alma H. të cilët gjenin klientë dhe më pas i transportonin ata me taksi në hotele pranë Shkëmbit të Kavajës, ose në banesa private.
 
Në këtë aksion u arrestuan edhe dy taksistë, të cilët kishin djeni për rrjetin dhe pranonin që t’i transportonin klientët.
 
Ndërkohë në 6 shkurt të këtij viti, Policia e Tiranës arrestoi 11 persona në kuadër të operacionit “Free Taxi”. Edhe në këtë rast u arrestuan 4 taksistë, të cilët transportonin klientë drejt hoteleve në periferi të kryeqytetit.

Taksistë në bashkëpunim edhe me një polic drejtonin rrjetin dhe kishin rekrutuar 7 vajza që ushtronin prostitucion. Sipas Policisë ishin 4 taksistët që transportonin vajzat dhe klientët drejt hoteleve.
 
Në 22 mars të këtij viti Policia arrestoi 6 persona në një hotel pranë Liqenit të Thatë në Tiranë. Në këtë rast kanë qenë dy vajza tutore si dhe dy persona të tjerë të cilët bindnin vajzat për të ushtruar prostitucion.

Policia gjeti në një hotel një vajzë me 3 biznesmenë të huaj. Burime nga Policia bëjnë me dije se edhe në këtë rast vajza u transportua në hotel me taksi, për të mos u zbuluar.
 
Rrjetet e prostitucionit duket se përdorin taksitë për të fshehur gjurmët por deri më tani 3 grupe janë zbuluar falë përgjimeve. Burime Të Report TV sqarojnë se kjo ka qenë arsyeja që shpesh taksitë mbahen në vëzhgim gjatë orëve të natës.

Policia shpesh i ndjek taksitë të cilat largohen në drejtim të periferisë së Tiranës për të zbuluar nëse janë të përfshirë në rrjete prostitucioni.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com