Qindra pensionistë të Koalicionit të Pensionistëve të Kosovës, po protestojnë në Prishtinë për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhen dhe kundër mospërfilljes së kërkesave të tyre nga institucionet e vendit.
Pensionistët janë duke protestuar para Kuvnedit të Republikës së Kosvës me kërkesën që ndonjë përfaqësuaes i Kuvendit apo i Qeverisë të takohet me ta. 

Deri më tani para protestuesëve ka dalur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, i cili i ka përkrahur kërkesat e pensionistëve dhe ka thënë se pensioni është një e drejtë që u takon atyre, e jo lëmoshë. 

Gjithashtu, Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për medie, ka dal në mbështetje të protestës së organizuar nga Sindikata e Pavarur e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Kosovës. Vetëvendosje beson se kërkesat e tyre janë të drejta dhe legjitime e si të tilla ato duhet përkrahur plotësisht.

“Pensionet janë një e drejtë dhe si të tilla ato nuk duhen të trajtohen si benefite sociale por si e drejtë që i garantohet çdo pensionisti. Që nga paslufta e deri tani sistemi pensional nuk ka qenë në funksion të pensionistëve ekzistues, për më shumë ky sistem nuk i trajton fare të njëjtit. Pra është sistem i fragmentuar dhe aspak në funksion të nevojave të pensionistëve, e gjithashtu edhe atyre që do jenë pensionist në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Edhe pensionistët nga komunat tjera të Kosovës kanë protestuar sot para kuvendeve komunale, duke kërkuar më shumë përkrahje nga institucionet e Kosovës. Kështu ata janë solidarizuar me protestuesit në Prishtinë, por nuk kanë mundur që tju bashkohen atyre për arsye ekonomike.

Pensionistët më parë kanë deklaruar se ka qe 12 vjet që po presin për t`i fituar të drejtat e tyre legjitime, duke theksuar se nuk po kërkojnë që t’i kenë pensionet më të mëdhatë në rajon por të jenë 60% e një page mesatare në Kosovë, e që llogaritet nga 120 deri në 250 euro. 

/rg/shqiptarja.com/