TIRANE- Në pritje të shpërndarjes së banesave sociale në Shkozë, qindra familje kanë protestuar ditën e djeshme pranë Bashkisë së Tiranës. Të rinj dhe të moshuar kanë kërkuar nga bashkia që të jap banesat, të cilat sipas tyre po degradohen nga dita në ditë.

“Ne po na gënjejnë, jo sot jo nesër. Duam të drejtën tonë, duam shtëpinë që na ka dalë emri në gazetë. Po s’na takon mos të na i jepnin. Shtëpitë aty (në Shkozë), janë duke u prishur pa hyrë akoma ne” , - thë një e moshuar, e cila priti për disa orë para Bashkisë së Tiranës për një përgjigje. “Të merren masa sa më shpejt për shpërndarjen e atyre banesave, që dhe ne të mos rrimë rrugëve. Asnjë përfaqësues i bashkisë nuk del që të na shpjegojë se ç’farë do të bëhet” , -tha një tjetër protestues.

“Jemi te lista që ka kaluar në Këshillin Bashkia dhe akoma s’na japin banesat. Të ndahen njëherë banesat e miratuara, pastaj të miratohen dhe të tjerat. Nuk po kuptojmë, ç’farë të bëjmë?! Bashkia s’na jep përgjigje për banesa që na i jep ligji”, - tha një nga organizuesit e protetstës. Protetsuesit kanë kërkuar nga Bashkia që ti sqarojë lidhur me situatën dhe çfarë do të ndodhë me ato banesa, por në asnjë moment administrata e bashkisë nuk ka pranuar të dalë për të folur me qytetarët.

Si qëndron çështja e banesave sociale? Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në 6 mars, bashkia kishte çuar për miratim listën e 178 familjeve që përfitonin banesa sociale. Realisht në Shkozë janë 385 apartamente që duhet të jepen për shtresat në nevojë, por Bashkia e Tiranës nuk arriti të plotësonte listën e plotë. Këshilltarët e majtë  i kërkuan bashkisë që të plotësojë listën e 385 përfituesve dhe menjëherë më pas të mblidhej Këshilli Bashkiak për ti miratuar.

Që nga data 6 mars, Bashkia ende nuk ka arritur të plotësojë listën e familjeve përfituesve pavarësisht se numri i aplikimeve është rreth 1200. Një tjetër arsye që i’u kërkua bashkisë plotësimi i listës ishin dhe disa raste, kur qytetarë të cilët plotësonin kriteret nuk ishin përfshirë në listën e përfituesve.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)