Jo e para që reagon, por padyshim një prej atyre grave, heshtja e thyer e së cilës shënon një kthesë të rëndësishme në çështjen e videove intime që prej ditësh, janë temë e ndjeshme.

Aktorja Monika Lubonja ka ngritur padi kundër kompozitorit Adi Hila. Ashtu siç më herët ishte raportuar se artistet e përfshira në to nuk kishin dijeni mbi ekzistencën e tyre, edhe Lubonja konfirmon se s’ka autorizuar kurrsesi regjistrimin e tyre e aq më tepër, shpërndarje, shitje e publikim.

Ajo shprehet se i është shkelur besimi nga dikush që e ka dashur, madje flet për një tradhti nga një njeri që i ka falur disa vite, duke zbuluar për herë të parë raportin e saj me Hilën.

Tanimë, duket se s’ka mbetur më asnjë grimcë nga kjo marrëdhënie. Lubonja e quan të pabesë dhe e bën të qartë se çështja i ka kaluar drejtësisë.

Ndërsa për publikun, lutja e vetme është të mos e baltosë e të mos tallet me dhimbjen, si dhe kërkon që të reshtë shpërndarja e videove.

Reagimi i plotë:

Ju drejtohem sot me dhimbjen e një gruaje së cilës i është shkelur besimi dhe privatësia por edhe me vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e saj.

Kerkoj dhe shpresoj të ndalet baltosja ime në emër të një ‘morali kolektiv’. Dinjiteti i një njeriu ndërtohet gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të zhbëhet nga tradhtia e dikujt të cilit i fala disa vite të jetës sime.

Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të rregjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje.

Mediave u kërkoj të respektojnë privatësinë time dhe të mos publikojnë apo të spekulojnë me publikime të materialeve intime.

Opinionit publik i kërkoj të mos e ktheje dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë.

I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund.

Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ja fal askujt që përdori jetën time!

Do e ndjek ligjërisht dhe jam e sigurt që e vërteta do flasë.

Zotit i kërkoj forcë që kjo plagë të mos ma mbush zemën me urrejtje. Besoj se ai e njeh të vërtetën time dhe pres që drejtësia të bëjë punën e saj.