Punëtorët e Ferronikelit, të cilëve nuk u janë vazhduar kontratat e punës, kanë protestuar edhe sot para kësaj ndërmarrjeje. 

Punëtorët janë shprehur të vendosur ta vazhdojnë protestën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. 
Sipas tyre, vendimi i menaxhmentit të Ferronikelit është i padrejtë. 
Ndërsa zyrtarët e kësaj fabrike thonë se nuk ka mundësi të kthehen në punë për shkak të krizës financiare. 
Lëvizja Vetëvendosje që vazhdimisht ka kritikuar “Ferronikelin”, Komunës së Drenasit dhe Qeverinë e Kosovës për moskokçarje në raport me problemet e shumta që i gjeneron “Ferronikeli”, si dhe me largimin e dhjetëra punëtorëve nga puna, sipas saj, u vërtetuan edhe njëherë se janë të domosdoshme dhe të drejta. "Vendimi i fundit i “Ferronikelit” tregon mirëfilli se kjo fabrikë është e interesuar vetëm për përfitimet marramëndëse vetjake, duke mos çarë kokën fare për impaktin negativ mjedisor dhe social." shkruan Vetëvendosje në reagimin e saj.

Punëtorët e larguar padrejtësisht nga puna, janë duke protestuar para portave të “Ferronikelit”, duke deklaruar se do të hyjnë edhe në grevë urien, nëse nuk kthehen në punë.

Punëtorët e Ferronikelit te Komunës së Drenasit kishin protestuar edhe me herët për shkak të kushteve të rënda të punës dhe shpërthimeve që si pasojë kishin plagosu disa punëtorë.
/rg/shqiptarja.com/