Një prej anëtarëve të grupit organizator të protestës, Andi Tepelena ritheksoi kërkesën e dorëheqjes së panegociueshme drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Ndër të tjera, aktivisti i bëri thirrje BE-së zyrtare e SHBA-së për të reaguar publikisht për protestën, nëse janë ose jo në mbështetje të qytetarëve.
“Kërkesa 1 e panegociueshme është dorëheqja e Ali Babës me 40 hajdutë. Ky njeri, me librin ‘Albanian Files’, tregon arrogancën e tij se si i trajton shqiptarët, si çifligun e tij ky antishqiptar. Ky njeri, i cili nuk është në aleancë me shqiptarët, por me oligarkët, krimin e organizuar dhe antishqiptarët, bën ligje antishqiptare. Kërkon t'ua shesë pronën shtetërore të huajve. Është një projektligj që po qarkullon këto ditë, me urgjencë, të paratë, do t'ua hapë të huajve, ndërsa shqiptarët vuajnë akoma ligjin 7501. Të bërë nga ai dhe Sali Berisha, që i kanë lënë shqiptarët pa pronë.
Ai ka ndërtuar Kopshtin e Edenit. Akoma s'ka bërë transparencë si e ka paguar. Fondi Shqiptar thotë nuk është bërë me fonde publike. Rama punon me oligarkët, për kapriçot e oborrit shpenzon 4.5 milionë euro, ndërkohë që këto para mund të shkonin për ilaçe, për shëndetësi.
Natyrisht, kjo nuk është një protestë e lehtë. Ka mijëra fije interesash që e lidhin me oligarkinë, por kjo na bën edhe më të fortë. Ju jeni dëshmitarë të një ndryshimi epokal, që nuk do të largojë vetëm Ramën, por të gjithë klasën politike. Vuçiç, si vëllai i Ramës, paralajmëroi dorëheqjen. Iku dhe një diktator. Tani do të marrë me vete edhe Ramën.
Dje kemi pasur një eurodeputete, nesër do të kemi disa të tjerë. Kjo tregon që protesta po merr mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Ende nuk janë shprehur qartë se çfarë mendojnë për protestën. S'kemi akoma një deklaratë të qartë nga BE-ja dhe SHBA-ja. Duhet ta ndani mendjen: jeni me popullin shqiptar apo me Ali Babën dhe 40 hajdutët? Edhe një thirrje për SPAK. Nuk jemi të kënaqur. Duam të çojë përpara drejtësisë këtë njeri. Vetëm atëherë do të jemi të kënaqur nga puna e SPAK”, tha Andi Tepelena.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Protesta e 29-të te Kryeministria, qytetarët kërkojnë sërish realizimin e 5 kërkesave: Dorëheqja e Ramës, e panegocueshme








