Në politikë gjithnjë gjenden motive dhe gjithnjë ka vend për protesta, si mjet demokratik reagimi. Në Shqipëri të gjithë kanë protestuar kundër të gjithëve dhe për gjithcka, ndaj as protesta e radhës nuk bën përjashtim. Vlerësimi për motivit mbetet relevant përsa kohë është e drejtë e gjithësecilit ta bëjë këtë, simbolika e zgjedhur është me interes publik dhe implikon më shumë se një parti, një protestë apo disa individë politikanë.
Zakonisht protestat lënë gjurmë politike vetëm në dy raste: kur shërbejnë si shkak për akte dhune (1997, 1998, 2011), ose kur shërbejnë për qëllime konstruktive (1991, 1996, 2004). Ka edhe forma proteste rutinë që nuk lënë gjurmë, ushqejnë militantët e median, por nuk sjellin dobi publike dhe as pritshmëri pozitive. Aktet e dhunës kanë qenë dhe janë alternativa e fundit, për shkak se nuk sjellin asgjë të mirë as për protestën dhe as palët e përfshira brenda e përballë saj.
Modelet e protestave rutinë janë provuar periodikisht dhe nuk prodhojnë më as lajm, as frymëzim, as vemendje dhe as pritshmëri pozitive. Në këtë rrethana, protesta mund të ketë qëllim konstruktiv nëse ajo skicohet dhe mbyllet si e tillë, dhe nëse kjo ndodh, prej saj përfitojnë të gjithë, institucione, qytetarët, protestuesit, skeptikët, kritikët, partnerët dhe vetë demokracia e aplikuar në terren.
Çfarë mund ta bëjë një protestë politike konstruktive? Disa elementë, dhe njëherësh, disa sjellje dhe akte politike. Nëse oratorët kanë ftuar qytetarët mbështetës të sulmojnë qeverinë janë të lirë ta bëjnë, por kjo nuk sjell produkt politik dhe ndaj është e pamjaftueshme.
Nëse raportet për nivelin e inkriminimit politik dominojnë retorikën pa ofruar zgjidhje optimal, asgjë nuk ndodh dhe asgjë nuk pritet të ndryshojë. Nëse oratorët presin të ushtrojnë presion ndaj mazhorancës përmes masivitetit basti nuk ka vlerë sepse zgjedhjet politike janë vonë, shumë vonë.
Nëse protesta paralajmëron përshkallëzim të politikës në prag të zgjedhjeve vendore, strategjia mund të sjellë konflikt tjetër politik, por jo rezultat tjetër elektoral. Nëse ndodh ndryshe, nëse hiqet dorë nga praktika e deritanishme e tranzcionit, nga fjalimet – ushqim për militantët dhe turmat, dhe kalohet në sjelljen ideale të një opozite politike, atëherë cdo protestë, përfshirë edhe kjo e sotme, do provokojë sjellje të reja politike, mesazhe të reja, pritshmëri të reja dhe produkte të reja.
Konkretisht, përpara se elektorati kritik me qeverinë të dëgjojë sulmet e radhës ndaj mazhorancës apo drejtuesit të parlamentit, ka nevojë të dëgjojë ndjesë publike përse, e njëjta palë kur ishte në mazhorancë përdori të gjithë fuqinë politike për të mbrojtur një skandal të pambrojtshëm korrupsioni me të njëjtit protagonist.
Përpara se të fokusohet e gjithë retorika politike drejt fenomenit dukshëm negativ të lidhjes së politikës me krimin dhe nivelit shqetësues të inkriminimit parlamentar, opozita do duhet të kërkohet ndjesë se vetë nuk ka ofruar një model ndryshe, se nuk ka zhfrytëzuar mekanizmat ligjorë për të parandaluar këtë situatë kur ishte në mazhorancë dhe se ka bërë pak për të evituar me mjete demokratike cilësore praktika të tilla në gjithë spektrin politik dhe administrative.
Dhe mbi të gjitha, nëse opozita e sotme përfaqëson dicka ndryshe nga mazhoranca e djeshme abuzive dhe arrogante, është rasti ta dëshmojë. Me disa akte konkrete, me katarsis dhe lidership, me reflektim dhe vizion. Duke pranuar përgjegjësitë por duke denoncuar edhe të keqen, pavarësisht ku shfaqet ajo. Duke përdorur gjuhë institucionale dhe kryer akte institucionale.
Duke propozuar një paketë propozimesh sesi opozita sot në parlament, dhe nesër në konkurrencë elektorale me mazhorancën ose në qeverisjen vendore ku do të drejtojë, - të mund të aplikojë masa të tilla që sigurojnë më shumë transparencë, më shumë politikë të pastër, më shumë karrierë meritash, më shumë demokraci funksionale, më shumë masa kundër korrupsionit dhe inkriminimit, më shumë mekanizma që parandalojnë përfaqësimin direkt ose indirekt të krimit në administratë dhe vendimmarrje.
Sesi zgjedhjet lokale të jenë rast kritik për të dhënë sinjale se politika e të “fortit” dhe klientelës do zëvendësohet nga sistemi i meritës dhe garës konkurruese mbi vlera, strategji zhvillimi e programe alternative. Sesi partitë të mos jenë më avokate dhe gjyqtare, prokurore dhe hetuese, producente videosh dhe skenariste me subjekte mafioze, por të kthehen ashtu siç e kërkon ligji dhe Kushtetuta: organizata të lira politike me parime, identitet, programe, vlera dhe aftësi konkurruese pozitive.
Vetëm një paketë e tillë do të mund të krijonte mjedisin që aktet e protestës dhe aksionit politik të kishin rezultate dhe vemendje, sidomos nga dy grupime me rëndësi: për partnerët ndërkombëtarë dhe për pjesën jomilitante të shoqërisë. Reagimet e BE, OSBE dhe SHBA janë në të njëjtën linjë, këshilla e partnerëve politikë është në këtë linjë, mendjet e arsyeshme sugjerojnë këtë linjë.
Duke vepruar kështu, edhe mazhoranca do detyrohet të reflektojë dhe ti bashkohet procesit të katarsisit politik, të rishohë gabimet dhe të ofrojë diçka tjetër më me vlerë sesa diktatin e kartonave dhe 1 milion votive. Kriza e fundit nuk u provokua nga opozita, por brenda saj, ndaj ajo është e detyruar të përballet me përgjegjësitë e zgjidhjes optimale dhe afatgjatë, bazuar edhe në akordin politik parlamentar të 24 dhjetorit. Nëse ajo përballet me një opozitë tradicionale dhe populiste, pa ofertë dhe pa alternativë përveç denoncimit, vetë mazhoranca do ta ketë më të lehtë të menaxhojë krizën, por njëherësh, të vonojë procesin e reflektimit politik dhe institucional.
Rasti është që politika të dëshmojë maturi, të bëjë ndryshimin. A mundet që kjo të ndodhë? Po, nëse ka vullnet dhe vizion. Në një demokraci oferta apriori kundër tjetrit pa rrugëzgjidhjet institucionale është gjysmake, demotivuese dhe e përkohshme.
Oferta që bën edhe denoncimin e rasteve faktike, që dallon qartë përgjegjësitë e tjetrit, por edhe që ofron mekanizma e mjete për zgjidhjen afatgjatë të problematikës në dobi të shtetit ligjor, demokracisë e qytetarëve, - përputhet me nevojat reale të vendit dhe sfidat e një politike që tejkalon modelet baltosëse të tranzicionit. Nëse kjo nuk ndodh, nëse gjithçka vijon si deri më tani, gjysmake dhe populiste, atëherë kjo e enjte do jetë si gjithë të tjerat, me dallimin se një javë ndodh brenda dhe një javë jashtë parlamentit.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Mars 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)