Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë sot me dije se vetëm 5-6% e banorëve të zonës '5 Maji', që preken nga procesi i rindërtimit dhe rikualifikimit urban, nuk kanë nënshkruar kontratën me Bashkinë e Tiranës, për të marrë bonusin e qirasë.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku u miratua bonusi i qirasë për ata që kanë firmosur, Veliaj theksoi se të gjithë do të kompensohen metër për metër, edhe për ata që nuk e kishin legalizuar pronën.
"Kanë nënshkruar marrë3veshje për t'iu siguruar që secili të marrë pronën e vet. Por kjo historia që të zaptosh edhe nuk kënaqesh por dhe nuk le të punosh e të bësh rrugë, nuk funksionon. Ça mendojnë ata që nuk e kanë shkelur asnjëherë ligjin? Unë jam gati të marr baltën e atyre që e kanë shkel e nuk i del 400 metra shtëpi, që zaptuan tokën e këtij shteti. Po ata që nuk kanë zaptuar gjë e që paguajnë kredinë, çfarë thonë për ne? Këtë e them për të respektuar atë 99% që nuk kanë shkelur rregullat e po shohin si po na diktojnë ky1%. Ky është argument i mbyllur, ky shtet ka bërë kompensimin metër për metër edhe për ata që nuk e kishin legalizuar. Ata thonë unë e dua ku e kisha e mos ketë rrugë Tirana, nuk shkon kjo. Vendimet i kemi marrë do i qëndrojmë deri në fund, kalojmë bonusin e qirasë, vetëm 5-6% janë ata që nuk kanë firmosur, i ftoj të vijnë t'i marrin dhe do marrin metrat katrorë siç i kanë pasur edhe pse 99% e qytetit ndihet e fyer ndaj këtij bullizmi nga kjo pakicë . Ne do zbatojmë një seri vendimesh që kemi për t'u dhënë qira banorëve dhe sapo të mbarojë ndërtesa t'i japim edhe metrat katrorë", tha Veliaj.
Banorët e '5 Majit', Paskuqanit e Laprakës u ngritës sërish sot në protestë, ku gjysmë ore para nisjes së seancës plenare, u bënë pritë deputetëve duke u kërkuar të dëgjojnë zërin e tyre. Pak minuta më vonë, kryeministri Edi Rama ftoi 3 përfaqësues të tyre në zyrë, brenda ambienteve të Kuvendit. Pas takimit, Rama tha se do të marrin shtëpi, si banorët që kanë certifikatë pronësie si dhe ato të cilët e kanë shtëpinë pa leje. Por banorët nuk mbetën të pakënaqur nga takimi me Ramën, teksa thanë se nuk kanë marrë asnjë garanci dhe se fjalët i merr era, ndërsa shtuan se nuk i lanë të flisnin.
Në kuadër të projektit të rindërtimit dhe rikualifikimit urban në zonën e ‘5 Majit’, qindra banesa janë projektuar për t’u shembur nga IMT. Një pjesë e banorëve nuk kanë pranuar kontratat e propozuara nga bashkia, ku thuhet se do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re me të njëjtat metra katror. Sipas tyre ajo është e njëanshme dhe nuk ka vlerë ligjore.