TIRANËPas Policisë së Shtetit, edhe Bashkia e Tiranës nuk e lejon Grupin Rithemelimit që të mbajë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit protestën më 6 dhjetor, kur në Tiranë mblidhen edhe liderët europianë. Megjithatë, Bashkia i sugjeron ish-kryeministrit Sali Berisha që protestën e tij ta mbajë në sheshin 'Skënderbej'. Bashkisë kërkon një përgjigje nga Rithemelimi nëse do të bien dakord me propozimin për ta zhvilluar në sheshin 'Skëndërbej'.

"Bashkia Tiranë e ka të pamundur t'iu pajisë me një leje për zënien e hapësirës publike për zhvillimin e tubimit që ju kërkoni të zhvilloni në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Duke qenë se për shkak të zhvillimit të samitit të Bashkimit Evropian në qytetin e Tiranës, pjesa më e madhe e rrugëve në qytet do jenë në funksion të mbarëvajtjes së këtij samiti, duke mos cënuar të drejtën tuaj për tubime, ju propozojmë zhvillimin e tij pranë Sheshit Skënderbej. Për sa me sipër, nëse jeni dakord me këtë propozim, na bëni sa me shpejt me dije, që Bashkia Tiranë të vijoj me lëshimin e lejes përkatëse për zhvillimin e këtij tubimi", thuhet në përgjigjen e Bashkisë.

E menjëhershme ishte përgjigjja e Berishës, i cili në një dalje për mediat, pasi bojkotoi mbledhjen e dy Kuvendeve Shqipëri-Kosovë, nuk ndryshoi qëndrimin e tij duke thënë se protestën do e zhvillojnë para kryeministrisë.

“6 dhjetori protesta më e madhe do mbahet para Kryeministrisë, bashkia të mos përzihet se s’ka forcë në botë që mund të pengojë", tha Berisha.

Ky refuzim i bashkisë vjen pasi policia e njoftoi dy ditë më parë PD-në se Sali Berisha mund të zhvillojë protestën më 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë organizohet samiti Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, por jo në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ para Kryeministrisë ashtu siç ka kërkuar. Kjo pasi kërcënohet siguria kombëtare dhe ajo publike. Kjo solli edhe reagimin e Berishës, i cili tha se asgjë nuk do t'i ndalë, por do ta mbushin sheshin plot si kurrë më parë.

Sipas dokumentit të siguruar nga Shqiptarja.com policia i bën me dije të gjitha rrugët të cilat janë caktuar si perimetri i sigurisë dhe brenda këtij perimetri nuk lejohet organizimi i protestës, por që mund të zhvillohet në një vend tjetër. Ndërkohë që Shqiptarja.com ka mësuar gjithashtu se Godina e Kryeministrisë është edhe ajo pjesë e Perimetrit të Sigurisë edhe për shkak të një ‘Plani B’ për organizimin e një Samiti kaq të rëndësishëm, në rast se do të dështonte për arsye të ndryshme plani i parë, ai në Hotel Marriot.

Përgjigja e Bashkisë për grupin e Sali Berishës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:10
Iu refuzua leja për 6 dhjetorin, Berisha sfidon sërish: Bashkia të mos përzihet se s’ka forcë, protesta do mbahet para kryeministrisë

 

Pasi policia e shtetit dhe bashkia e Tiranës i refuzuan lejen e kërkuar për protestën e thirru në 6 dhjetor, ish kryeministri Sali Berisha tha në një deklaratë për mediat se nuk kishte forcë në botë që do ta ndalonte këtë organizim. Më tej ai theksoi se protesta do të mbahej para kryeministrisë dhe kërkoi që bashkia e Tiranës të mos përzihej.

“6 dhjetori protesta më e madhe do mbahet para Kryeministrisë, bashkia të mos përzihet se s’ka forcë në botë që mund të pengojë. Ramës i intereson dhuna atë ditë por bën mirë që as dyert të mos i blindojë se do bëjë lajm botëror. Jemi në protestë pro samitit dhe kundër Ramës”, tha Berisha në deklaratë për mediat.