TIRANË- Nipi i mitur i gazetarit të “pavarur” Çim Peka, pronarit formal të Syri Tv të familjes Berisha, ishte në mesin e 21 të arrestuarve për dhunën që shpërtheu në protestën e Partisë Demokratike të mbajtur më 10 shkurt. I riu me inicialet S.P, është 17 vjeç, dhe në muajin tetor të këtij vit mbush moshën madhore.
Ai ishte në mesin e shtatë të miturve që përfunduan në pranga për goditjen me molotovë, gurë dhe fishekzjarrë ndaj forcave të policisë që ruanin rendin para kryeministrisë dhe më tej te Parlamenti ku militantët u zhvendosën sapo Sali Berisha i dha sinjal për sulm në mbyllje të fjalës së tij poshtë godinës qeveritare.
Ishte Prokuroria e Tiranës që kërkoi këtë masë për 6 prej të miturve, ndërsa njëri për njërin prej tyre kërkoi arrest shtëpie pasi në momentin e arrestimit atij iu gjet një kapsolle. Por, Gjykata vendosi detyrim paraqitjeje dhe tashmë të 7 miturit janë të lirë dhe do të paraqiten në Prokurori 1 herë në muaj. Përballja e tyre me drejtësinë është veçuar nga 17 të arrestuarit e tjerë në moshë madhore, por sërish të rinj, nga 18 deri në 36 vjeç.
Nipi i Çim Pekës dhe 6 të miturit e tjerë, akuzohen për 6 vepra të rënda penale, plagosje të rëndë me dashje, prishje të rendit dhe qetësisë publike, shkelje e rregullave për lëndët djegëse, shkatërrim i pronës me zjarr, dhe kundërshtim i policisë. E megjithë këtë, edhe pse lanë të lënduar 16 efektivë policie të cilët i shënjestruan me molotovë e sende të forta, në mbështetje të grupit të dhunshëm të militantëve, para gjykatës i dolën deputetë të PD-së Belind Këlliçi, Flamur Noka, Elda Hoti, Eno Bozdo dhe Tomorr Alizoti.
Megjithatë, nuk ka asnjë pamje të tyre pranë ambienteve të Gjykatës Penale të Tiranës. Të gjithë operatorët ulën kamerat dhe zgjodhën të mos filmojnë asnjë nga deputetët e opozitës që mbështesin dhunuesit, ndoshta në mesin e tyre, edhe ai që lëshoi bombë molotovë ndaj kolegut të tyre, Aldo Kashri, i cili u përfshi nga flakët, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, teksa ishte në krye të detyrës, duke përcjellë përmes objektivit të kamerës gjithçka ndodhi në protestën 3 orëshe të PD-së.
Përfshirja e të miturve në protestën e 10 shkurtit duke i dalë në ballë dhunës që e përfshiu atë, u akuzua nga përfaqësues të qeverisë, si një skemë e mirëfilltë e urdhëruesve sipas tyre, deputetëve me imunitet dhe vetë Sali Berishës, që të mos ndiqen penalisht autorët e vërtetë. Në hetim për protestën janë vënë 4 deputetët, Luan Baçi, Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Luçiano Boçi, si edhe sekretari organizativ Ervin Minarolli.
Ata u shfaqën dukshëm ende pa nisur protesta, si grup i organizuar, me kapuçë në kokë dhe maska kirurgjikale në fytyrë, me pllaka guri në duar, dhe molotovë artizanalë në shishe benzine lidhur me kapsolla për të shpërthyer me fitil. Në protestë pati dhe “breshëri” fishekzjarrësh.
Për përfaqësues zyrtarë të Policisë të cilët folën edhe përmes ekranit të Report Tv, protestuesit nuk shënjestruan institucionet, por goditën drejtpërdrejtë efektivët. Megjithatë, edhe pse shkoi në spitalin e Traumës të shinte gjendjen e deputetit të tij, Bledion Nallbati, të lënduar në një përplasje me policinë gjatë protestës, Sali Berisha, tha se nuk pa aty asnjë punonjës të uniformave blu, edhe pse aty siç ministria e shëndetësisë tha zyrtarisht, ndodheshin 10 efektivë.
Sulmet e militantëve u përshkallëzuan para Parlamentit, aty ku policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Shumica prej të arrestuarve janë me të njëjtin historik penal, dhunë të ushtruar në tubimet e PD-së.
Komente













KJO REGULLOHET ME KOD PENAL.... DUHET TË NDALOHET BABAI, PESHA PENALE DUHET TI KALOJË BABAIT DHE TI HIQET PRINDËRIMI....
PërgjigjuSerbia i therte te miturit ne bark te nenave ndersa keta i nxjerrin mish per top...e turpshme dhe frikacake
PërgjigjuKjo pune rregullohet vetem kur te arrestohen drejtuesit dhe organizuesit,gjytaret qe i leshoijne duhet shkarkuar nga puna ne vende dhe derguar ne vende te te leshuarve,kete dikush e ka kopetence pavarsisht mos zbatimit,per ndryshe vazhdon vandalizmi 35 vjecare
Përgjigju