"Hakmarrje ndaj kryebashkiakes"! Kështu e ka konsideruar kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi procedimin ndaj saj nga policia për organizimin e protestës ditën e djeshme.

Përmes një deklarate për mediat u shpreh se protestat janë e drejtë e të gjithë qytetarëve duke përfshirë dhe veten atje. Ajo e ka mohuar akuzën se ka qenë iniciatore e dhunës që përfshiu Shkodrën ditën e djeshme teksa tha se aktet e dhunës pas marshimit paqësor të saj dhe disa qytetarëve të tjerë duhet të kishte një reagim tjetër nga policia.

"Shembja e bustit të Enverit që të rinjtë shkodran morën përsipër një risk të madh. Sot pas 30 vitesh situata nuk është e qetë. Jam njohur sot nga mediat, nuk kam pasur njoftim nga policia nën akuzë sot është Policia e Shtetit. Sot më shtohet më shumë dyshimi dhe vëmendja për atë që ishte ngjarja e shëmtuar dje në Shkodër. Protesta paqësore është një e drejtë civile për të gjithë, dhe kryetarit të Bashkisë. Populli do reagojë gjithmonë për këto padrejtësi. Në Shkodër protesta bëhen shpesh, 1 herë në javë. Ne kemi pasur 1 të tillë 1 javë më parë pas orës 22:00 dhe të gjithë ata që marshojnë në qytet thërrasin për një të drejtë sublime dhe kërkojnë që shteti të bëjë detyrën e saj për të parandaluar dhunën.

Unë kam qenë dhe kam lëvizur me qytetarët e Shkodrës nga posta tek sheshi '2 prilli'. Çdo anatemim që bëhet në adresën time është e padenjë për një shtet policor ushtara. Në ushtri jepen urdhra. Detyrat e policisë së shtetit është të mbrojë institucionet dhe qytetarët. Një kërkesë jo vetëm e imja por e të gjithë personave që kanë denoncuar dhunën e ushtruar pas marshimit paqësor duhet të kishin një reagim legjitim. Fakti që nuk ndërhyhet, përkundrazi është një hakmarrje ndaj kryetarit të Bashkisë, nuk më bën përshtypje" - tha Ademi.

Gjithashtu ajo ka mohuar dhe zërat se PD ka qenë një prej organizatorëve të kësaj proteste duke u shprehur e gatshme për të dëshmuar mbi gjithçka. "Ne kemi qenë korrekt me protestat" - tha Ademi.

"Unë do ju bëj me dije dhe kamerat e qytetit të Shkodrës. Do jem një dëshmi për akuzën që kam ndaj Policisë së Shtetit. Mos të guxojë askush që ti veshin politikisht protestat. PD nuk ka organizuar apo udhëhequr një protestë. PD kur organizon protesta, ne kemi dhënë shembullin, ne jemi gjithmonë korrekt. As në periudhën më të errët nuk kemi bërë protesta të tjera. Regjistrimi pranë numrit 129 mund të bëhet publik. Unë jam qytetarja e parë e Shkodrës.

Marr pjesë në të gjithë lëvizjet që mendoj se është e drejtë. Unë jam nga ato që kam denoncuar e para. Institucionet janë ato që na mbajnë rregull në qytet. Mosreagimi është i padenjë. Kanë reaguar protestuesit. Dua tju theksoj se ajo që ka ndodhur, ndodhi pas mbarimit të marshimit. Policia bashkiake ka qenë 24 orë në punë për veprime jo të rregullta që nuk kanë lidhje me qytetarinë. Unë mund tju jap të kamerat e regjistrimit" - tha Ademi.

Policia ka vendosur nën hetim kryebashkiaken në detyrë Voltana Ademi nën akuzën e organizimit të protestave të djeshme. Gjithashtu janë proceduar penalisht dhe 45 persona të tjerë, mes tyre 17 të mitur si dhe 2 punonjës të zjarrëfikëses për shpërdorim detyre.