16 persona kanë përfunduar në pranga pas 9 orësh dhunë dhe shkatërrimi në rrugët e Tiranës. Nga sulmet ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës, te bizneset e bankomatet e shkatërruara, koshat e mbeturinave në flakë dhe përplasjet me Policinë, kryeqyteti u përfshi nga akte të dhunshme dhe vandalizmi. Protagonistë me ishin grupe protestuesish me fytyra të mbuluara, të kamufluar si studentë.

Protesta nisi përpara Ministrisë së Arsimit, e thirrur si një tubim studentor. Pas një ore, situata u përshkallëzua, kur persona me fytyra të mbuluara nisën të hidhnin gurë, vezë, molotovë dhe pllaka trotuari drejt godinës. Ata shkulën kangjellat, dëmtuan portën dhe thyen xhamat e Ministrisë, ndërsa një grup arriti të hynte në oborr.

Policia ndërhyri me gaz lotsjellës, spraj me piper dhe ujë për të shpërndarë turmën, por përplasjet vijuan në disa zona të kryeqytetit. Në Rrugën e Durrësit u sulmua një biznes financiar, ndërsa në rrugë u dogjën kosha mbeturinash.

Disa protestues të maskuar hynë edhe në godinën e Bashkisë së Tiranës, ku thyen objekte dhe ndezën flakadanë. Në orët e fundit, grupe të vogla vijuan aktet e dhunës te Pazari, Rruga e Barrikadave, Brryli dhe pranë Prokurorisë së Tiranës.

Bilanci i raportuar është 20 persona të lënduar, mes tyre 7 efektivë policie, 2 gazetarë, 8 protestues dhe 3 kalimtarë.

Mes të lënduarve është edhe 19-vjeçari Ledion Balla, i cili pësoi një frakturë në këmbën e djathtë, në rrethana ende të paqarta. I riu, i shtruar në Spitalin e Traumës, deklaroi se nuk kishte marrë pjesë në protestë, por ishte vetëm kalimtar.

Pas publikimit të pamjeve, Policia pezulloi nga detyra katër efektivët që shihen duke e mbajtur të riun nga gjymtyrët, si dhe shefin e Rendit në Komisariatin Nr. 1.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është ngritur një grup i posaçëm që do të analizojë të gjitha veprimet e efektivëve, nga fillimi deri në përfundim të protestës.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:56
Çfarë la pas sulmi i dhunshëm te Ministria e Arsimit, gurët ende në oborr, xhamat e bëra copash

1791964080_ministriaarsimitpasprotestes.jpg

Report Tv sjell pamjet që tregojnë pasojat e sulmit të dhunshëm ndaj Ministrisë së Arsimit gjatë protestës së djeshme në Tiranë. Oborri është mbushur me gurë e pllaka trotuari të shkulura, ndërsa disa xhama të Ministrisë janë thyer.

Në vijën e parë të sulmeve ishin protestues me fytyra të mbuluara, të cilët hodhën gurë, pllaka trotuari dhe sende të forta drejt godinës. Ata shkulën edhe kangjellat dhe sulmuan portën, duke arritur të futen në oborrin e Ministrisë.