Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar për protestën e dhunshme të një dite më parë në Zvërnec, gjatë së cilës u lëndua edhe një shtetas i minoritetit grek, duke shprehur keqardhje.

Ministria thotë se autoritetet shqiptar dhe greke kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm lidhur me ngjarjen. Gjithashtu thekson se Shqipëria mbetet e përkushtuar në forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për situatën e regjistruar dje në Zvërnec, ku ndodhi një përplasje fizike ndërmjet një grupi protestuesish dhe punonjësve të një shoqërie private sigurie të kontraktuar nga kompania që po kryen punime në zonë.

Policia e Shtetit ka identifikuar dhe arrestoi punonjësin e shoqërisë së sigurisë, përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj një protestuesi me shtetësi shqiptare dhe greke, ndërsa dy punonjës të tjerë janë proceduar penalisht. Njëkohësisht, është filluar një hetim disiplinor për të verifikuar rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë institucionale përkatëse. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut mbeten vlera themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Lidhur me këtë çështje, autoritetet e të dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm, në nivele të ndryshme.

Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Greqinë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, dialogun e hapur dhe vlerat e përbashkëta evropiane”, thuhet në reagimin e Ministrisë.


Lajmi kryesor:

Minoritari grek u lëndua në protestën në Zvërnec, Athina zyrtare: Të mbrohen të drejtat e pakicave! Reagon Ministria e Jashtme e Shqipërisë: Keqardhje për situatën