Protesta e mjekëve të Urgjencës
reagon MSH: Do të ristrukturohet

Protesta e mjekëve të Urgjencës<br />reagon MSH: Do të ristrukturohet
Pas protestës së mjekëve të Urgjencës së Tiranës, për shkrirjen e kësaj të fundit, pasi sipas tyre aty do të ndërtohet një pallat, ka reaguar Ministria  Shëndetësisë.

“Urgjenca NUK shkrihet dhe as NUK mbyllet,” ka thënë ministria për Report Tv, por do të ristrukturohet. “Shërbimi ristrukturohet, për të qenë sa më pranë qytetarëve dhe për të rritur cilësinë e shërbimit dhe kompetencat profesionale të personelit mjekësor,” sqaroi  MSH.

Sipas ministrisë, për organizimin e funksionimit të Urgjencës Mjekësore në vend po ngrihet Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, brenda së cilës do të ketë një njësi të veçantë e cila do merret me pranimin e thirrjeve të qytetarëve.

"Thirrjet për shërbim urgjence mjekësore në Tiranë do të pranohen po njësoj si deri më sot në një njësi unike, si strukturë e Qendrës kombëtare të Urgjencës Mjekësore. Personeli mjekësor dhe ndihmës që deri më sot ka punuar pranë Urgjencës së Tiranës do të vijojë të jetë pjesë e institucioneve shëndetësore të Tiranës, madje duke u përfshirë në njësi të urgjencës mjekësore shumë më të kualifikuara se deri më sot. Në strukturën organizative të çdo spitali universitar, rajonal dhe bashkiak ku do të këtë të paktën 4 autoambulanca, është përcaktuar koordinatori i flotës së autoambulancave si pjesë e shërbimit të urgjencës së spitalit përkatës. Asnjë individi nuk i cënohet niveli aktual i të ardhurave mujore që buron nga marrëdhëniet e punës," thuhet në njoftimin e MSH-së.

Gjatë paradites, mjekët e Urgjencës së Tiranës protestuan kundër shkrirjes së shërbimit të kësaj urgjence duke iu referuar një njoftimi jo zyrtar, ndërsa paralajmëruarn se nëse MSH nuk tërhiqet nga ky vendim, ata do të hyjnë në grevë urie.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë
Shërbim i Urgjencës Mjekësore për Tiranën as nuk mbyllet dhe as nuk shkrihet. Ky shërbim po riorganizohet për t’i ardhur më mirë në ndihmë nevoja të qytetarëve të Tiranës, për t’iu përgjigjur më shpejt thirrjeve të përditshme dhe për të rritur cilësinë e këtij shërbimi.

Çdo pretendim tjetër është i pavërtetë, ndërsa aludimet e çdo lloji janë thjesht e vetëm spekulime.

Thirrjet për shërbim urgjence mjekësore në Tiranë do të pranohen po njësoj si deri më sot në një njësi unike, si strukturë e Qendrës kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Personeli mjekësor dhe ndihmës që deri më sot ka punuar pranë Urgjencës së Tiranës do të vijojë të jetë pjesë e institucioneve shëndetësore të Tiranës, madje duke u përfshirë në njësi të urgjencës mjekësore shumë më të kualifikuara se deri më sot.

Në strukturën organizative të çdo spitali universitar, rajonal dhe bashkiak ku do të këtë të paktën 4 autoambulanca, është përcaktuar koordinatori i flotës së autoambulancave si pjesë e shërbimit të urgjencës së spitalit përkatës.

Asnjë individi nuk i cënohet niveli aktual i të ardhurave mujore që buron nga marrëdhëniet e punës. 

Për organizimin e funksionimit të Urgjencës Mjekësore në vend po ngrihet Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore. Në këtë qendër, veç të tjerash, do të funksionojë dhe shërbimi kombëtar i komandës dhe kontrollit, pra i pranimit të çdo thirrjeje që do të vijë në numrat telefonikë të urgjencës, dhe dhënia e urdhërit autoambulancës që do të shërbejë për thirrjen konkrete.

Ndërkohë, deri më tani, flota e autoambulancave që ka vendi ofron shërbim të kufizuar kryesisht për mungesë të burimeve të pamjaftueshme njerëzore. Sa për ilustrim, në periudhën 1 nëntor 2015 – 31 janar 2016, autoambulancat e Tiranës kanë shërbyer mesatarisht shërbim vetëm 6 orë e 40 minuta në ditë duke përshkuar rreth 66 kilometra për një territor që shtrihet nga Krraba në kufi me Elbasanin deri në Marikaj në kufi më Durrësin. Nuk ndodh në asnjë vend tjetër normal, që autoambulancat të shfrytëzohen vetëm në 27 % të ditës dhe të rrijnë pushim në 73 % të ditës.

Për këtë arsye, në buxhetin e vitit 2016 janë programuar fonde të nevojshme për të shtuar ndjeshëm numrin e personelit mjekësor dhe atij ndihmës për urgjencën mjekësore pranë cdo spitali të vendit, karburant dhe material të tjera ndihmëse për të shtuar volumin e transportit.

Një pjesë e funksionimit jo të mirë të shërbimit të urgjencës mjekësore lidhet edhe me vendodhjen e papërshtatshme të autoambulancave në territorin e vendit. Për këta arsye, bazuar edhe në dendësinë e popullsisë për kilometër katror, në rrjetin rrugor me asfalt për kilometër katror, vendodhjes së spitaleve, brenda muajit mars 2016, do të jenë përcaktuar edhe vendet ku do të qëndrojnë autoambulancat në mënyrë që t’u përgjigjen sa më shpejt thirrjeve për urgjencë mjekësore.

Sa më sipër, është pjesë e përmbushjes së angazhimit programor për themelimin e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore.

 Është hartuar dhe miratuar në nëntor 2014 Ligji “Për Shërbimin e Urgjencës Mjekësore”. Më tej, Këshilli i Ministrave ka vendosur në dhjetor 2014 ngritjen e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Punimet për ngritjen e godinës kanë filluar në gusht 2015 dhe pritet të përfundojnë në qershor 2016. Janë lidhur edhe kontratat për furnizimin dhe vendosjen e pajisjeve teknollogjike dhe pajisjeve të tjera të mjediseve të punës. Në buxhetin e vitit 2016 janë parashikuar fondet për instalimin e sistemit elektronik të regjistrimit të thirrjeve në numrin unik kombëtar, të administrimit të flotës së autoambulancave dhe të dhënies së urdhërit për shërbimet individuale të urgjencës. Për ngritjen dhe funksionimin e kësaj qendre nga buxheti i shtetit janë shpenzuar dhe do të shpenzohen deri në fillim të vitit 2017 rreth 270 milionë lekë.

Prej 1 nëntor 2015 në cdo autoambulancë është vendosur sistemi i gjurmimit gjeografik të vendndodhjes, GPS.

Po nga data 1 dhjetor 2015 zbatohet në të gjithë shërbimin urgjencës mjekësore zbatohet një mënyrë e re e administrimit të informacionit dhe e dokumentimit të cdo shërbimi në territor duke vendosur për herë të parë standartet europiane në klasifikimin dhe kodifikimin e cdo rasti të shërbyer me autoambulancë.

Që nga fillimi i detyrës, qeveria është angazhuar për të përmirësuar shërbimin e urgjencës mjekësore në vend.

Flota e autoambulancave është shtuar me 20 autoambulanca të reja, ndërsa flota e helikopterëve është shtruar me një helikopter të ri të emergjencës mjekësore. Investimet janë rreth 820 milionë lekë.

Pra, vetëm në për fuqizimin e urgjencës mjekësore të vendit, qeveria ka vënë në dispozicion rreth 1,1 miliardë lekë.

Një hap të ndërmjetëm në territor më shumë, e bëmë gjatë verës me 22 qendrat që hapëm në mbështetje të sezonit turistik, 3 në Alpe dhe 19 në vijën bregdetare, të cilat shërbyen për 3 muaj, 7 ditë në 24 orë. praktikisht, 25 mijë pushuesve që patën nevoja të ndryshme.

Ka filluar zbatimi i një projekti për fuqizimin e urgjencës mjekësore në spitalet e bregdetit (Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Sarandë) me vlerë rreth 470 mijë euro i financuar nga programi i konvertimit të borxhit Italian.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lushnje/ Merr flakë furgoni i mallrave, shpëton mrekullisht shoferi

Lushnje/ Merr flakë furgoni i mallrave, shpëton mrekullisht shoferi