Ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka reaguar ditën e sotme për protestën e zhvilluar dje nga Partia Demokratike, ku si pasojë e dhunës së ushtruar nga militantët demokratë, 16 efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur.

Koçiu shkruan se hedhja e molotovëve, mjeteve piroteknike të tjera sendeve të forta, është një dhunë barbare e ushtruar ndaj uniformës së policisë, e orkestruar nga Sali Berisha. Ministrja thotë se ky nivel protestash është një përpjekje e dështuar e PD për të ardhur në pushtet duke përdorur të mitur për aktet e dhunës me qëllim msodënimin e aktorëve të vërtetë.

Deklarata e plotë e ministres së Brendshme Albana Koçiu:

Përpjekja e dështuar për të ardhur në pushtet duke goditur punonjësit e rendit, duke djegur institucionet, e për më tepër duke përdorur të miturit për të hedhur molotovë apo sende të forta mbi punonjësit e Policisë, që të mos ndiqen penalisht autorët e vërtetë, është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm. Keqpërdorimi i të miturve për të kryer akte dhune është vepër penale, por është gjithashtu një shkelje e rëndë morale. E këtu një rol të posaçëm mund dhe duhet të luajnë institucionet, shoqëria civile dhe vetë familja, për t'i mbrojtur këta ta mitur nga përdorimi dhe instrumentalizimi me qëllime të errëta të politikës kriminale.  

Është pikërisht kjo arsyeja, përse protestat e Partisë Demokratike janë braktisur masivisht nga qytetarët. Duke përfunduar tek një grusht militantësh, apo elementë të paguar për të krijuar skenarë imagjinarë të një revolte popullore. Kjo është e papranueshme. E drejta për të protestuar, nuk është e drejtë për të dhunuar, për të shkatërruar, apo aq më pak, për të tentuar gjymtimin apo vrasjen e efektivëve të Policisë. Ndaj, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk do të qëndrojnë duarkryq. Autorët e këtyre akteve barbare do të ndëshkohen maksimalisht, sipas ligjit.

U bëj thirrje organeve të drejtësisë, t’i trajtojnë me përgjegjësinë maksimale dhe ligjore këto sulme barbare ndaj uniformës, pas të cilave qëndrojnë padyshim urdhëruesit e fshehur pas imunitetit, nën drejtimin e Sali Berishës; një dhunues përsëritës i sulmeve ndaj institucioneve dhe rendit kushtetues.     Personat përgjegjës, duhet të kuptojnë se nuk kanë asnjë mburojë politike mbi kokën e tyre. Kush tenton të vrasë policin, kush tenton të djegë institucionet, nuk merr as çmimin si terroristi më i mirë, as mirënjohjen e partisë së tij, por shkon në burg dhe merr ndëshkimin e parashikuar nga ligji.

Sot, solidaritet maksimal për të gjithë punonjësit e policisë të plagosur, si dhe për të gjithë kolegët e tyre, që edhe një herë më shumë kryen me profesionalizëm detyrën, duke mos rënë pre e një strategjie të qartë terrori, përmes provokimit të përsëritur dhunës e të gjakderdhjes. Vetëpërmbajtja e forcave të rendit, në kushtet më ekstreme, është një garanci e jashtëzakonshme për të gjithë qytetarët e ndershëm, që pavarësisht bindjeve të tyre politike, janë të bashkuar në dëshirën për të mos parë dhunë e aq më pak, ripërsëritjen e ngjarjeve të mbrapshta përpara syve të tyre. Nuk ka asnjë tërheqje përballë akteve kriminale, të një minorance të dhunshme me maska, që fshehin fytyrën, por nuk mbulojnë dot qëllimin e tyre.  Do të jemi përherë në krah të punonjësve me uniformë, gazetarëve dhe njerëzve të medias në krye të detyrës, dhe të gjithë atyre, që e ushtrojnë të drejtën kushtetuese të tubimit, në respekt të ligjit dhe bashkëjetesës në një shoqëri demokratike.


Lajmi kryesor:

Protesta e PD/ Rama: E vetmja parti që ushtron dhunë! Koçiu: Ndëshkim për ata që tentojnë të vrasin policët