Protesta/ Gjekmarkaj humb ndjenjat dhe rrëzohet në tokë! Kryetari i PD: E goditën efektivët! Reagon policia: Berisha gënjen (VIDEO)

TIRANË- Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj është përfshirë në një përplasje me policinë gjatë protestës në zonën e Pallatit me Shigjeta. Mësohet se Gjekmarkaj nuk është ndjerë mirë nga përplasja me policinë dhe është rrëzuar në tokë, duke humbur ndjenjat.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Gjekmarkaj është dërguar te Trauma për ndihmë ku ndodhet në gjendje stabël.
Në video që sjell Report Tv, dallohet momenti kur shumë protestues e kanë rrethuar duke i hedhur ujë dhe duke qenë të irrituar me policinë.

Opozita në bllok pretendoi se Gjekmarkaj është dhunuar nga policia. Kryetari i PD, Sali Berisha tha se është një akt kriminal i porositur nga Rama dhe se ai do mbahet përgjegjës bashkë me ministrin e brendshëm Ervin Hoxha.

Në një reagim policia e shtetit e quajti tërësisht të pavërtetë deklartën

Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta, informon policia. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:41
Humbi ndjenjat gjatë protestës, nga Trauma Gjekmarkaj transferohet te QSUNT (VIDEO)

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, nga Spitali i Traumës po transferohet tek QSUNT me urdhër të mjekëve, për ndihmë më të specializuar.

Më herët u raportua se Gjekmarkaj nuk është ndjerë mirë nga përplasja me policinë dhe është rrëzuar në tokë, duke humbur ndjenjat.

Ora 20:14
Policia përgënjeshtron Berishën: Gjekmarkaj s’u dhunua, u ndje keq dhe iku! Keqardhje për Nokën, goditi efektivët! Janë evidentuar shkelësit, do procedohen

1734978972_saliberisha.jpg

Sali Berisha duke akuzuar Policinë për Gjekmarkajn

Policia e Tiranës ka përgënjeshtruar kreun e PD, Sali Berisha, që akuzoi efektivët se sulmuan dhe dhunuan barbarisht nënkryetarin e partisë dhe Kuvendit, Agron Gjekmarkaj.

Teksa shpjegon se deputeti Gjekmarkaj nuk ishte ndjerë mirë dhe ishte larguar nga Protesta, institucioni mohon se efektivët e kishin goditur.

Gjithashtu Policia denoncoi veprimet e deputetit Flamur Noka, duke shprehur keqardhje për sulmin dhe goditjen e tij ndaj efektivëve në detyrë.

Në fund theksohet se janë identifikuar të gjithë personat e dhunshëm në protestë dhe që shkelën ligjin.

Reagimi i plotë i Policisë Tiranë:

“Policia e Shtetit përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të z. Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë.

Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta.

Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

Policia e Tiranës ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit.

Bllokimi i rrugëve është vepër penale, ç’ka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”.

Ora 19:53
Pretendimi i Balliut: Gjekmarkajt i hipën sipër, policët e sulmuan në mënyrë kafshërore dhe humbi ndjenjat

Klevis Balliu ka folur për situatën e nënkryetarit të Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj, i cili humbi ndjenjat gjatë protestës. Balliu pretendon se Gjekmarkaj është dhunuar nga policia. 

"I hipën sipër duke e sulmuar në mënyrë kafshërore dhe barbare. Ai që ka dhënë urdhrin dhe ai që e ka zbatuar urdhrin do mbajnë përgjegjësi direkte për dhunën e ushtruar. I hipën sipër dhe humbi ndjenjat. Është nisur për në spital, nuk ndihej mirë për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tij. Ata që kanë dhënë këtë urdhër kriminal dhe ata që kanë zbatuar urdhrin kriminal do mbajnë përgjegjësi, këta kriminelë ordinerë, që Dobracit as nuk u përmendin dot emrin, nuk thonë asnjë fjalë për Hajrat, guxojnë të dhunojnë në mënyrë barbare Gjekmarkaj. Do kenë përgjigjen më të ashpër dhe më të fortë, s’kemi për ti falur kurrë. Policët të cilët i përgjigjen krimit të organizuar dhe dalin në SkyEcc s’do vendosin dot kurrë diktaturë. Ta harrojnë ata që me këto presione do mund të na ndalojnë", tha Balliu. 

Ora 19:06
Gjekmarkaj rrëzohet në tokë, Berisha: E goditën kriminelët me uniformë, akt i porositur nga Rama! Do mbahet përgjegjës bashkë me Hoxhën

 

Kreu i PD, Sali Berisha ka reaguar pas situatës me Agron Gjekmarkajn i cili është rrëzuar në tokë, pasi nuk u ndje mirë gjatë përplasjeve me policinë. Berisha pretendon se ‘kriminelët’ me uniformë e kanë goditur ndërsa e quan një akt kriminal të porositur nga Rama.

“Kriminelët me uniformë kanë goditur nënkryetarin e kuvendit dhe nënkryetarin e PD, Agron Gjekmarkaj. Ky është një aktet kriminale i porositur direkt nga Edi Rama, i cili ndjek me tmerr protestën e opozitës dhe përzgjedh drejtues të saj për t’i targetuar. E siguroj Edi Ramën dhe Ervin me 3 mbiemra se do mbahen përgjegjës personal për dhunën fizike ndaj nënkryetarit të PD dhe nënkryetarit të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj. Rama është një hakmarrës i verbër, i cili për pushtetin dhe interesat e tij nuk ndalet para asnjë krimi, por opozita do të qëndrojë dhe t’i tregojë vendin siç e meriton. Dënoj këtë aks të shëmtuar, këtë krim të vërtetë ndaj Agron Gjekmarkajt në mosbindje civile”, tha Berisha.

G.K/SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë