Partia Demokratike do të dalë sërish në protestë ditën e nesërme në Tiranë, në një tubim që pritet të nisë në orën 17:00 përpara Kryeministrisë.
Përfaqësues të PD-së kanë njoftuar zyrtarisht Policinë e Tiranës për zhvillimin e protestës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Për rrjedhojë, Policia e Tiranës ka marrë masa për garantimin e rendit publik, duke paralajmëruar edhe bllokime të qarkullimit në disa segmente rrugore.
Sipas njoftimit të policisë, që nga ora 23:45 e mbrëmjes së sotme do të ndalohet lëvizja dhe parkimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
Ndërsa të shtunën, nga ora 15:00 dhe deri në përfundim të protestës, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Policia paralajmëron se, në varësi të situatës, kufizimet mund të shtrihen edhe në akse të tjera.
Protesta e së shtunës vjen në vijim të foltoreve të përjavshme të PD-së, të cilat janë shoqëruar nga një pjesëmarrje gjithnjë e më të vogël. Nga java në javë, siç është reflektuar edhe në pamjet me dron, numri i pjesëmarrësve është zvogëluar në "një grusht."
Në bulevard kanë mbetur kryesisht besnikët e strukturave të partisë, pavarësisht retorikës së Berishës për përmbysje të qeverisë.
Policia u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara dhe të distancohen nga çdo veprim që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.
Njoftimi i plotë i Policisë
"Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi ditën e nesërme, i cili nis në orën 17:00 para Kryeministrisë.Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private. Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme dhe të nesërme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht: -Nga ora 23:45, të ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”, -Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative. Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, i bejmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kunderligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike".
Komente










