PD protestë përpara Kuvendit, tension me Erjon Braçen, studentët zhvendosen përpara Kryeministrisë

Militantë të Partisë Demokratike janë mbledhur nga qarqe të ndryshme të vendit përpara Kuvendit për të protestuar kundër qeverisë dhe politikave qeverisëse.  Në protestë janë hasur të moshuar, banorë të kryeqytetit, një numër i kufizuar studentësh dhe një pjesë e banorëve të 'Unazës së Re'. 

Protesta është shoqëruar me hedhje tymuesesh, tentativa për të bllokuar daljen e deputetëve socialistë nga Kuvendi si dhe me një përplasje të disa studentëve me deputetin socialist Erjon Brace. Ajo u zhvillua paralelisht me seancën plenare ku opozita është rikthyer pas pesë muajsh duke thyer kështu bojkotin disa mujor e duke shpëtuar mandatet e saj. Rikthimi i opozitës në parlament është shoqëruar edhe me provokimin e një incidenti, ku deputeti i PD Endri Hasa u ngrit dhe e qëlloi me vezë dhe një top boje në drejtim të kryeministrit Edi Rama teksa ky i fundit po fliste nga foltorja për protestën e studentëve dhe rikthimin e opozitës.(Lexo këtu)

Ajo pjesë e studentëve që ishte në këtë protestë, u zhvendos përpara Kryeministrisë duke iu bashkuar kështu pjesës tjetër të studentëve të cilët nuk vendosën të protestonin përpara Kuvendit.

Shumica e tyre vijon të refuzojë dialogun me kryeministrin Edi Rama, ndonëse ky i fundit publikoi dje "Paktin për Universitetin", si demonstruese të planit konkret të qeverisë për të plotësuar pikat e kërkuara nga studentët. (Lexo këtu) E megjithatë, ka edhe nga ata studentë që kanë deklaruar se protestës së tyre, të zgjatur në më shumë se dy javë, do t'i japin fund ditën e nesërme (21 dhjetor) për t'u rikthyer në muajin janar. (Lexo këtu)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:04
Studentët: I duam tarifat sa Erjon Braçe, deputeti socialist: Po ku e keni etikën? (VIDEO)

Teksa deputeti socialist Erjon Braçe ka dalë nga Kuvendi dhe i është drejtuar "Pedonales", ai është përballur me disa studentë protestues të cilët e kanë ofenduar. Ata dëgjohen në video teksa i thonë: "Çfarë shembulli je?", "Kopuk" dhe "Ik, o provokator". Braçe u drejtohet duke e vendosur theksin tek etika e tyre, por këta të fundit nuk kanë hequr dorë nga thirrjet. Ndërkohë që ai largohet, studentët dëgjohen në kor teksa thërrasin "I duam tarifat sa Erion Braçe". 

Ora 12:19
'Hajdutë', militantët e PD-së nuk lejojnë deputetët e PS-së të dalin nga Kuvendi

Protestuesit duket se kanë penguar për disa minuta daljen e deputetëve të Partisë Socialiste nga Kuvendi. Teksa kanë dalë nga seanca plenare, e cila u spostua për në orën 18:00, ata janë përballur edhe me fyerje të njëpasnjëshme, ku më e përdorura ishte "hajdutë".

Moment i daljes së deputetëve socialistë nga Kuvendi
Ora 11:18
Protestës përpara Kuvendit i bashkohen edhe banorët e 'Unazës së Re'

Protestës së Kuvendit iu janë bashkuar edhe protestuesit e "Unazës së Re", të cilët vijojnë të kundërshtojnë projektin "Unaza e Madhe" dhe rrjedhimisht edhe shembjen e shtëpive të tyre. Njëri prej tyre është shprehur për gazetaren e Report Tv se banorët e "Unazës së Re" i janë bashkuar protestës në Kuvend për t'u mbrojtur nga 'lufta shfarorëse' e qeverisë. "Për tu mbrojtur nga gjenocidi që po na bëhet. Të gjithë kemi të njëjtën kauzë, të mbrohemi nga gjenocidi", tha ai.

Banorët e Unazës së Re në protestë
Ora 10:40
Protestë përpara Kuvendit, protesta 'tymoset' nga militanti i PD-së (VIDEO)

Protesta përpara Kuvendit, sikurse u paralajmërua, ka nisur dhe në të është pikasur Gentjan Gjonaj. I njohur si një ndër militantët më aktivë të PD, ai ka hedhur një tymuese përpara Kuvendit, aty ku po zhvillohet paralelisht seanca plenare. Kjo nuk është hera e parë që Gentjan Gjonaj ndërmerr akte të tilla përgjatë protestave të zhvilluara. Por kush është Gentjan Gjonaj? (Lexo këtu)

Pamje nga momenti i hedhjes së tymueses përpara Parlamentit
Ora 10:14
Gjirokastër, PD: 150 persona të mobilizuar, për të protestuar përpara Kuvendit

Partia Demokratike ka njoftuar se nga Gjirokastra do të vijnë drejt Tiranës 150 persona. Sikundër pjesa tjetër e mobilizuar e militantëve demokratë, edhe ata do t'i drejtohen Kuvendit nga ku do të protestojnë për gjendjen e rënduar ekonomike, taksat e larta, e ku do të shprehin mbështetjen e tyre karshi kauzave të ngritura të studentëve, të cilët tanimë janë futur në ditën e 17 të protestës. 

Ora 10:08
Protesta, PD: 450 persona nga Korça dhe 400 nga Devolli, drejt Tiranës

Partia Demokratike ka njoftuar gjithashtu se 400 persona janë mobilizuar nga Devolli dhe 450 të tjerë nga Korca, për t'iu bashkuar pjesës tjetër të mobilizuar. Të gjithë personat e mbledhur nga qarqet përkatëse do të protestojnë sot përpara Kuvendit, përgjatë seancës plenare ku do të diskutohen një sërë cështjesh.

 

Ora 09:03
PD: 250 kuksianë do t'i bashkohen protestës përpara Kuvendit (VIDEO)

250 militantë të PD-së janë nisur në orët e para të mëngjesit nga qarku i Kukësit, drejt Tiranës. Sipas njoftimit të Partisë Demokratike edhe ky numër do t'i bashkohet personave të ardhur nga qytetet e tjera të Shqipërisë, për të protestuar për gjendjen e rënduar ekonomike, si dhe për të shprehur mbështetjen karshi kauzës studentore. 

Ora 08:57
Protesta, PD e Vlorës: 700 persona do t'i drejtohen Kuvendit (VIDEO)

Partia Demokratike e Vlorës ka konfirmuar se 700 persona janë nisur nga qyteti bregdetar drejt kryeqytetit, për të protestuar përpara Kuvendit. Këta persona mendohet të jenë të mbledhur nga Vlora, Himara dhe Selenica. Nisja është kryer prej selisë së PD-së dhe në disa pika të tjera të qytetit, që prej orëve të para të mëngjesit. 

Ora 08:50
Fier, militantët e PD-së me autobus dhe automjete private drejt Tiranës (VIDEO)

Partia Demokratike ka mobilizuar edhe nga Fieri militantë të saj, të cilët priten të mbërrijnë në kryeqytet me një autobus dhe me disa automjete private. 

Ora 08:40
Protesta përpara Kuvendit/ Shkodër, PD: Rreth 1000 persona drejt Tiranës (VIDEO)

Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, sot janë nisur nga Shkodra rreth 1000 persona. Këta të fundit priten të mbërrijnë përpara Kuvendit, aty ku mendohet se do të protestojnë për gjendjen e rënduar ekonomike, taksat e larta dhe për situatën aktuale në arsim për të cilën studentët po protestojnë për 17 ditë me radhë. Konkretisht janë nisur 5 autobusë, disa furgone dhe disa makina private. Kryetari i Partisë Demokratike në Shkodër, Xhevdet Amuli është shprehur  ndaj këtij mobilizimi se forca e tij politike është pranë studentëve dhe kundër qeverisë. “Ka shumë arsye për të cilat ne protestojmë sot, si largimi i rinisë dhe taksat e larta në shumë familje me varfëri ekstreme. Kjo protestë është e domosdoshme për përmbysjen e regjimit të Edi Ramës”.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Erik: 20/12/2018 12:01

    Kemi nisur kaq dhe aq si dikur kur raportonin kooperativat, kemi realizuar planin 120%, por ne realitet as 70% s'ishin bere.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë