Ashtu sikurse Universiteti i Tiranës, Universiteti i Arteve deklaron se i mbështet 8 kërkesat e formuluara nga studentët, të cilët janë futur tashmë në ditën e dhjetë të protestës.

Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare, Senati Akademik i Universitetit të  Arteve shprehet se e sheh si të nevojshme përgjysmimin e tarifave të shkollimit, si dhe t’i kërkojë Bordit të Administrimit përllogaritjen e efektit financiar për UART.

Senati bën gjithashtu me dije do të marrë përsipër të ngrejë një grup të përbashkët pune, pedagogë dhe studentë, për shqyrtimin e të gjitha problematikave të ngritura dhe cështjeve që lidhen me përmirësimin e veprimtarisë së UART.

Ndërkohë që studentët po protestojnë për të dhjetën ditë (Lexo këtu), presidenti Ilir Meta ktheu dekretin për Buxhetin 2019 me pretendimin se duhen reflektuar kërkesat e tyre. (Lexo këtu) Vendimi i tij u komentua edhe nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar si një formë presioni mbi studentët për të qëndruar në kor kundër dialogut me të. (Lexo këtu)

Deklarata e plotë e Senatit Akademik të Universitetit të Arteve:

Senati Akademik i Universitetit të Arteve (UART), në mbledhjen e datës 13.12.2018 si dhe në zbatim të kompetencave të tij ligjore dhe në mbështetje të protestës së studentëve, në mbledhjen e tij vendosi unanimisht që të shprehet në këtë deklaratë:

1. Të mbështesë kërkesat e formuluara nga studentët. 2. Të mbështesë si të nevojshme përgjysmimin e tarifave të shkollimit dhe t’i kërkojë Bordit të Administrimit përllogaritjen e efektit financiar për UART.

3. Senati Akademik i UART merr përsipër me përgjegjësi përfshirjen e të gjitha mekanizmave financiarë, materialë dhe proceduralë për të garantuar transparencë maksimale dhe realizimin e tyre brenda vitit akademik 2018-2019, të të gjitha hapave të duhura drejt një arsimimi artistik cilësor, etikës në krijimtari e kërkim shkencor, por dhe përfshirjes direkte të studentëve,.

4. Senati Akademik i UART mer përsipër përfshirjen në statut dhe rregulloret e brendshme të institucionit, kodifikimin e rregullave të qarta që do të garantojnë pjesëmarrjen e nevojshme të studentëve në veprimtaritë akademike dhe financiare.

5. Senati Akademik i UART mer përsipër të ngrejë një grup të përbashkët pune, pedagogë dhe studentë, për shqyrtimin e të gjitha problematikave të ngritura dhe çështjeve të tjera që lidhen me përmirësimin e veprimtarisë së UART.

6. Kjo deklaratë, të publikohet në faqen zyrtare të UART.