Për të disatën herë me radhë, banorët e zonës historike të Durrësit u mblodhën në protestë përpara bashkisë së qytetit. Ata kundërshtojnë vleren e shpronësimeve që parashikohen të kryhen në kuadër të projektit “TID Durrës” dhe kërkojnë që pushteti vendor të ndërpresë menjëherë procedurat që prekin 74 familje. Sipas banorëve, ky projekt është i padrejtë, me elementë korrupsioni dhe përzgjedhje selektive.
Gjatë tubimit të kësaj të enjteje në sheshin qendror, protestuesit akuzuan deputetët socialistë që kanë mbështetur projektin, duke theksuar se asnjëri prej tyre nuk ka ardhur të takohet me familjet që rrezikojnë të humbasin banesat dhe bizneset e tyre.
Në të njëjtën kohë, qytetarët durrsakë që mbështesin kauzën e familjeve të prekura nga prokejti TID, firmosën një peticion kundër shpronësimeve, duke i cilësuar si të padrejta dhe me vlera shumë të ulëta.
Kundërshtitë e banorëve janë dërguar edhe në Gjykatën Administrative dhe në SPAK, por kërkesa për sigurim padie është refuzuar nga gjykata, ndërsa SPAK e ka përcjellë çështjen për shqyrtim tek Gjykata Administrative.
Prej më shumë se një muaji, përfaqësuesit e 74 familjeve kanë organizuar protesta të shumta përpara Bashkisë së Durrësit, fondacionit AADF dhe institucioneve të tjera shtetërore, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të projektit “TID Durrës”, i cili, sipas tyre, parashikon shembjen e shtëpive të tyre për të ndërtuar hapësira të gjelbërta dhe lulishte.
Projekti TID (Transformimi i Integruar i Durrësit) synon të ndryshojë qendrën historike të qytetit përmes krijimit të një parku arkeologjik, restaurimit të monumenteve dhe hapësirave publike, duke e kthyer zonën në një atraksion të ri turistik dhe kulturor.
Komente










