Një grup demokratësh në Fier ashtu si dje edhe sot pritën kryeministrin Edi Rama me protesta. Me pankarta në duar dhe thirrje 'Rama ik' në një moment situata mes protestuesve dhe policisë u tensionua, ndërsa kryetari i degës së Partisë Demokratike në Fier, Luan Baçi akuzoi efektivët për provokim. "Protesta jonë është paqësore, ne nuk provokojmë, po protestojmë kundër qeverisë dhe kryeministrit. Ne nuk jemi provokatorë si ju" tha ndër të tjera Baçi.

Ndërkohë që një efektiv i FNSH-së u lëndua nga protestuesit, pasi u godit me gurë në kokë, policia bëri thirrje për shpërndarje të turmës, pasi tubimi ishte i paligjshëm. Protesta zgjati deri kur mbaroi takimi i Ramës. Për protestën e djeshme u shoqëruan mbrëmë 50 persona, nga të cilët katër u arrestuan, ndërsa 41 po hetohen në gjendje të lirë për tubim të paligjshëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:32
U plagos gjatë protestës së PD-së, Ardi Veliu viziton punonjësin e FNSH-së në spital

Drejtori i Përgjithshëm i  Policisë së Shtetit Ardi Veliu,  vizitoi në Spitalin e Fierit, punonjësin e FNSH-së të  lënduar paraditen e sotme  në protestë në vendin e quajtur "ETC" Fier.

Efektivi i policisë është plagosur gjatë tensioneve me protestuesit e Partisë Demokratike paraditen e sotme në qytetin e Fierit. Polici u qëllua në kokë me gurë.

Veliu u informua nga ekipi mjekësor se gjendja shëndetësore  e punonjësit të Policisë është stabilizuar.

Ai i uroi shërim të shpejtë punonjësit të policisë, si dhe falënderoi ekipin mjekësor për gatishmërinë dhe kujdesin e treguar.

Ora 13:13
Protesta në Fier/ Ish-deputetja e LSI-së: E ka rrethuar qytetin me FNSH-në nga frika

E pranishme në protestën e opozitës në Fier ishte edhe ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj. "Ka 2 dite qe kryeministri mbledh me urdher dhe kercenime per largim nga puna, qytetare qe i perdor si dekor te shfaqeve te tij. Dergon autobusa me njerez edhe nga Vlora se nuk arrin dot te mbushe takimet. Qe prej dites se djeshme Roskoveci, Patosi dhe Fieri jane ne shtetrrethim. Kane arrestuar ne menyre te paligjshme mbi 40 qytetare dhe kane sjelle bandat e tyre kriminale per te kercenuar qytetaret.  Gjithe qyteti i Fierit eshe i rrethuar me polici, ka sjelle FNSH qe i perdor si bodyguard personal. Frika e ka mbytur Kryeministrin, gjen tunele e skuta. Edi Rama dhe besniket e tij te maten mire perpara se te prekin e kercenojne qofte edhe nje qytetarte vetem, nuk do u ndahemi derisa te paguajne per shkaterrimet dhe krimet qe kane kryer.  Qytetaret protestojne paqesisht, kryeministri ka frike edhe ti shohe, dergon trupat e police se shtetit per ti shperndare" tha ajo.

Ora 13:12
U godit efektivi i FNSH-së, policia: Protestuesit tentuan të çanin kordonin

Policia e Fierit ka reaguar pas protestës së PD-së ku u godit një efektiv i FNSH-së u godit në kokë me gurë.  "Sot paradite u grumbulluan për të protestuar rreth 150 protestues me pankarta dhe zhurmues. Gjatë protestës pati tentativa për të çarë kordonin policor, si dhe u goditën me sende të forta forcat e Policisë.

Për pasojë u plagos në kokë një punonjës policie i FNSH-së, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Fier. Grupi hetimor do të analizojë  provat dhe pamjet filmike për të vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e sulmit ndaj punonjësit të rendit" deklaron policia.

Ora 12:50
Mbyllet protesta e PD-së në Fier, priten shoqërimet nga policia

Pas mbi tre orësh, Partia Demokratike ka mbyllur protestën në Fier, ndërsa policia pritet që të shoqërojë personat që u përfshinë në tensione me efektivët, teksa njëri prej tyre mbeti i plagosur dhe u dërgua në spital. Pas përfundimit të takimit të Ramës, protestuesit u larguan duke u shpërndarë.

Ora 11:13
Protesta e PD-së në Fier/ Plagoset njëri nga efektivët e policisë (VIDEO)

Një nga efektivët e policisë është plagosur gjatë tensioneve me protestuesit e Partisë Demokratike paraditen e sotme në qytetin e Fierit. Polici është qëlluar në kokë me gurë, ndërsa është dërguar në spital për mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Polici i lënduar në Fier