Rrethimi me tela me gjemba i një sipërfaqeje të konsiderueshme pranë lagunës së Nartës, në kufi me fshatin Zvërnec ka ngritur alarmin për shkatërrim të zonës së mbrojtur. Organizatat mjedisore dhe disa banorë të zonës dolën sërish në protestë këtë të shtunë, duke kërkuar ndërprerjen e punimeve me argumentin se po shkatërrohet natyra.
Protestuesit tentuan të hyjnë në kantier dhe u përplasën me policinë private, të kontraktuar nga kompania që po kryen investimin “Zvërnec South Adriatic Development”. Protesta ka nxitur reagim publik sepse policët privatë që shfaqen të maskuar, hedhin spraj me piper ndaj protestuesve.
Një nga rojet private që dhunoi dhe mori zvarrë protestuesin në Zvërnec, është arrestuar mbrëmjen e sotme. Më herët Blutë e Vlorës deklaruan se nisën hetimet për 2 punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, ndërsa po hetohen në gjendje të lirë edhe 15 pjesëmarrës në tubim.
Një grua ka pësuar gjendje të fikëti. ‘Maskat’ në kantierin e ndërtimit nuk kursejnë as uniformat blu. Ajo që nuk dihet është se me çfarë autorizimi ata përdorin spraj kundër protestuesve dhe policëve?
Për situatën e tensionuar ka reaguar në rrjetet sociale edhe Adriatik Lapaj, kreu i Shqipëria Bëhet.
“Askush nuk mund të marrë zvarrë shqiptarët. Junta e Edi Ramës duhet rrezuar. Ligjet për investimet strategjike duhen shfuqizuar”, thotë ai.
Disa orë pas protestës, Policia e Vlorës reagoi për përplasjen në Zvërnec gjatë tubimit të banorëve që kundërshtojnë zbatimin e projektit ndërtimor. Policia thotë se mori masat e nevojshme si për garantimin e tubimit ashtu edhe për mbrojtjen e pronës private.
Në njoftimin zyrtar, Policia thotë se një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme. Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, është futur brenda rrethimit të kantierit dhe është tërhequr me forcë nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, dhe ka mbetur i dëmtuar.
Por ky fakt i raportuar nga policia e Vlorës mohohet nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit, e cila thotë se qytetari nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit.
Pas raportimit të gabuar, kreu i policisë së shtetit Skënder Hita ka pezulluar nga detyra drejtorin e policisë së Vlorës, Elidon Çela.
"Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.
Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë", thuhet në njoftimin e Policisë.
Paralelisht në Sheshin e Flamurit u zhvillua një tjetër protestë e thirrur në rrjetet sociale nga aktivistët Sazan Guri dhe Klajdi Kola, e cila pati pjesëmarrje të ulët dhe nuk u shënuan incidente.

Dhoma e Avokatisë Vlorë ka reaguar për dhunën që disa roje private të sipërfaqes që rrethuar në Zvërnec, ushtruan ndaj një qytetari që protestonte kundër ndërtimit të resortit, me pretendimin se toka është private.
Përmes një deklarate të postuar në rrjetet sociale, Dhoma e Avokatisë Vlorë, duke iu referuar atyre që pretendohet se janë roje private dhe që dhunuan qytetarin, thotë se "nëse këta persona nuk kanë qenë funksionarë të ligjshëm që vepronin në përputhje me procedurat ligjore, atëherë kemi të bëjmë me një ngjarje që ngre dyshime serioze për vepra penale të rënda".
Reagimi i plotë:
Pamjet e bëra publike nga Zvërneci nuk janë thjesht shqetësuese; ato përbëjnë një alarm serioz për funksionimin e shtetit ligjor. Një qytetar tërhiqet me forcë, zvarritet dhe merret nga persona të paidentifikuar, ndërsa opinioni publik mbetet ende pa përgjigje të qarta dhe bindëse nga institucionet përgjegjëse.
Nëse këta persona nuk kanë qenë funksionarë të ligjshëm që vepronin në përputhje me procedurat ligjore, atëherë kemi të bëjmë me një ngjarje që ngre dyshime serioze për vepra penale të rënda. Nëse kanë qenë funksionarë shtetërorë, atëherë lind pyetja nëse janë respektuar kompetencat dhe procedurat që ligji parashikon. Në të dy rastet, heshtja institucionale është e papranueshme.
Pyetjet që sot kërkojnë përgjigje publike nga Policia e Shtetit dhe veçanërisht nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë janë të drejtpërdrejta:
A është regjistruar procedim penal për këtë ngjarje?
A janë identifikuar personat që ushtruan forcë ndaj qytetarit?
Nëse jo, çfarë veprimesh konkrete hetimore janë kryer deri tani?
A ekziston dyshimi për vepra penale që lidhen me heqjen e paligjshme të lirisë, vetëgjyqësinë, dhunën apo vepra të tjera të parashikuara nga Kodi Penal?
Përse nuk është shoqëruar, ndaluar apo marrë në pyetje asnjë prej personave që shfaqen në pamje duke ushtruar forcë?
A do të kishte reaguar në të njëjtën mënyrë prokuroria nëse viktimë do të ishte një prokuror, gjyqtar, oficer policie apo familjar i tyre?
Dhe pyetja më e rëndë që sot ngrihet natyrshëm nga çdo qytetar është:
Çfarë po prisni? T'ju rrëmbejnë edhe ju që të kuptoni seriozitetin e ngjarjes?
Shteti ligjor nuk mund të funksionojë me standarde të dyfishta. Kur një qytetar merret me forcë në mes të ditës nga persona të paidentifikuar, reagimi i parë i institucioneve duhet të jetë identifikimi, ndalimi dhe hetimi i menjëhershëm i autorëve, jo pritja, heshtja apo justifikimi.
Mosveprimi në raste të tilla është po aq i rrezikshëm sa vetë ngjarja. Ai krijon perceptimin se në këtë vend kushdo mund të marrë rolin e ligjit në duart e veta dhe se institucionet reagojnë vetëm kur presioni publik bëhet i padurueshëm.
Prokuroria e Vlorës ka jo vetëm kompetencën, por edhe detyrimin kushtetues e ligjor të veprojë menjëherë, me vendosmëri dhe transparencë. Çdo vonesë dëmton besimin e publikut te drejtësia dhe forcon bindjen se qytetari i zakonshëm nuk gëzon të njëjtën mbrojtje që ligji garanton në letër.
Sot nuk kërkohet asgjë më shumë sesa zbatimi i ligjit. Identifikoni autorët. Hetoni ngjarjen. Informoni publikun. Vendosni përgjegjësi. Sepse askush nuk duhet të ndihet i pasigurt në vendin e vet dhe askush nuk mund të lejohet të sillet si mbi ligjin.

Një nga rojet private që dhunoi dhe mori zvarrë protestuesin në Zvërnec, është arrestuar mbrëmjen e sotme.
Më herët, policia njoftoi se ka vënë nën hetim 2 rojet private që tërhiqnin prej krahësh një protestues në Zvërnec, teksa ky i fundit kishte humbur ndjenjat për shkak se u grushtua nga roje i tretë.
Këto janë pamjet kur dy policë privatë dhunojnë protestuesin në Zvërnec.
Në videon e publikuar dëgjohen edhe britmat e qytetarëve të tjerë që shkojnë drejt gardhit teksa dy rojet private tërheqin zvarrë protestuesin për disa metra.
"Mos e prekni me dorë", dëgjohet të thotë një qytetare.

Drejtori i policisë Vlorë Elidon Çela është pezulluar nga detyra përmes një vendimi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Skënder Hita. Sipas njoftimit vendimi erdhi pas një deklarate nga Policia e Vlorës në lidhje me protestën e sotme në zonën e Zvërnecit, ku tha se se një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme.
Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është tërhequr nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, dhe ka mbetur i dëmtuar, thanë blutë e Vlorës.
Por ky fakt i raportuar nga policia e Vlorës mohohet nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit, e cila thotë se qytetari nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.
Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.
Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.
Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.
Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor.

Momenti kur rojet private tërheqin protetsuesin
Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht disa orë pas protestës kundër resortit në Zvërnec, ku policë privatë të kontraktuar nga shoqëria që do realizojë ndërtimin, shfaqen të maskuar dhe hedhin spraj me piper ndaj protestuesve. Policia thotë se dy punonjës të shoqërisë private të sigurisë janë vënë nën hetim, pasi një protestues që u fut me forcë brenda rrethimit të kantierit, e tërhoqën deri në një ambient të përcaktuar për rojet dhe është mbajtur aty brenda.
Këtu policia thotë se ndërhyri, për të nxjerrë protestuesin nga vendi I rojës, ku e mbanin punonjësit e policisë private.
Banori protestues i kallëzoi në polici, dhe blutë e Vlorës thonë se nisën hetimin për 2 punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, 35 dhe 41 vjeç, me banim në Tiranë
Policia thotë se 15 protestues janë vënë në hetim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë
Më datë 30.05.2026, është zhvilluar një tubim i organizuar nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”, të cilët kundërshtojnë zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private.
Policia e Vlorës, pas njoftimit të marrë nga banorët për zhvillimin e këtij tubimi, ka marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e pronës private.
Gjatë tubimit, situata është përshkallëzuar dhe një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit të kompanisë.
Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet.
Gjatë shoqërimit nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, shtetasit E. S. i janë shkaktuar dëmtime trupore.
Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilat kanë nxjerrë shtetasin E. S. nga ambienti ku mbahej nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë. Më pas, ai është paraqitur në ambientet e DVP Vlorë, ku ka bërë kallëzim ndaj dy punonjësve të kësaj shoqërie.
Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht dy punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, konkretisht shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Po në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht edhe 15 shtetas pjesëmarrës në tubim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Komente









A eshte zone e mbrojtur? Perse ndertohet?
Përgjigju