Rrethimi me tela me gjemba i një sipërfaqeje të konsiderueshme pranë lagunës së Nartës, në kufi me fshatin Zvërnec ka ngritur alarmin për shkatërrim të zonës së mbrojtur. Organizatat mjedisore dhe disa banorë të zonës dolën sërish në protestë këtë të shtunë, duke kërkuar ndërprerjen e punimeve me argumentin se po shkatërrohet natyra.

Protestuesit tentuan të hyjnë në kantier dhe u përplasën me policinë private, të kontraktuar nga kompania që po kryen investimin “Zvërnec South Adriatic Development”. Protesta ka nxitur reagim publik sepse policët privatë që shfaqen të maskuar, hedhin spraj me piper ndaj protestuesve.

Një grua ka pësuar gjendje të fikëti. ‘Maskat’ në kantierin e ndërtimit nuk kursejnë as uniformat blu. Ajo që nuk dihet është se me çfarë autorizimi ata përdorin spraj kundër protestuesve dhe policëve?

Për situatën e tensionuar ka reaguar në rrjetet sociale edhe Adriatik Lapaj, kreu i Shqipëria Bëhet.

“Askush nuk mund të marrë zvarrë shqiptarët. Junta e Edi Ramës duhet rrezuar. Ligjet për investimet strategjike duhen shfuqizuar”, thotë ai.

Disa orë pas protestës, Policia e Vlorës reagoi për përplasjen në Zvërnec gjatë tubimit të banorëve që kundërshtojnë zbatimin e projektit ndërtimor. Policia thotë se mori masat e nevojshme si për garantimin e tubimit ashtu edhe për mbrojtjen e pronës private.

Në njoftimin zyrtar, Policia thotë se një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme. Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, është futur brenda rrethimit të kantierit dhe është tërhequr me forcë nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, dhe ka mbetur i dëmtuar.

 Këtu policia thotë se ndërhyri, për të nxjerrë protestuesin nga vendi i rojës, ku e mbanin punonjësit e policisë private. Të dy janë vënë në hetim, bashkë me 15 protestues.

Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në një reagim tjetër hedh poshtë deklaratën e tyre, teksa raportohet Skënder Hita ka pezulluar Elidon Çelën, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

"Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar  të  Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.

Në këto rrethana dhe pavarësisht se  në të gjithë pjesën tjetër  komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast", thuhet në njoftim

Paralelisht në Sheshin e Flamurit u zhvillua një tjetër protestë e thirrur në rrjetet sociale nga aktivistët Sazan Guri dhe Klajdi Kola, e cila pati pjesëmarrje të ulët dhe nuk u shënuan incidente.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:15
Përplasja në Zvërnec, Policia e Vlorës: 2 policë privatë në hetim, dhunuan protestuesin! Procedohen edhe 15 banorë

1780157809_protestanezvernec.jpg

Momenti kur rojet private tërheqin protetsuesin

Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht disa orë pas protestës kundër resortit në Zvërnec, ku policë privatë të kontraktuar nga shoqëria që do realizojë ndërtimin, shfaqen të maskuar dhe hedhin spraj me piper ndaj protestuesve. Policia thotë se dy punonjës të shoqërisë private të sigurisë janë vënë nën hetim, pasi një protestues që u fut me forcë brenda rrethimit të kantierit, e tërhoqën deri në një ambient të përcaktuar për rojet dhe është mbajtur aty brenda.

Këtu policia thotë se ndërhyri, për të nxjerrë protestuesin nga vendi I rojës, ku e mbanin punonjësit e policisë private.

Banori protestues i kallëzoi në polici, dhe blutë e Vlorës thonë se nisën hetimin për 2 punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, 35 dhe 41 vjeç, me banim në Tiranë

Policia thotë se 15 protestues janë vënë në hetim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë

Më datë 30.05.2026, është zhvilluar një tubim i organizuar nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”, të cilët kundërshtojnë zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private.

Policia e Vlorës, pas njoftimit të marrë nga banorët për zhvillimin e këtij tubimi, ka marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e pronës private.

Gjatë tubimit, situata është përshkallëzuar dhe një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit të kompanisë.

Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet.

Gjatë shoqërimit nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, shtetasit E. S. i janë shkaktuar dëmtime trupore.

Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilat kanë nxjerrë shtetasin E. S. nga ambienti ku mbahej nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë. Më pas, ai është paraqitur në ambientet e DVP Vlorë, ku ka bërë kallëzim ndaj dy punonjësve të kësaj shoqërie.

Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht dy punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, konkretisht shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Po në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht edhe 15 shtetas pjesëmarrës në tubim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

SI.E./Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ter: 30/05/2026 17:07

    A eshte zone e mbrojtur? Perse ndertohet?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 27 Maj, 09:19

    Shqipëria nis mbylljen e kapitujve për anëtarësim, a do realizohet objektivi BE 2030?