Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka folur këtë të hënë për protestën studentore, që tanimë i është futur ditës së 14-të. Balla u shpreh për mediat se qëndrimi i qeverisë vazhdon të qëndrojë i njëjti, duke theksuar se dialogu midis saj dhe studentëve duhet të shkojë përtej tetë pikave të parashtruara. Balla tha se qeveria nuk do të bëhet pjesë e skenarit të opozitës dhe e cilësoi seancën plenare të së enjtes së kaluar si një skenar ku kërkesat e studentëve u vendosën në lojë.
Po ua them edhe studentëve që kam poshtë dritares së zyrës sime, pavarësisht se nuk janë vetëm studentë, sepse pashë edhe punonjës të Bashkisë Kamëz, që të kuptojnë se dialogu dhe bashkëqeverisja e mirëfilltë mes qeverisë dhe studentëve është mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemeve.
Ne kemi dhënë modelin më të mirë me propozimin që bëmë ditën e enjte dhe të premte, ku përsëri unë u bëj thirrje të gjithë studentëve anembanë vendit nga Shkodra në Vlorë, nga Gjirokastra në Elbasan, nga Durrësi në Tiranë, të vijnë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ballë për ballë me kryeministrin, vetëm ata dhe kryeministri, për të dialoguar.
Taulant Balla, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së
I pyetur për Ligjin e Arsimit të Lartë, Balla tha se, ndonëse implementimi i tij nuk është në tërësi dhe thellësi,kjo nuk e hedh poshtë rëndësinë e autonomisë së universiteteve publike. Balla ritheksoi se krahas tetë pikave, studentët dhe qeveria duhet të ballafaqohen në Kuvend edhe për cështje të tjera të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejtë në Arsimin e Lartë.
Të gjithë e dinë se ligji i arsimit të lartë është themeli i ngritjes së një Universiteti publik mbi bazën e eksperiencave dhe standardeve më të mira europiane. Por implementimi i tij nuk është sot tërësisht i plotë. Për këtë ne kemi përgjegjësitë tona se përse nuk është implementuar tërësisht dhe në thellësi ligji i arsimit të lartë. Ndërkohë gjitha aktet nënligjore dhe përmirësimi i tyre është një punë e përditshme që duhet bërë me seriozitet maksimal.
Një gjë është e sigurt, autonomia e universiteteve publike është një hap i rëndësishëm dhe për ta thelluar reformën në arsimin e lartë duhet që përveç tetë pikave, ne të identifikojmë edhe çështje të tjera të cilat sot nuk diskutohen, por që të gjithë ne, edhe studentët, e dimë që janë shumë të rëndësishme për të garantuar cilësi, infrastrukturë mësimore të duhur dhe sigurisht kushte më të mira për të gjithë ata të cilët vijnë nga familjet në nevojë.
Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së
I pyetur edhe për kthimin mbrapsht të dekretit për Buxhetin 2019, deputeti socialist u shpreh se është e padëgjuar dhe paparë ndonjëherë që presidenti i një vendi të kthejë buxhetin.
Po ju them që për sa i përket dekretit për buxhetin, është e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë që Presidenti i Republikës të kthejë buxhetin e shtetit. Buxheti i shtetit është votuar më 3 dhjetor. Kjo nuk ka të bëjë fare me çështjen e studentëve. Unë nuk shoh asnjë lloj lidhje mes këtyre të dyjave. Edhe vetë Presidenti e di këtë gjë.
Taulant Balla, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së
Sa i takon kandidaturës dhe prezencës së Vitore Tushës në Kontrollin e Lartë të Shtetit, Balla u shpreh se qeveria e vlerëson të rëndësishme praninë e saj edhe në institucionin më të ri të drejtësisë sikurse është KED.