TIRANË- Nuk ka distancim nga aktet e dhunës në protestë, të udhëhequra nga një grup me maska. Pas një lëvizje surprizë mbrëmjen e djeshme, kur protestuesit ndalën sulmet ndaj policisë, dhuna u rikthye sërish në ditën e pestë të protestës në Tiranë. Rruga para Ministrisë së Arsimit dhe u kthye në një shesh beteje. Sulme me molotovë, fishekzjarrë e gurë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia u kundërpërgjigj me ujë e gaz lotsjellës, ndërsa në një rast ka përdorur edhe plumba gome. Sulmit nuk i shpëtoi as selia e Ambasadës së Vatikanit, ku protestuesit i vunë flakën kabinës së rojës. Pas 4 orësh përplasje te Ministria e Arsimit, protestuesit zhvendosen nw Bulevardin te Kryeministria. 

Protesta nisi rreth orës 11:00, çuditërisht me një atmosferë të qetë, që zgjati për rreth një orë. Gjatë kësaj kohe nuk pati sulme ndaj policisë, por vetëm akte simbolike. Disa protestues u dhanë dorën efektivëve, një tjetër ngriti flamurin autokton, ndërsa një valixheje iu vu flaka si simbol i emigrimit dhe u hodh brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit.

Por qetësia zgjati pak. Pas rreth një ore, protestuesit e maskuar nisën përgatitjet për aktet e dhunës. Fillimisht shkulën kangjellat dhe i vendosën në mes të rrugës, duke krijuar një lloj bllokade përballë policisë. Më pas hoqën pllakat e trotuarit, të cilat i grumbulluan në rrugë për t'i përdorur gjatë sulmeve ndaj efektivëve.

Nuk vonoi dhe nisi breshëria e gurëve, molotovëve dhe fishekzjarrëve në drejtim të efektivëve dhe godinës së Ministrisë së Arsimit. Policia ndërhyri menjëherë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, por përplasjet vijuan për orë të tëra. Sa herë policia ndërhynte, protestuesit tërhiqeshin në rrugicat përreth, për t'u rigrupuar më pas dhe për të vijuar sulmet.

Në një moment, mes sulmeve me gurë dhe molotovë ndaj efektivëve, një polic u filmua duke përdorur një armë që qëllon me fishekë gome. Megjithatë, policia ende nuk ka reaguar zyrtarisht.

Sulm edhe Ambasadës së Vatikanit, ku një grup protestuesish i vuri flakën kabinës së rojës. Selia e ambasadës së Vatikanit u sulmua edhe 3 ditë më parë, kur u shkul flamuri.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:34
Kosha të djegur e tabela të thyera në rrugë, shoqërohen disa protestues në Shkodër

1792244323_shkodra.png

Gjatë marshimit të tyre, protestuesit në Shkodër po djegin koshat e mbeturinave në mes të rrugës dhe po thyejnë tabelat. Policia ka shoqëruar disa prej tyre.

Ora 15:33
Mes gazit lotsjellës e gurëve, protestuesi fal namazin

Një protestues me maskë kundërgaz është mënjanuar për pak çaste nga protesta dhe është vendosur te Kullat Binjake, ku po fal namazin.

Ndërkohë rreth tij, ka vetëm tym, gaz lotsjellës e gurë që fluturojnë në ajër.

Ora 15:28
3 protestues mbërrijnë te Spitali i Traumës

1791925327_spitaliitraumes.jpg

Aktualisht, 3 protestues sapo kanë mbërritur në Spitalin e Traumës në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëdijshëm.

Njëri prej tyre deklaron që është lënduar dje dhe është paraqitur sot në spital.

Ora 15:26
Protesta në Tiranë, tre protestues mbërrijnë në SUT!

1792240651_protestatkunderqeverise.jpg

Aktualisht, janë 3 protestues sapo kanë mbërritur në SUT. Gjendje e mirë shëndetësore. Po marrin trajtim në urgjencë. 

Njëri prej tyre deklaron që është lënduar dje dhe është paraqitur sot në spital.

Ora 15:18
Protestuesit sulmojnë me gurë e molotovë, policia hedh ujë e gaz lotsjellës

 

1792243135_tensione.jpg

Protestuesit ndodhen përpara kryeministrisë, ku policia ka ngritur një kordon sigurie. Në vijën e parë ndodhet autoboti i cili hedh vazhdimisht ujë e gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.

Këta të fundit po sulmojnë efektivët me breshëri gurësh e molotovësh.

Ora 15:15
Pas 4 orësh te Ministria e Arsimit, protestuesit marshojnë drejt kryeministrisë! Policia hedh gaz lotsjellës nga tarraca e Ministrisë së Brendshme

1792242849_policianetarrace.jpg

Pas 4 orëve te Ministria e Arsimit ku herë pas here ka pasur përplasje me policinë, protestuesit kanë nisur të marshojnë. Ata janë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe po i drejtohen kryeministrisë.

Ndërkohë në tarracën e Ministrisë së Brendshme gjenden policë që hedhin gaz lotsjellës, kundrejt të cilëve protestuesit lëshojnë brohorima e reagime të revoltuara.

Ora 14:41
Tymi mbulon Rrugën e Durrësit, protestuesit sulm me pllaka trotuari dhe molotovë policëve! Efektivët u përgjigjen me gaz lotsjellës e ujë (VIDEO)

 

Rruga e Durrësit në kryeqytet është kthyer në një ‘skenë lufte’, pasi protestues të maskuar kanë sulmuar me gurë dhe sende të fortë drejt Ministrisë së Arsimit dhe efektivëve të Policisë, ndërsa këta të fundit u janë përgjigjur me ujë, gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Edhe në momentet e fundit, protestuesit po vijojnë të sulmojnë me pllaka trotuari, molotovë e sende të forta ndaj efektivëve, ndërkohë që tymi ka mbuluar gjithë zonën.

Ora 14:31
Protestuesit e maskuar ‘paradë’ në Rrugën e Durrësit (VIDEO)

Një grup protestuesish të maskuar kanë parakaluar ditën e sotme në Rrugën e Durrësit, ku po zhvillohet për të pestën ditë protesta e dhunshme kundër Qeverisë.

Gjatë ‘paradës’, ata jaën përshëndetur, përqaruar e duartrokitur nga protestues të tjerë që ishin të pranishëm në tubim.

Ora 14:20
Një ‘flutur’ mes protestuesve të dhunshëm në Tiranë (VIDEO)

 

Mes protestës së dhunshme që po zhvillohen në Rrugën e Durrësit, para Ministrisë së Arsimit, ku persona të maskuar po përballen me efektivët e Policisë me gurë e sende të forta, një vazjë, me ‘krahë’ si të një fluture, është shfaqur mes protestuesve.

Ajo gjithashtu ka vendosur në kokë një fjongo, në të cilën janë ngjitur edhe dy simbole të një fluture.

Ora 14:13
Protesta e dhunshme në Tiranë, një personi i bie të fikët! Ambulanca i shkon në ndihmë (VIDEO)

 

Një person nuk është ndjerë mirë dhe i ka rënë të fikët gjatë protestës së dhunshme që po zhvillohet ditën e sotme në Tiranë.

Menjëherë një autoambulancë ka shkuar në vendin ku ndodhej personi në fjalë, për t’i dhënë atij ndihmën e parë mjekësore.

Ora 14:05
Protestuesit tjetër sulm ambasadës së Vatikanit, i vënë flakën kabinës së rojës (VIDEO)

 

Protestuesit kanë sulmuar sërish ambasadën e Vatikanit, që ndodhet në hyrje të rrugës së Durrësit. Siç shihet edhe në pamjet që sjell Report Tv, ata i kanë vënë flakën kabinës së rojës.

Edhe tre ditë më parë ambasada e Vatikanit ishte pre e sulmeve të protestuesve të maskuar, të cilët shkulën flamurin.

Ora 13:56
Sulm me molotovë në drejtim të efektivëve, policia reagon me ujë dhe gaz! Shpërndahen protestuesit (VIDEO)

Protestuesit e maskuar kanë sulmuar me molotovë në drejtim të efektivëve. Policia ka reaguar me gaz lotsjellës dhe ujë, ndërsa protestuesit janë shpërndarë. Disa nëpër rrugicat pranë Ministrisë së Arsimit, ndërsa një pjesë tjetër është zhvendosur afër sheshit Skëndërbej, në fillim të rrugës së Durrësit.

Ora 13:50
Sulmet e protestuesve me gurë ndaj efektivëve, Policia reagon me fishekë gome (VIDEO+FOTO)

Sulme të ashpra me gurë e molotovë ndaj efektivëve në protestë. Në një moment, mes sulmeve me gurë dhe molotovë ndaj efektivëve, një polic u filmua duke përdorur një armë që qëllon me fishekë gome, siç shihet edhe në video. Megjithatë, policia ende nuk ka reaguar zyrtarisht.

 

Ora 13:24
Me kostum panda dhe pankartën ‘Mos dhunoni nxënës e studentë’, protestuesi bën 'show' para policëve (VIDEO)

 

Një protestues i veshur me kostum panda ka tërhequr vëmendjen gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit. Me një pankartë ku shkruhej “Mos dhunoni nxënës e studentë” dhe mesazhe të tjera në kostum, ai ka kërcyer përballë efektivëve të policisë.

Ora 13:09
Protestuesit sulme të ashpra me gurë efektivëve, policia heq ‘bllokadën’ me kangjella nga rruga (VIDEO)

Ndonëse qëndruan një orë të qetë para Ministrisë së Arsimit, protestuesit nisën sulme të ashpra me gurë në drejtim të efektivëve. Këta të fundit u përgjigjen me gaz lotsjellës dhe hoqën edhe bllokadën me kangjella që kishin vënë protestuesit në mes të rrugës.

Ora 12:55
Mësuesi i bashkohet nxënësve në protestën në Korçë: Jo akteve të dhunës! (VIDEO)

 

Një grup të rinjsh po marshojnë në pedonalen e Korçës me thirrjet “Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen”. Protestës i është bashkuar edhe mësuesi i gjimnazit “Themistokli Gërmenji”, Leonidha Puqi.

Ai thotë se e kanë ftuar vetë nxënësit, ndërsa u bën thirrje të protestojnë paqësisht, pa shkaktuar dëme.

Ora 12:55
Elbasan, adoleshentët përqafohen me policët në protestë (VIDEO)

Protesta e të rinjve në Elbasan nisi me një numër dukshëm më të ulët pjesëmarrësish, krahasuar me tubimet e mëparshme. Të rinjtë kanë marshuar në rrugët e qytetit, duke hedhur thirrje kundër kryeministrit Edi Rama: “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Ngrihuni nga kafja”.

Më pas shkuan te Bashkia, ku pati një moment paqeje mes policëve dhe protestuesve, kryesisht fëmijë dhe adoleshentë. Nuk munguan as përqafimet dhe një foto e përbashkët në shkallët e Bashkisë.

Ora 12:50
Përshkallëzohen tensionet, protestuesit hedhin vezë, gurë dhe mjete piroteknike në drejtim të policëve! Ndërhyhet me gaz lotsjellës (VIDEO)

Tensionet përshkallëzohen në ditën e pestë të protestës para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit kanë nisur të hedhin vezë dhe gurë në drejtim të efektivëve të policisë. Ndërhyhet me gaz lotsjellës.

Ora 12:25
Protesta te Ministria e Arsimit, protestuesit djegin koshat në mes të rrugës (VIDEO)

 

Protestuesit mblodhën koshat e plehrave para Godinës së Ministrisë së Arsimit dhe i vunë flakën në mes të rrugës. 

Ora 12:22
Protesta/ I riu për Report Tv: Mbarojmë universitetin, por s'gjejmë punë! Paga të ulëta, duhet të ndryshojë klasa politike (VIDEO)

 

Ersli Selimi, një i ri që i është bashkuar protestës para Ministrisë së Arsimit, thotë për Report Tv se të rinjtë përballen me mungesën e vendeve të punës, pagat e ulëta dhe koston e lartë të jetesës. Ai kërkon edhe ndryshimin e klasës politike.

“Dal të protestoj sepse për të rinjtë që sapo dalin nga shkolla nuk ka vende pune. Kam studiuar administrim biznesi, kam filluar punë, por inflacioni dhe rrogat që janë në Shqipëri nuk përputhen me kostot e jetesës. Sapo del nga universiteti, të kërkojnë 3 vite eksperiencë. Ose e nis me rrogën më të ulët. Kërkesat janë të dish dy-tre gjuhë të huaja, të kesh shumë eksperiencë, ndërkohë që rroga që merr është shumë minimale dhe nuk mbulon kostot e jetesës. Të shkosh në market është njësoj si të porosisësh online, që më parë kishte një diferencë shumë të madhe. PD duhet të riorganizohet ose të ndryshojë komplet dhe të krijohet një parti e re me njerëz të rinj që mund të na përfaqësojnë ne. Duhet të dalë një politikë e re”, thotë i riu.

Ora 12:13
Simbol për emigrimin, protestuesit i vënë flakën valixhes! E hedhin brenda Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

 

Protestuesit i kanë vënë flakën një valixheje, si simbol i emigrimit, dhe e kanë hedhur brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit.

Ora 12:12
‘Saimir Korreshi kryeministër’- Protestuesit për Report Tv: S’po dhunohemi nga policët, por nga persona të tjerë! Kemi dalë në shesh për kushtet e vështira ekonomike dhe qiratë e larta (VIDEO)

 

Protestuesit janë mbledhur sërish ditën e sotme para Ministrisë së Arsimit, në ditën e pestë të tubimeve të dhunshme që po zhvillohen në Tiranë.

Gazetarja e Report Tv, Eliza Gjediku, ka marrë në pyetje disa prej protestuesve, të cilët kanë shprehur edhe shqetësimet e tyre dhe arsyet se përse janë ngritur në protesta.

Kushtet ekonomike, që pamundësonin studimin pa punuar dhe qiratë e shtrenjta ishin sipas tyre një prej arsyeve themelore që i kishte shtyrë të dilnin në protestë.

Një prej protestueseve, tha se nuk ishin efektivët e Policisë ata që dhunonin protestuesit, por persona të panjohur.

“Fillojmë që nga buka që hahet. Atje është kulmi pastaj. Sa për dijeni, vetë policat na e konfirmuan që këta janë thjeshtë për të mbrojtur. Ata të tjerët as që nuk i njohin dhe ata janë vetëm për të dhunuar. Ndërsa këta na e thanë vetë që ‘ne nuk jemi për të dhunuar, na kanë vënë këtu për të mbrojtur institucionin’. Jam studente. Fatmirësisht jam në një universitet privat, sepse shtetërorin nuk do e preferoja kurrë, për shkak të korrupsionit, nga kushtet, nga mësimdhënia, nga të gjitha këto. Më mirë pa shkollë, sesa në shtet. Ky është mendimi im. Kemi shokë që përveçse janë djegur, u’a vështirësojnë shumë”, tha një protestuese për Report Tv.

“Kërkojmë dorëheqjen, kaq”, tha një studente.

“Më fal, ju keni ankesa si person? Çfarë ankesash? Rrogën e keni të mirë? Ushqimet janë të larta? Qiratë janë të larta? Kaq. Dorëheqje! S’ka bërë gjë për 13 vite, si ti si unë të njëjtat kërkesa kemi”, tha një tjetër protestuese.

“Unë në fakt jetoj jashtë dhe kam ardhur për 5 muaj këtu në protestë. Unë jetoj në Angli në fakt, por kam ardhur në Shqipëri të rregulloj jetën time këtu. Sepse kemi një atdhe dhe problemi që kam hasur është me administratën. Unë s’kam patur mundësi që të mbaroj punë pa dhënë një kafe. Edhe kur kam bërë patentën këtu, unë duhet të paguaja 100 euro poshtë tavolinës. Sepse po të mos paguaje, ata thoshin se do na ngecnin. Unë jam rritur këtu deri në 12 vjeç, sepse kam pasur dëshirë të njoh realitetin shqiptar. Ne duam që të vijmë të ndihmojmë popullin shqiptar me arsimin që kemi marrë jashtë, por nuk na e japin shansin për ta bërë këtë”, tha një tjetër protestues.

Ndërsa një tjetër protestues tha se do të donte që kryeministër të zgjidhej deputeti demokrat Saimir Korreshi, pasi sipas tij, ai është i vetmi që do ta ndihmonte Shqipërinë.

“Jam 20-vjeç. Kam 150 ditë që protestojmë për të drejtat tona. Ky nuk donte me të mirë, por donte kështu. U kthyem kështu, por kemi policinë kundra. Shikoni si janë këta me mburoja. Ne edhe këto maska i vëmë sepse na ngelin në shkolla. Këta me mburoja na gjejnë në tokë dhe na rrahin na zhdëpin në dru. I kanë çuar qiratë nga 800 mijë lekë në muaj dhe rrogat tona nga 500 mijë lekë. Po rrimë nga 5-6 vetë nëpër shtëpi, sepse s’kemi ça bëjmë. Edhe punojmë edhe studiojmë, sepse po nuk punuam, nuk studiojmë dot. Ne e bëjmë në privat. Ata na thonë ‘nuk mësoni, kapeni në shtet’. Po ça të bëjmë, nuk i kemi të gjithë mundësitë, sepse bursa morën vetëm çunat e deputetëve e ministrave. Ne s’i morëm dot. Këtu s’ka asgjë të saktë, çdo gjë është e prishur. Duke filluar nga pedagogët, që vijnë pijnë kafe dhe ikin që aty. Duam vetëm të iki Edi Rama. Dua me shpirt vetëm Saimir Korreshin. Vetëm ai na bën punë ne, po s’na bëri ai, s’na bën njeri tjetër punë ne. Vetëm ai se kush tjetër, do vij Arlind Qori, apo ai Llapi”, tha protestuesi.

Ora 12:10
Protestuesit shkulin pllakat e trotuarit, i hedhin në rrugë (VIDEO)

 

Protestuesit kanë shkulur pllakat e trotuarit dhe i kanë hedhur në mes të rrugës.

Ora 12:01
Protesta/ Nisin tensionet e para, protestuesit me maska shkulin kangjellat dhe vendosin në mes të rrugës (VIDEO)

 

Kanë nisur tensionet e para në protestën para Ministrisë së Arsimit. Protestuesit me maska shkulën kangjellat e trotuarit pranë godinës së ministrisë dhe i vendosin në mes të rrugës.

Ora 11:49
Protesta në Durrës, dëmtohen xhamat e postës, nisin shoqërimet (VIDEO)

 

Protesta në Durrës nisi me revansh. Një grup të rinjsh dëmtuan fasadën prej xhami të Postës Shqiptare. Rreth 50-60 të rinj u grumbulluan fillimisht pranë Pallatit të Kulturës, vijuan marshimin drejt Mauzoleut të Dëshmorëve dhe më pas drejt Postës, ku përmbysën disa kosha mbeturinash dhe goditën derën e institucionit.

Kjo është hera e dyte qe goditet Posta, të cilët e konsiderojnë simbol të vjedhjes. Kujtojmë se në hetim për vjedhjen e 700 mijë eurove janë ish-drejtoresha dhe disa punonjëse të institucionit.

Sakaq, policia ka nisur shoqërimet e të rinjve protestues.

Ora 11:47
Protestuesi i maskuar ngjitet mbi murin e Ministrisë së Arsimit, ngre flamurin ‘autokton’ (VIDEO)

 

Një protestues i maskuar është ngjitur mbi murin rrethues të Ministrisë së Arsimit, duke valëvitur flamurin ‘autokton’.

Ora 11:40
Tjetër moment paqeje, polici i jep dorën protestuesve të maskuar (VIDEO)

 

Në ditën e pestë të protestës para Ministrisë së Arsimit, shënohet një tjetër moment paqeje mes protestuesve dhe policisë. Një efektiv i ka zgjatur dorën një protestuesi të maskuar, ndërsa deri më tani tubimi po zhvillohet pa incidente.

Ora 11:14
Efektivi shtyu me forcë 21-vjeçarin, protestuesi debat me policët: Ku është komandanti? Të vijë të mbajë përgjegjësi

 

Një protestues është përplasur verbalisht me një grup policësh, duke u kërkuar llogari për një episod të regjistruar gjatë ditës së djeshme, kur një efektiv shtyu me forcë një protestues 21-vjeçar. Ky i fundit vijon të jetë i shtruar në spital, në repartin e Neurokirurgjisë.

“Ku është komandanti? Të vijë të marrë përgjegjësinë për vartësin e vet që hodhi dikë në rrugë. Komandant? Nuk duhet të rrihen njerëzit. I keni arrestuar fëmijët pa të drejtë fare, duke ecur rrugëve”, u shpreh protestuesi.