Pas rreth një ore protestë, kanë nisur tensionet para Ministrisë së Arsimit. Protestuesit e maskuar kanë shkulur kangjellat anës rrugës dhe i kanë vendosur në mes të saj, duke krijuar një lloj ‘gardhi’ përballë efektivëve të policisë.
Protestuesit i kanë vënë flakën edhe një valixheje, si simbol i emigrimit, dhe e kanë hedhur brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit.
Protesta nisi me disa përplasje verbale me efektivët. Ata kërkuan llogari për një episod të regjistruar gjatë ditës së djeshme, kur një efektiv shtyu me forcë një protestues 21-vjeçar.
“Ku është komandanti? Të vijë të marrë përgjegjësinë për vartësin e vet që hodhi dikë në rrugë. Komandant? Nuk duhet të rrihen njerëzit”, u shpreh protestuesi.
Mbetet për tu parë se si do të vijojë protesta gjatë ditës, pasi mbrëmjen e djeshme u shënua papritur një moment shtensioni. Pasi ishin përplasur për orë të tëra me shkëmbim gurësh dhe gazi lotsjellës, një grup protestuesish ndalën sulmet ndaj uniformave blu dhe e mbyllën në shkallët e Kryeministrisë vetëm me thirrje dhe pankarta.
Lajmi në përditësim....

Protestuesit i kanë vënë flakën një valixheje, si simbol i emigrimit, dhe e kanë hedhur brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit.
Protestuesit janë mbledhur sërish ditën e sotme para Ministrisë së Arsimit, në ditën e pestë të tubimeve të dhunshme që po zhvillohen në Tiranë.
Gazetarja e Report Tv, Eliza Gjediku, ka marrë në pyetje disa prej protestuesve, të cilët kanë shprehur edhe shqetësimet e tyre dhe arsyet se përse janë ngritur në protesta.
Kushtet ekonomike, që pamundësonin studimin pa punuar dhe qiratë e shtrenjta ishin sipas tyre një prej arsyeve themelore që i kishte shtyrë të dilnin në protestë.
Një prej protestueseve, tha se nuk ishin efektivët e Policisë ata që dhunonin protestuesit, por persona të panjohur.
“Fillojmë që nga buka që hahet. Atje është kulmi pastaj. Sa për dijeni, vetë policat na e konfirmuan që këta janë thjeshtë për të mbrojtur. Ata të tjerët as që nuk i njohin dhe ata janë vetëm për të dhunuar. Ndërsa këta na e thanë vetë që ‘ne nuk jemi për të dhunuar, na kanë vënë këtu për të mbrojtur institucionin’. Jam studente. Fatmirësisht jam në një universitet privat, sepse shtetërorin nuk do e preferoja kurrë, për shkak të korrupsionit, nga kushtet, nga mësimdhënia, nga të gjitha këto. Më mirë pa shkollë, sesa në shtet. Ky është mendimi im. Kemi shokë që përveçse janë djegur, u’a vështirësojnë shumë”, tha një protestuese për Report Tv.
“Kërkojmë dorëheqjen, kaq”, tha një studente.
“Më fal, ju keni ankesa si person? Çfarë ankesash? Rrogën e keni të mirë? Ushqimet janë të larta? Qiratë janë të larta? Kaq. Dorëheqje! S’ka bërë gjë për 13 vite, si ti si unë të njëjtat kërkesa kemi”, tha një tjetër protestuese.
“Unë në fakt jetoj jashtë dhe kam ardhur për 5 muaj këtu në protestë. Unë jetoj në Angli në fakt, por kam ardhur në Shqipëri të rregulloj jetën time këtu. Sepse kemi një atdhe dhe problemi që kam hasur është me administratën. Unë s’kam patur mundësi që të mbaroj punë pa dhënë një kafe. Edhe kur kam bërë patentën këtu, unë duhet të paguaja 100 euro poshtë tavolinës. Sepse po të mos paguaje, ata thoshin se do na ngecnin. Unë jam rritur këtu deri në 12 vjeç, sepse kam pasur dëshirë të njoh realitetin shqiptar. Ne duam që të vijmë të ndihmojmë popullin shqiptar me arsimin që kemi marrë jashtë, por nuk na e japin shansin për ta bërë këtë”, tha një tjetër protestues.
Ndërsa një tjetër protestues tha se do të donte që kryeministër të zgjidhej deputeti demokrat Saimir Korreshi, pasi sipas tij, ai është i vetmi që do ta ndihmonte Shqipërinë.
“Jam 20-vjeç. Kam 150 ditë që protestojmë për të drejtat tona. Ky nuk donte me të mirë, por donte kështu. U kthyem kështu, por kemi policinë kundra. Shikoni si janë këta me mburoja. Ne edhe këto maska i vëmë sepse na ngelin në shkolla. Këta me mburoja na gjejnë në tokë dhe na rrahin na zhdëpin në dru. I kanë çuar qiratë nga 800 mijë lekë në muaj dhe rrogat tona nga 500 mijë lekë. Po rrimë nga 5-6 vetë nëpër shtëpi, sepse s’kemi ça bëjmë. Edhe punojmë edhe studiojmë, sepse po nuk punuam, nuk studiojmë dot. Ne e bëjmë në privat. Ata na thonë ‘nuk mësoni, kapeni në shtet’. Po ça të bëjmë, nuk i kemi të gjithë mundësitë, sepse bursa morën vetëm çunat e deputetëve e ministrave. Ne s’i morëm dot. Këtu s’ka asgjë të saktë, çdo gjë është e prishur. Duke filluar nga pedagogët, që vijnë pijnë kafe dhe ikin që aty. Duam vetëm të iki Edi Rama. Dua me shpirt vetëm Saimir Korreshin. Vetëm ai na bën punë ne, po s’na bëri ai, s’na bën njeri tjetër punë ne. Vetëm ai se kush tjetër, do vij Arlind Qori, apo ai Llapi”, tha protestuesi.
Protestuesit kanë shkulur pllakat e trotuarit dhe i kanë hedhur në mes të rrugës.
Kanë nisur tensionet e para në protestën para Ministrisë së Arsimit. Protestuesit me maska shkulën kangjellat e trotuarit pranë godinës së ministrisë dhe i vendosin në mes të rrugës.
Protesta në Durrës nisi me revansh. Një grup të rinjsh dëmtuan fasadën prej xhami të Postës Shqiptare. Rreth 50-60 të rinj u grumbulluan fillimisht pranë Pallatit të Kulturës, vijuan marshimin drejt Mauzoleut të Dëshmorëve dhe më pas drejt Postës, ku përmbysën disa kosha mbeturinash dhe goditën derën e institucionit.
Kjo është hera e dyte qe goditet Posta, të cilët e konsiderojnë simbol të vjedhjes. Kujtojmë se në hetim për vjedhjen e 700 mijë eurove janë ish-drejtoresha dhe disa punonjëse të institucionit.
Sakaq, policia ka nisur shoqërimet e të rinjve protestues.
Një protestues i maskuar është ngjitur mbi murin rrethues të Ministrisë së Arsimit, duke valëvitur flamurin ‘autokton’.
Në ditën e pestë të protestës para Ministrisë së Arsimit, shënohet një tjetër moment paqeje mes protestuesve dhe policisë. Një efektiv i ka zgjatur dorën një protestuesi të maskuar, ndërsa deri më tani tubimi po zhvillohet pa incidente.
Një protestues është përplasur verbalisht me një grup policësh, duke u kërkuar llogari për një episod të regjistruar gjatë ditës së djeshme, kur një efektiv shtyu me forcë një protestues 21-vjeçar. Ky i fundit vijon të jetë i shtruar në spital, në repartin e Neurokirurgjisë.
“Ku është komandanti? Të vijë të marrë përgjegjësinë për vartësin e vet që hodhi dikë në rrugë. Komandant? Nuk duhet të rrihen njerëzit. I keni arrestuar fëmijët pa të drejtë fare, duke ecur rrugëve”, u shpreh protestuesi.











Komente
Komento