Transportuesit e mallrave në rajon nisën një bllokadë në pikat kufitarë që të çojnë drejt vendeve të Shengenit duke bërë të pamundur kalimin e mallrave në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje Hercegovinë.

Ajo nisi mesditën e kësaj të hëne dhe pritet të vijojë për 48 orë dhe mund të zgjatet deri në 1 javë.

Arsyeja e këtij veprimi të organizuar nga shoqatat e transportit në këto 4 vende është një rregull i ri i BE për sigurinë e kufijve që ka nisur të zbatohet në tetor të vitit të kaluar, i cili parashikon konfirmimin e dyfishtë të të dhënave të transportuesve si dhe hapësirën kohore që drejtuesit e kamionëve mund të shpenzojnë në vendet e Shengenit e cila është 90 ditë në 6 muaj, njëjtë si për udhëtarët e thjeshtë.

Në Maqedoninë e Veriut, shoqata e shoqërive transprtuese shpjegoi se problemi më i madh është matja e ditëve që shoferët konsumojnë në hapësirën Shengen, një problem shumë serioz për ta për të cilin kërkohet një ndryshim, pasi ai mund të lërë pa punë punëtorët dhe shoferët.

Megjithatë në një reagim të datës 19 Janar, një zëdhënës i KE, tha se rregulli EES, sistemi i hyrje-daljes në Shengen, nuk parashikon rregulla të reja për qëndrimin afatshkurtër në këtë zonë të shtetasve jashtë BE. Por sipas zëdhënësit të KE Markus Lammert, BE po e ndjek situatën dhe është në kontakt me qeveritë e Ballkanit Perëndimor.

Bllokimi në doganat që të çojnë drejt zonës Shengen, është njoftuar me të njëjtin argument në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinë ndërsa Shqipëria nuk i është bashkuar protestës.

Arsyeja të paktën deri tani siç Report TV ka mësuar nga operatorë të transportit, është fakti se kompanitë e transportit rrugor të mallrave në vendin tonë aktivitetin e kanë të lidhur kryesisht me Greqinë dhe Italinë, ku rregullat e reja të sistemit të hyrje daljes për në Shengen nuk kanë nisur zbatimin e plotë.

Të hënën paradite, në pikën kufitare të Qafë Thanës, edhe pse të pakta, kalimet e kamionëve të mallrave vijuan. Nga pala Mmqedonase parashikohet që 370 kamionë të bllokojnë kalimin, por jo atë të udhëtarëve. 

Shoqata e transportit “Makam Trans” tha në një deklaratë më vonë se nëse do të dërgohet sinjal tek institucionet shtetërore maqedonase se do të zhvillohen takime për gjetjen e një zgjidhjeje, bllokada do të ndërpritet.

Shoqëritë ballkanase të transportit pretendojnë se rregullat e reja të hyrje daljes në Shengen do të rrisin edhe kostot e transportit edhe çmimin e produkteve që eksportohen duke i bërë mallrat e prodhuara në Ballkan të pakonkurueshme në Europë.

Në Serbi, pikat kryesore kufitare janë Horgoš, Kelebija, Bačka Palanka, Batrovci, Šid dhe Preševo, me mundësi shtrirjeje drejt Kosovës. Veçanërisht rrezikohen ngadalësime në drejtimet Horgoš–Röszke dhe Kelebija drejt Hungarisë.

Bllokimi do të prekë edhe pikat kufitare të Shqipërisë me Malin e Zi dhe Maqedoninë. Autoritetet malazeze kanë njoftuar se Shoqata e Kamionistëve do të nisë protestën në orën 11:30 dhe do të zgjasë rreth 48 orë.

Vendkalimet kufitare me Malin e Zi:

Muriqan - Sukobin 

Han i Hotit – Bozhaj 

Grabom – Podgoricë 

Vermosh - Guci

Vendkalimet kufitare me Maqedoninë e Veriut:

Bllatë– Banja

Qafë Thanë– Kafasan

Goricë– Stenje

Autoritetet kanë bërë thirrje për subjektet e transportit dhe për qytetarët që të informohen dhe të marrin masat e nevojshme për të shmangur vonesat dhe problematikat gjatë kësaj periudhe.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:43
Shoqata e Kamionistëve në Maqedoninë e Veriut reagon për grevën: Sot në mesditë 370 kamionë do të bllokojnë të gjitha pikat kufitare në vend

Shoqata e Kamionistëve në Maqedoninë e Veriut ka reaguar për protestën duke thënë se në mesditë 370 kamionë do të bllokojnë të gjitha pikat kufitare në vend. Do të ndalet transporti i mallrave drejt Bashkimit Europian dhe tranziti nëpër rajon. Përjashtim bëjnë kamionët që transportojnë ilaçe, kafshë të gjalla, eksplozivë dhe municion. Nuk preken autobusët dhe mjetet personale.

Bllokada e cila është paralajmëruar se do të zgjasë 7 ditë, do të ndërpritet nëse vendet e BE-së do të dërgojnë sinjale për një zgjidhje.

Nëse qoftë ditën e parë apo të dytën dërgohet sinjal tek institucionet kompetente të shtetit tonë se do të zhvillohen takime për gjetjen e një zgjidhjeje, ne menjëherë do ta ndërpresim bllokadën. Nuk duam t’i shkaktojmë dëm as vetes, as ekonomisë. Si rajon do të përballemi me një situatë ku shumë transportues do të kërkojnë zgjidhje duke transferuar kapitalin në shtete të tjera të BE-së, gjë që do të çonte në kolaps të tërë ekonomisë,” deklaroi Biljana Muratovska, nga Shoqata e Transportit Makam-Trans.

Transportuesit paralajmërojnë se nëse BE-ja nuk gjen mënyrë për tejkalimin e këtij problemi, kjo do të nënkuptojë kolaps për ekonominë e Ballkanit Perëndimor. Kostot e transportit do të rriten shumëfish, e bashkë me to edhe çmimet e produkteve. Nga qeveria thonë se janë në komunikim me përfaqësuesit evropianë me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe për të vënë në dukje problemet e transportuesve, të cilat përbëjnë kërcënim serioz për ekonominë.

Transportuesve të Maqedonisë së Veriut do t’u bashkohen të tjerë nga Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Ora 11:17
Protesta e kamionistëve në Maqedoninë e Veriut, vijojnë hyrjet e mjeteve të rënda në Qafë Thanë

Pavarësisht grevës së njoftuar nga Shoqata e Kamionistëve të Maqedonisë së Veriut për pezullimin e qarkullimit të mallrave në disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe BE, në doganën e Qafë Thanës, ka pasur hyrje të pakta të kamionëve dhe mjeteve të tjera të transportit të mallrave.

Kamionët kanë kryer veprimet në të dyja doganat dhe më pas i janë nënshtruar kontrollit në skaner.

Kamionistët nga Maqedonia e Veriut thonë se greva lidhet me ditët e qëndrimit në vendet e BE dhe sipas njoftimit, ditët e qëndrimit të tyre do të numërohen. Kjo sjell pasoja pasi koha e qëndrimit të tyre në vendet e BE është e kufizuar.

Sipas tyre, ministria e Transporteve e Maqedonisë e ka mbështëtur grevën dhe pritet një reagim nga vendet e BE.